Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Prezantimi i edicionit shqip të librit “Ikanakët” nga Mario Desiati

M.Desiati

Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me Shtëpinë botuese Dituria, ka kënaqësinë të prezantojë edicionin shqip të librit “Ikanakët” të Mario Desiati-t, në prani të autorit.

29.9.2026 ora 17:00

Qendra “Sotir Kolea” e Bibliotekës Kombëtare
Hyrja e lirë

Klaudia është solitare, por ka vetëbesim, është ekstravagante dhe vishet si djalë. Françesko digjet përbrenda, por edhe frenohet nga një besim dogmatik e në të njëjtën kohë i pasigurt. Ajo e provokon: a e di se nëna jote dhe im atë janë të dashur? Por në sytë e atij djaloshi të butë dallon një shkëndijë në të cilën njeh veten. Qe nga ai moment nuk ndahen më. Por Klaudia ndihet e mbytur në provincë, ajo ia mbath sa herë  mundet, fillimisht në Londër, pastaj në Milano dhe në fund në Berlin, kryeqytetin europian të transgresionit; Françesko zgjedh të mos largohet dhe gërmon brenda vetes. Piqen së bashku, në një lojë simbiotike largimi dhe ndjekjeje, në të cilën përfundojnë gjithmonë duke u rigjetur. Mario Desiati përshkruan mijëra ndërlikimet e një brezi fluid, të shkulur nga rrënjët, ikanak: brezi i tij. Brezi i atyre që sot janë dyzetvjeçarë dhe që nuk kanë pasur frikë të kërkojnë larg shtëpisë vendin e tyre në botë, brezi i atyre që janë ndier vërtet qytetarë të Europës. Me një stil poetik, herë-herë provokues, Desiati rrëfen mijëra format që mund të marrë dëshira kur lihet e lirë të shfaqet. Pa frikë që të prekë telat e romantizmit, pa drojë në hetimin e detajeve më të rëndomta të instinktit dhe trupit, ai e vë në pyetje seksin dhe e zbulon siç është: një nga shumë sjelljet që qeniet njerëzore kanë shpikur për t’u përpjekur të jenë të lumtura.

Mario Desiati është me origjinë nga Martina Franca. Ka botuar, ndër të tjera: Vita precaria e amore eterno (Mondadori 2006, Einaudi 2023), Ternitti (Mondadori 2011, Einaudi 2023), Il libro dell’amore proibito (Mondadori 2013), Mare di zucchero (Mondadori 2014). Për Einaudi ka botuar Candore (2016 dhe 2021), Spatriati (2021 dhe 2024, Premio Strega 2022), Malbianco (2025 dhe 2026) dhe La notte dell’innocenza. Heysel 1985, memorie di una tragedia (2025).

  • Organizuar nga: Shtëpia botuese Dituria
  • Ne bashkepunim me: Instituti Italian i Kulturës në Tiranë