Instituti Italian i Kulturës ka kënaqësinë të mbështesë Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në prezantimin e AIDA-s, opera me katër akte nga Giuseppe Verdi, e vënë në skenë duke ndjekur regjinë historike të Maestro Franco Zeffirelli-t.
Instituti mbështet pjesëmarrjen e sopranos Maria Teresa Leva – Maria Teresa Leva
Orkestra e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit do të drejtohet nga Maestro Sergio Alapont
Franco Zeffirelli (Firence 1923 – Romë 2019) ka qenë një nga regjisorët më të mëdhenj të operës italiane, si dhe një nga regjisorët më të rëndësishëm të teatrit dhe kinematografisë. I diplomuar pranë Akademisë së Arteve të Bukura në Firence, Franco Zeffirelli ka punuar si asistent i të mëdhenjve Luchino Visconti, Vittorio De Sica dhe Roberto Rossellini. Në fushën e operës, ka qenë autor i produksioneve që janë kthyer në legjenda, me yjet më të mëdhenj operistikë të të gjitha kohërave, në teatrot kryesore të botës, duke filluar nga legjendarja “Traviata” me tronditësen Maria Callas, e deri tek “Lucia di Lammermoor” me Sutherland dhe Aidën, e cila prezantohet sërish në Tiranë, produksione ende të pashlyeshme nga kujtesa e të apasionuarve.
Aida është një opera me 4 akte nga Giuseppe Verdi. Ajo u porosit nga zëvendësi i mbretit të Egjiptit Isma’il Pasha, si një himn për të festuar hapjen e Kanalit të Suezit (1868). Fillimisht Verdi e refuzoi sepse nuk pranonte të kompozonte muzikë për kësij eventesh, por kur iu kërkua të kompozonte një opera për inaugurimin e teatrit të ri të Kajros, pranoi. Opera Aida u vu në skenë për herë të parë në vigjilje të Krishtlindjes 1871 në teatrin e Kajros për të cilin u kompozua, dhe arriti një triumf të vërtetë.
PERSONAZHET
Aida, soprano
Radamès, tenor
Amneris, mezo-soprano
Ramfis, bas
Faraoni, bas
Amonasro, bariton
Një lajmëtar, tenor
AKTI I
Skena e Parë
Në Memfis, në kohën e faraonëve.
Në pallatin mbretëror të Memfisit, kryeprifti Ramfis konsultohet me perënditë për të zgjedhur komandantin e ushtrisë egjiptiane, i cili do të duhet të luftojë kundër pushtuesve etiopianë që kërcënojnë Tebën.
Orakulli tregon Radamès, një luftëtar i ri që është krenar për një nder të tillë, sepse ai do fshehurazi Aidën, një skllave etiopiane dhe dëshiron t’i tregojë asaj vlerën e tij.
Por Radamès-in e do Amneris, vajza e faraonit. Ajo ndjen pasionin e fshehtë të Radamès-it për skllaven dhe, duke u shtirur si shoqja e saj, planifikon hakmarrjen.
Kur Faraoni mbërrin për të njoftuar se Radamès do të udhëheqë ushtrinë egjiptiane, Aida habitet: ajo është e bija e mbretit të Etiopisë, Amonasro, të cilin Radamès-i i saj i dashur do ta vrasë.
Skena e Dytë
Në Tempullin e Vulkanit, mbahet një ceremoni e madhe për të nderuar Radamès.
Kryeprifti Ramfis i jep shpatën e shenjtë dhe e bekon.
AKTI II
Skena e Parë
Në apartamentet e Amneris-it.
Amneris i thotë Aidës se Radamès ka vdekur, për ta shtyrë atë të zbulojë ndjenjat e saj.
Aida dëshpërohet dhe Amneris i zbulon se Radamès është gjallë dhe se edhe ajo është e dashuruar me luftëtarin. Më në fund, Amneris deklaron edhe një herë se hakmarrja e saj do të bjerë mbi Aidën.
Skena e Dytë
Në një portë të qytetit të Tebës.
Radamès po kthehet pasi ka triumfuar me trupat e tij: Amneris e kurorëzon atë fitues.
Ndër të burgosurit e tij është edhe Amonasro, i cili i kërkon Aidës të mos e zbulojë identitetin e tij si Mbret i Etiopisë.
