Instituti Italian i Kulturës ka kënaqësinë të mbështesë koncertin që do të çelë sezonin artistik të Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, “Mbrëmje Operistike galà”, ku protagonistë do të jenë tenori Stefan Pop, kori dhe orkestra e Teatrit, nën drejtimin e M˚ Simone Di Felice.
Simone Di Felice është përgatitës i solistëve pranë Operës së Frankfurtit (Oper Frankfurt), ku u emërua Kapellmeister në sezonin 2017/18. Gjatë veprimtarisë së tij në Frankfurt, ai ka drejtuar një repertor të gjerë dhe të larmishëm, i cili përfshin opera baroke, klasike si dhe pjesë nga repertori i madh italian dhe francez, ndër të cilat: Rodelinda, Giulio Cesare in Egitto, Radamisto, Rinaldo dhe L’incoronazione di Poppea, krahas titujve si Die Zauberflöte (Flauti i Magjepsur), Orlando, Rigoletto, Macbeth, La gazzetta, La gazza ladra dhe Ezio. Ai ka lëvruar gjithashtu edhe repertorin bashkëkohor me operën Satyricon të Madernës.
Veprimtaria e tij ndërkombëtare përfshin bashkëpunime me Opéra National de Paris, Theater Basel, Tiroler Festspiele të Erl-it dhe orkestra të rëndësishme si Tonkünstler-Orchester, Württembergisches Kammerorchester Heilbronn dhe Philharmonie Baden-Baden. Në vitin 2022, në Erl, drejtoi operën Bianca e Falliero të Rossini-t, duke korrur një sukses të jashtëzakonshëm.
Pas studimeve për piano, ai e nisi karrierën si përgatitës i solistëve në Teatrin e Maggio Musicale Fiorentino, për të drejtuar më pas departamentin e përgatitjes vokale të Teatrit Marrucino të Chieti-t nga viti 2005 deri në 2008. Gjatë studimeve për dirigjim orkestre në Karlsruhe, u vlerësua me një bursë studimi nga Shoqata Richard Wagner (Richard-Wagner-Verband). Që prej vitit 2010, është profesor pranë Universitetit të Muzikës dhe Arteve Skenike në Shtutgart (Hochschule für Musik und Darstellende Kunst).