Instituti Italian i Kulturës ka kënaqësinë të bashkëpunojë me Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës dhe Politeknikun e Barit për projektin Winter School in Tirana 2025 – “Data Science Applications in Physics” me praninë e Prof. Nicola De Filippis – Departamenti i Fizikës së Politeknikut dhe INFN Bari.
Edicioni i fundit i “Data Science Applications in Physics” synon të mbledhë së bashku studiues shqiptarë dhe të huaj që punojnë aktualisht në disiplina të ndryshme të Fizikës, Matematikës, Shkencave Kompjuterike dhe fushave të ngjashme, duke u fokusuar tek sfidat e Big Data dhe duke përdorur metoda novatore të Machine Learning. Këtë vit, ai do të mbulojë një gamë më të gjerë temash, duke përfshirë rezultatet më të fundit të bashkëpunimit CMS, aplikimet e vizionit kompjuterik, njohjen e modeleve dhe modelimin numerik të fenomeneve të botës reale. Studentët e Fizikës, Matematikës, Shkencave Kompjuterike, Inxhinierisë dhe disiplinave të ngjashme inkurajohen fuqimisht të aplikojnë.
Shkolla përmban leksione dhe ushtrime praktike të përshtatshme për një audiencë më të gjerë, me fokus tek shkenca e të dhënave dhe analiza e tyre.
Do të zhvillohet nga data 27 deri më 30 janar 2025 pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Tiranë.