Instituti Italian i Kulturës ka kënaqësinë të mbështesë edicionin e XXI të Albania Dance Meeting-Festival me pjesëmarrjen e kompanisë Motus me shfaqjen “Invidia”, me koreografi të Simona Cieri-t.
Jetojmë në epokën e zilisë. Zili për karrierën, zili për gatimet, zili për fëmijët, zili për ushqimin, zili për pushimet. Ka një zili për çdo gjë.
Në latinisht, invidere do të thotë të shikosh vëngër, të shikosh keq. Në fakt, siç sugjeron edhe etimologjia, zilia nuk është gjë tjetër veçse një ndjenjë smire dhe mllefi që ndjehet ndaj cilësive, pronave dhe të mirave materiale që gëzon dikush tjetër. Problemi kryesor është se zilia na verbon përballë një kuadri më të gjerë.
Nuk është rastësi që te Komeda Hyjnore e Dantes, ziliqarët punojnë nën mantela plumbi, me qepalla të qepura fort me fije plumbi, duke sugjeruar se zilia lind nga, ose të çon te, një formë verbërie.
Edhe pse zilia është një ndjenjë thellësisht e rrënjosur në psikikën njerëzore dhe bashkëshoqëron të gjitha kohërat dhe të gjithë njerëzit, ajo nuk ka qenë kurrë një problem aq i madh sa sot. Me ardhjen e rrjeteve sociale, thotë Ethan Kross, profesor i psikologjisë pranë Universitetit të Miçiganit, i cili studion ndikimin e Facebook-ut në mirëqenien tonë, “zilia ka shkuar në ekstrem”.
Jemi vazhdimisht të bombarduar nga “jeta të modifikuara me photoshop dhe kjo ka mbi ne një ndikim që nuk e kemi përjetuar kurrë në historinë e llojit tonë.” Sepse kjo e jona është një epokë në të cilën krahasimi me gjithçka që shfaqet në internet dhe në rrjetet sociale është tepër i lehtë, dhe kjo ushqen zjarrin e zilisë deri në atë pikë sa e shndërron atë në një luftë të vërtetë asgjësimi të objektivit të përzgjedhur.
Zilia, megjithatë, është një e keqe e heshtur që shndërrohet në urrejtje dhe vret të tjerët, por, mbi të gjitha, veten tonë. Është një kancer, një e keqe që përhapet dhe infekton popujt, qeveritë dhe mbarë shoqërinë.
Koncepti dhe Dramaturgjia: Rosanna Cieri
Koreografia: Simona Cieri
Muzika: Autorë të ndryshëm
Balerinë: Martina Agricoli, Ilaria Fratantuono, Roberta Morello, Mattia Solano
Asistenca teknike: Giampaolo Loddo
Organizimi: Micol Viti
Zyra e shtypit: Greta Sartarelli
Regjia: Rosanna dhe Simona Cieri
Produksioni: MOTUS me mbështetjen e Rajonit të Toskanës
INVIDIA | Motus Danza
21.10.2026 ora 19:00
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Tiranë
Hyrja e lirë