Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

aDigital Perspective në Tiranë

aDigital_web

Instituti Italian i Kulturës dhe Galeria GOCAT – Gallery of Contemporary Art Tirana prezantojnë ekspozitën “aDigital Perspective”

Dhjetë artistë nga Italia dhe Ballkani ripërcaktojnë konceptin e artit dixhital.

Një projekt i Instituteve Italiane të Kulturës të Beogradit, Bukureshtit dhe Tiranës, i kuruar nga Spazio Taverna

Instituti Italian i Kulturës në Tiranë prezanton ndalesën e parë të ekspozitës aDigital Perspective, një ekspozitë në të cilën dhjetë artistë italianë dhe ballkanas janë ftuar të reflektojnë dhe ripërcaktojnë marrëdhënien mes arteve pamore dhe kulturës dixhitale.

Pas euforisë së ngjallur nga NFT-të (Non-Fungible Token) dhe Inteligjenca Artificiale, bota imagjinoi një të ardhme ku pikturat dhe skulpturat do të zhdukeshin shpejt, për t’i hapur rrugë një horizonti kryeveprash dixhitale, por gjërat nuk shkuan ashtu. Artistët kanë filluar të ngrenë pikëpyetje rreth kuptimit  të thellë të dixhitalizimit, duke vënë në praktikë, në vend të sigurive optimiste, një qëndrim dyshues dhe reflektues.

aDigital Perspective, një projekt i Instituteve Italiane të Kulturës të Beogradit, Bukureshtit dhe Tiranës, nën kujdesin e Spazio Taverna, paraqitet si një ekspozitë kolektive ku dhjetë artistë – gjashtë italianë dhe katër nga vendet e përfshira – eksplorojnë kundërshtitë dhe mundësitë e teknologjive të reja, duke përdorur teknika tradicionale, qëllimisht jo dixhitale.

Nisma është pjesë e një projekti më të gjerë të diplomacisë kulturore, e cila synon forcimin e lidhjeve mes Italisë dhe vendeve ballkanike, përmes artit bashkëkohor. Ekspozita do të jetë shëtitëse dhe do të çelet në qytetet e Tiranës, Bukureshtit, Beogradit dhe Prishtinës, duke propozuar një reflektim të përbashkët mbi të ardhmen e dixhitales në panoramën artistike.

Krahas ekspozitës është botuar një katalog dygjuhësh, i pasur me intervista me shkrimtarë, filozofë dhe intelektualë të sugjeruar nga artistët, me qëllim eksplorimin e tematikave të nxjerra nga veprat, edhe nga pikëpamja teorike.

“Pritja e veprave të dhjetë artistëve të rinj, nga Italia dhe Ballkani, dhe ndalja tek reflektimet e tyre mbi marrëdhëniet mes artit dhe teknologjive dixhitale, na ndihmon të kuptojmë jo vetëm ndikimin që teknologjitë kanë mbi krijimtarinë, por edhe mbi ndërtimin e identitetit dhe marrëdhënieve tona ndërpersonale. Ekspozita synon të përballë zërat italianë dhe ballkanikë në një debat të ngutshëm dhe të nevojshëm, me qëllim gjetjen e një ekuilibri të duhur mes inovacionit teknik dhe vlerave humaniste të rrënjosura kaq thellë në traditën kulturore italiane”, shprehet drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, Alessandro Ruggera.

Çelja e ekspozitës në Tiranë është pjesë e projektit ITALIA DIGITALE, i promovuar nga Instituti Italian i Kulturës dhe i përfshirë në programin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, të quajtur “Kryeqytetet e Krijimtarisë italiane në botë”, një projekt që synon përmes krijimtarisë dhe inovacionit, prezantimin e gjuhëve dhe rrymave të reja shprehëse, që po transformojnë peizazhin kulturor.

Artistët e përfshirë vijnë nga Shqipëria, Italia, Kosova, Rumania dhe Serbia dhe janë: Sanja Anđelković, Federica Di Pietrantonio, Alessandro Giannì, Laureta Hajrullahu, Ledia Kostandini, Numero Cromatico, Alice Paltrinieri, Ginevra Petrozzi, Jacopo Rinaldi, Mădălina Zaharia.

 19.02 – 31.03.2025

Tirana, GOCAT Gallery

Piramida e Tiranës, Bulevardi Dëshmorët e Kombit

Përurimi: 19.02.2025 ora 18:00

Hapur nga e marta në të dielë: 10:00 – 14:00 / 17:00 – 20:30

  • Organizuar nga: Instituti Italian i Kulturës në Tiranë
  • Ne bashkepunim me: GOCAT - Gallery of Contemporary Art Tirana