Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Shkrimtarë në rezidencë

RobertoFerrucci_

Instituti Italian i Kulturës ka kënaqësinë të prezantojë projektin e ri “Shkrimtarë në rezidencë”, i realizuar në bashkëpunim me Villa 31 x Art Explora. Kjo iniciativë synon të mbështesë lëvizshmërinë ndërkombëtare të autorëve dhe të nxisë dialogun ndërkulturor përmes letërsisë dhe kërkimit artistik.

Programi zë fill me rezidencën e parë, e cila mirëpret në Tiranë shkrimtarin dhe gazetarin Roberto Ferrucci. Gjatë periudhës së qëndrimit në Villa 31 x Art Explora, Ferrucci do të ketë mundësinë të zhvillojë punën e tij kërkimore dhe krijuese, duke u njohur nga afër me kontekstin kulturor, shoqëror dhe artistik shqiptar.

Në përfundim të rezidencës, autori do të jetë në qendër të një takimi publik të organizuar nga Instituti Italian i Kulturës dhe Villa 31 x Art Explora. Ky takim do të jetë një mundësi e shkëlqyer për një dialog të hapur me lexuesit, studiuesit dhe operatorët e artit e të kulturës mbi temat e krijimtarisë së tij letrare dhe mbi përvojën e fituar gjatë qëndrimit në Tiranë.

Përmes projektit “Shkrimtarë në rezidencë”, Instituti Italian i Kulturës synon të promovojë krijimtarinë letrare bashkëkohore dhe të forcojë shkëmbimet kulturore mes Italisë dhe Shqipërisë, duke u ofruar autorëve një hapësirë të veçantë për kërkim dhe dialog me skenën kulturore vendase.

Roberto Ferrucci i lindur në Venecia, debutoi në vitin 1993 me romanin Terra rossa, botuar nga Transeuropa. Në vitin 2007, shtëpia botuese Marsilio botoi romanin Cosa cambia, i ribotuar në vitin 2021 nga People me parathënie nga Antonio Tabucchi. Në vitin 2022 botoi librin me kujtime Storie che accadono (People), i përqendruar te figura e Tabucchi-t, libër i cili së bashku me Il mondo che ha fatto, i dalë në dritë në vitin 2025 nga La nave di Teseo, formon një diptik. Ferrucci është përkthyesi në italisht i Jean-Philippe Toussaint. Shkruan për gazetat e “Nordest Multimedia” dhe në shtojcën La Lettura të gazetës “Corriere della Sera”. Që prej vitit 2002 jep lëndën Shkrim Krijues pranë Fakultetit të Letërsisë në Universitetin e Padovës, si dhe udhëheq laboratorë shkrimi në Itali dhe Francë. Për Helvetia Editrice drejton kolanën ‘Taccuini d’autore”.

  • Organizuar nga: Instituti Italian i Kulturës në Tiranë
  • Ne bashkepunim me: Vila31 x ArtExplora