Kjo faqe përdor cookie teknike, analitike dhe të palëve të treta.
Duke vazhduar shfletimin, ju pranoni përdorimin e cookies.

Preferences cookies

SHKODËR l Nesër e përgjithmonë nga Ermal Meta

Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, në bashkëpunim Shtëpinë Botuese Dudaj dhe Qendrën Rinore Arka në Shkodër ka kënaqësinë të prezantojë botimin në shqip të romanit të parë të Ermal Metës. Romani do të prezantohet në një bashkëbisedim me autorin.

Nesër e përgjithmonë nga Ermal Meta ed. La nave di Teseo, 2022

Përkthyer në shqip nga Agim Doksani – Botimet Dudaj

Moderator: Enkel Demi, shkrimtar e Gazetar

Romani debutues i një prej kantautorëve më të mëdhenj dhe më të njohur të ditëve të sotme. Një galeri personazhesh të paharrueshëm, mbi të gjitha historia mbresëlënëse e jashtëzakonshme e një djali, Kajanit, në zemër të konflikteve të viteve Nëntëqind, e cila ngjan në mënyrë dramatike me atë çfarë po shohim dhe përjetojmë edhe sot.

Kajani kishte një fat të rrallë, një talent të padiskutueshëm për pianon, por edhe një fat tragjik: të lindte gjatë Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri. Është viti 1943 dhe Kajani jeton në një fermë me familjen dhe gjyshin Betim, në fshatin shqiptar. Prindërit e tij janë partizanë dhe kanë dalë në male, për të luftuar kundër nazistëve. Jeta e Kajanit rrjedh disi larg nga mizoritë e luftës, derisa një ditë një dezertor gjerman i quajtur Cornelius, troket në derën e tyre, duke kërkuar strehim. Ushtari është një pianist i aftë dhe Kajani i vogël vendos ta shfrytëzojë rastin për të mësuar; ai tregohet një nxënës i disiplinuar dhe talentuar dhe ndërkohë krijon një ndjenjë të thellë dashurie për ushtarin. Pak përpara dorëzimit të gjermanëve, një trupë naziste pushton fermën. Të tre dëgjojnë të pafuqishëm të shtënat, të fshehur poshtë një kapanxhe në dysheme. Tensioni rritet derisa gjermanët zbulojnë vendin ku janë fshehur: pikërisht atëherë Cornelius, pa as më të voglin hezitim, del dhe vret bashkatdhetarët e tij, duke i shpëtuar edhe një herë jetën Kajanit. Por Betimi, ka mbetur i plagosur për vdekje nga të shtënat. Është nata e çlirimit të Shqipërisë. Corneliusit i krijohet mundësia të kthehet në atdhe, në Gjermani, falë ndihmës së Selisë, nënës së Kajanit, drejtuese e një çete partizane, me shumë peshë në parti. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, Kajani, në moshën 20-vjeçare, falë talentit të tij të jashtëzakonshëm, është bërë një profesor i nderuar muzike. Ka rënë në dashuri me një nga studentët e tij, Elizabetën, e cila gjithashtu e do. Por ka një problem, të rënduar nga figura e ashpër dhe e pacënueshme e Selisë, nënës së tij, tashmë pjesë e rangjeve të larta të regjimit të ri komunist: Elizabeta është vajza e një tradhtari. Lufta që Kajani mendonte se kishte përfunduar, do të rinisë në një formë të re dhe me armiq të rinj.

SI FILLON

“Gjysh, ku është lufta?”

“Lufta është larg prej këtu, Kajan. Mbaroje darkën”.

“Po pse nuk e shohim?”

“Sepse ne nuk na intereson. Unë jam shumë i vjetër ndërsa ti shumë i vogël”, u përgjigj Betimi duke buzëqeshur.

“Prandaj Mami dhe Babi nuk janë këtu me ne? Atyre ju intereson lufta?”

“Jo bir, është lufta që ka interes për ta”.

“Po pse?”

“Sepse lufta lind fillimisht në mendjen e disave, pastaj zapton mendjen e shumë njerëzve, më pas nga mendja kalon tek duart e tek këmbët dhe prej andej ndalon tek sytë. Pastaj edhe kur përfundon, tek sytë mbetet. Rri larg nga lufta, Kajan, mos e shiko kurrë, është e keqe, e njoh.”

 

  • Organizuar nga: IIC di Tirana
  • Ne bashkepunim me: C.E. Dudaj e Centro Giovanile Arka Scutari