Priftërinjtë sugjerojnë që të mbahen të burgosur vetëm Amonasro dhe të lirohen të tjerët: Faraoni pranon. Më pas, faraoni i jep për martesë vajzën e tij Amneris Radamès-it. Radamès dhe Aida janë të dëshpëruar, por përpiqen të fshehin ndjenjat e tyre.
AKTI III
Në brigjet e Nilit.
Dasma mbretërore po afron dhe Amonasro e bind Aidën të përdorë ndikimin e saj tek Radamès për të zbuluar rrugën për t’u ribashkuar me ushtrinë etiopiane.
Më vonë të dashuruarit takohen dhe ndërsa planifikojnë arratisjen e tyre nga Amneris, Radamès i zbulon asaj se kalimi i Napatës është i pambrojtur. Amonasro del nga vendi i tij i fshehur dhe deklaron se do të përdorë kalimin Napata me ushtrinë e tij. Radamès e kupton që padashur e ka tradhtuar atdheun e vet dhe sulmon me furi Amonasron, por Amneris dhe Kryeprifti mbërrijnë. Amonasro sulmon Amneris, por Radamès e mbron atë. Më pas ai pranon se ua ka zbuluar informacionin e rëndësishëm etiopianëve dhe e lejon veten të arrestohet nga priftërinjtë.
AKTI IV
Skena e Parë
Në pallatin e Faraonit.
Amneris, ende i dashuruar me Radamès, hyn në qeli dhe përpiqet ta bindë atë të heqë dorë nga Aida. Nëse ai e bën këtë, ajo do të kërkojë fraonit t’i falë jetën.
Por ai refuzon dhe duke ripohuar dashurinë e tij për Aidën zgjedh të gjykohet.
Gjykata e Priftërinjve e dënon me vdekje: do të varroset i gjallë.
Skena e Dytë
Në tempullin e Vulkanit.
Nën tempull ndodhet kripta ku Radamès duhet të vdesë. Pasi dalja nga kripta është vulosur, Radamès kupton se Aida është në kriptë, për të vdekur tok me të.
Ndërsa Amneris qan me dëshpërim në Tempull, Aida dhe Radamès presin vdekjen së bashku, duke kënduar në një përqafim të fundit himnin e tyre të fundit për dashurinë.
Maria Teresa Leva – Maria Teresa Leva – Soprano e re, e lindur në Reggio Calabria; u diplomua me rezultate të shkëlqyera pranë Konservatorit “Francesco Cilea” në qytetin e saj të lindjes.
Pasi fitoi konkursin “Ottavio Ziino” në Romë në vitin 2014, ajo tërhoqi vëmendjen e publikut dhe kritikës me debutimin e saj në sezonin 2014/2015 tek Don Giovanni (Donna Elvira) me regji të G. Vick në Teatrot e Qarkut Lirik të Lombardisë. Ky u pasua nga debutime në Teatrin Carlo Felice në rolin e Micaela-s tek Carmen, Mimì-së tek Boheme dhe Magda-s tek Dallandyshja; Anna-s tek Le Villi në Maggio Musicale Fiorentino, Margarita-s/Elena-s tek Mefistofeli në Suntory Hall në Tokio, Madam Butterfly-t pranë Liceut të Barcelonës dhe Teatrit Petruzzelli në Bari, Amelia-s tek Ballo me Maska në Valladolid, për t’u rikthyer në Carlo Felice të Xhenovas me operan Aida, duke debutuar me të njëjtin rol në Festivalin Verdi 2019; Debutimi i saj si Leonora tek Trovatore pranë Teatrit Petruzzelli në Bari ishte gjithashtu një sukses i madh.
Gjatë periudhës së Covid19, debutoi në Sassari si Suor Angelica dhe u kthye në Teatrin Regio të Torinos me Mimì-në e La Boheme, të drejtuar nga Daniel Oren.
Angazhimet e saj të ardhshme do ta shohin si debutuese në Deutsche Oper Berlin, Semperoper Dresden, Festival Verdi, Operan e Hamburgut dhe Palau de Les Arts të Valencias.
06 – 08 – 10 – 12.02.2025 ora 19:00
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit
Biletat në shitje çdo ditë ora: 10:00 – 14:00 / 16:00 – 20:00