Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Prishtinë ka kënaqësinë të prezantojë ekspozitën: I shtrenjti Pinok – Dizajner dhe grafistë italianë ridizejnojnë kukullën më të famshme në botë, kuruar nga Giulio Iaccheti me dizajn ekspozite nga Matteo Vercelloni dhe dizajn grafik nga Federica Marziale Iadevaia.
Me rastin e 140 vjetorit të botimit të parë të librit “Aventurat e Pinokut – historia e një kukulle” të Carlo Collodi-t, libri italian më i përkthyer në botë, Muzeu i Dizajnit ADI, prezantoi një përzgjedhje projektesh kushtuar ikonës që frymëzoi breza krijuesish dhe mendimtarësh.
Ekspozita zë fill me një seksion historik, kuruar nga Marco Belpoliti, i cili mirëpret vizitorin me kopertina, vizatime dhe ilustrime historike dhe përfundon me një përzgjedhje vizatimesh origjinale, të marra nga një prej veprave më të fundit të Andrea Branzi (Pinocchio? botuar nga Libri Scheiwiller), arkitekt, dizajner, teoricien dhe protagonist i padiskutueshëm i avangardave radikale, i ndarë nga jeta pak kohë më parë, të cilit i kushtohet ekspozita. Ndër Mjeshtrit e dizajnit italian, Andrea Branzi ka krijuar në fakt vizionin e tij personal të përrallës së famshme të Collodi-t, me njëqind vizatime që përshkruajnë historinë e kukullës më të njohur italiane.
Zemra e “I shtrenjti Pinok” janë 62 projekte të reja nga 31 dizajner dhe 31 grafistë, të realizuara posaçërisht për ekspozitën, “një shprehje ndryshe e ndjesive dhe veprimeve të shumë dizajnerave italianë: një vështrim i zgjeruar, kaleidoskopik, befasues, i aftë për të treguar aftësinë e dizajnit italian në krijimin e imazheve dhe objekteve të pakohëshme, duke kremtuar kështu mitin e Geppetto-s, dizajnerit të parë italian!” (Giulio Iachetti).
Kukullat Pinok, të konceptuara falë bashkëpunimit të kompanive, artizanëve të kualifikuar dhe në disa raste të vetëprodhuara, janë vendosur në një karusel të madh rrethor.
Në këtë seksion është shtuar një koleksion objektesh të prodhuara nga kompanitë më të rëndësishme Made in Italy dhe të frymëzuara nga ikona e Pinokut.
Ekspozita është realizuar me kontributin e Abet Laminati.
Përurimi 06/04/2024 në orën 19:00
Prishtina Mall M2 (Prishtinë – Ferizaj)
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 29.04.2024