Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me COD – Qendrën për Hapje dhe Dialog, ka kënaqësinë të prezantojë ekspozitën e Gaetano Pesce-s: Drawing Life (Vizatimi i Jetës), kuruar nga Maria Cristina Didero dhe Francesca Molteni.
Eventi organizohet në kuadër të Javës së Kulturës Italiane në Shqipëri në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë dhe Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë.
“Vizatimi ndonjëherë vjen përpara, ndonjëherë pas. Sipas mendimit tim, vizatimi është mënyra për të testuar një ide. Dhe unë gjithmonë përpiqem të bëj vizatime edhe si eksperimente…”
Gaetano Pesce
Gaetano Pesce nuk vizatonte kurrë për të shpjeguar veten. Ai vizatonte për të qëndruar pranë asaj që ende nuk ishte përcaktuar – ideve ende në krijim, formave ende të paqarta, pozicioneve ende të padakortësuara.
Gaetano Pesce: Drawing Life (Vizatimi i Jetës) është ekspozita e parë në Shqipëri kushtuar një prej figurave më radikale dhe pakompromis të arkitekturës dhe dizajnit italian dhe ndërkombëtar. E prezantuar pranë COD – Qendra për Hapje dhe Dialog në Tiranë, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës dhe e zhvilluar me studion njujorkeze të artistit, ekspozita bashkon vepra në letër, tok me me një përzgjedhje objektesh dhe maketesh arkitekturore.
Vizatimi këtu nuk është përgatitor, por autonom: një mënyrë pune përpara se sistemet të ndërhyjnë – përpara se funksioni, prodhimi ose pritshmëritë institutcionale të imponojnë logjikën e tyre.
Në vend që të jetë kronologjike, ekspozita është e ndarë në tre seksione: Jeta, Njerëzimi dhe Arkitektura. Tek seksioni Jeta, objektet duken trupore dhe të brishta – llambat ngjajnë me veshje, mobiljet duket sikur marrin frymë. Tek seksioni Njerëzimi, figurat janë të shtrembëruara ose të paplota, duke këmbëngulur tek dizajni si një akt etik që nuk mund të ndahet nga konfliktet dhe pabarazitë e kohës së tij. Tek seksioni Arkitektura, ndërtesat sillen më pak si monumente sesa si organizma: kullat rriten në mënyrë të çrregullt, planimetritë fragmentohen, strukturat refuzojnë simetrinë.
Projekti shoqërohet nga një videoportret i ri bazuar tek pamjet e xhiruara në vitin 2017 gjatë realizimit të SuperDesign. Italian Radical Design 1965-75 nga Maria Cristina Didero dhe Francesca Molteni, gjithashtu i drejtuar nga Molteni. Përmes zërit të vetë Pesce-s, filmi rikthehet tek gjurmët e bindjeve që mbështetën punën e tij: vlerën e papërsosmërisë, nevojën e të mbajturit qëndrim, idenë se çdo formë mbart kuptim dhe përgjegjësi.
Këto vizatime funksionojnë si propozime, provokime dhe, nganjëherë si paralajmërime. Vijat e tij lëkunden, dalin jashtë përvijimit dhe sillen keq. Ato thonë të vërtetën.
Maria Cristina Didero dhe Francesca Molteni
04.06 – 04.07.2026
COD – Qendra për Hapje dhe Dialog
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë, Shqipëri
Orari: nga e hëna në të premte 9:30 – 14:00 / 17:30 – 20:30 dhe e shtunë 17:30 – 20:30
Biografia e Gaetano Pesce-s
I lindur në La Spezia, Itali, në vitin 1939, Gaetano Pesce, një vizionar i pathyeshëm që prej fillimeve të tij, e shndërroi jetën një sfidë të vazhdueshme për gjithçka: artin, dizajnin, funksionalitetin, madje edhe kufizimet e veta. Në punën e tij, papërsosmëria, jo thjesht tolerohej, ajo kremtohej. Përmes eklekticizmit dhe mosrespektimit, Pesce çimentoi statusin e tij si “enfant terrible” i përjetshëm i dizajnit, një titull që e mishëroi me krenari për dekada. Asnjëherë i kënaqur me përsosmërinë e thjeshtë, ai preferonte provokimin. Vazot e tij prej rrëshire, njëkohësisht monumentale dhe rebele, i zbehën vijat ndarëse mes artit dhe kritikës shoqërore, secili syresh i karakterizuar nga prekja e pagabueshme e një dizajneri që besonte se papërsosmëria ishte një formë e përsosmërisë në vetvete.
Ky yll i dizajnit italian, karriera e të cilit zgjati mbi gjashtë dekada, ripërcaktoi atë që do të thoshte të ishe një titan dizajni – nëse me titan nënkuptojmë një novator të palodhur me imagjinatë të pakufishme dhe një kuriozitet pothuajse të patrembur. Nga përfshirja e tij e hershme në lëvizjen e Radical Design deri tek projektet e tij më të fundit monumentale, veprat e tij jo thjesht vendosën standardin; por e shndërruan atë në një objektiv lëvizës për pjesën tjetër të botës së dizajnit.
U nda nga jeta në Nju Jork, SHBA, në vitin 2024.
Gaetano Pesce Estate
Gaetano Pesce Estate u krijua në Nju Jork në vitin 2024 për të nderuar dhe vazhduar punën e Mjeshtrit të Dizajnit, krijuesit të veprave ikonike si kolltuku Up 5&6, kolltuku Feltri dhe divani Sunset në Nju Jork. Arkitekt, artist dhe dizajner, Gaetano Pesce themeloi studion e tij në Nju Jork në vitet 1980. Duke punuar në mënyrë të pavarur për më shumë se dyzet vjet nën drejtimin e tij krijues dhe artistik, studioja mbështeti prodhimin e veprave të artit, ndërsa mbikëqyri gjithashtu projektet e Pesce-s në të gjithë botën. Në më shumë se katër dekada aktiviteti, studioja ka bashkëorganizuar dhe kuruar ekspozita të shumta, ka realizuar disa projekte arkitekturore dhe arti publik, si dhe ka bashkëpunuar me marka kryesore si B&B Italia, Cassina dhe Bottega Veneta. Pas ndarjes nga jeta të Pesce-s, studioja u bë Estate dhe vazhdon të ruajë dhe promovojë trashëgiminë e tij përmes zyrave të saj në Nju Jork dhe Shangai.