Instituti Italian i Kulturës ka kënaqësinë të bashkëpunojë me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë – Qendra e Studimeve të Artit, duke mbështetur pjesëmarrjen e Fabio Naldi dhe Claudio Musso në konferencën ndërkombëtare “Unfolding the city: Art as an agent of transformation”.
Konferenca, e para në Shqipëri për artin në hapësirat publike, do të zhvillohet nga data 11 deri më 12 dhjetor.
Historia moderne e Shqipërisë është e lidhur ngushtë me pesëdhjetë vjet diktaturë komuniste, gjatë së cilës propaganda e partisë rregullonte rreptësisht të gjitha format e shprehjes artistike dhe kulturore. Kjo përfshinte natyrshëm zhvillimin e peizazheve urbane dhe arkitekturore në qytete, si dhe artin publik, i cili shërbeu si një mjet propagande.
Aktualisht shoqëria shqiptare po ripërcakton identitetin e saj teksa po kalon një tranzicion politik dhe ekonomik. Shoqëria është përpjekur të asimilojë të gjitha përparimet dhe ndryshimet e fundit në kohën më të shkurtër të mundshme. Arti është bërë një komponent më domethënës i diskursit teorik mbi evolucionin e qyteteve për shkak të trajektores së tij paralele, me një rrugë që transmeton ideologjinë dominuese politike dhe me tjetrën që ofron një kundër-narrativë.
Konferenca “Unfolding the city: Art as an agent of transformation” synon të intensifikojë këto tema dhe të zgjerojë shtrirjen e marrëdhënies mes artit dhe qytetit në kontekstin shqiptar. Për më tepër, ai kërkon të kuptojë zhvillimin dhe riprodhimin e kësaj marrëdhënieje në kontekste të tjera europiane dhe ballkanike. Në këtë konferencë do të eksplorohet më thellë perceptimi i artit publik dhe aftësia e tij për të stimuluar diskursin. Kjo është e mundur duke nxjerrë në pah aspektet konceptuale, politike dhe sociale të veprave, si dhe përvojën estetike që ato ofrojnë.
Fabiola Naldi është një historiane arti, kritike dhe kuratore. U diplomua në D.A.M.S. me një tezë mbi Fenomenologjinë e Stileve dhe më pas u specializua në Historinë e Artit Bashkëkohor, duke marrë më vonë doktoraturën në Histori Arti Bashkëkohor. Në vitin 2014 fitoi ASN si Profesor i Asociuar. Në vitin 2018, ishte e para në renditjen kombëtare AFAM MIUR për Fenomenologjinë e Artit Bashkëkohor. Që nga viti 2017 është anëtare e bordit drejtues të Institutucionit Bologna Musei. Në vitin 2001 ajo krijoi ArtTV, një program kushtuar Video Artit në kanalin muzikor satelitor MATCH MUSIC. Në vitin 2015 kuroi programin Pomilio Blumm Prize për SKYARTE dhe u emërua përgjegjëse për arkivin e videove të MAMbo – Muzeu i Artit Modern të Bolonjës. Në 2009, 2011 dhe 2013 kuroi Bienalen e Muro Dipinto di Dozza. Nga viti 2012 deri në vitin 2016 punoi si kuratore e Frontier, Linja e stilit, një projekt i veçantë kushtuar Writing-ut dhe Street Art-it ndërkombëtar. Ajo është korrespondente e revistës Flash Art dhe autore e një sërë esesh, botimesh dhe tekstesh kritike.
Claudio Musso është një kritik arti, kurator i pavarur, PhD në Arkeologji dhe Histori Arti. Aktualisht është profesor i Fenomenologjisë së Arteve Bashkëkohore dhe Teorisë së Perceptimit dhe Psikologjisë së Formës pranë Akademisë së Arteve të Bukura G. Carrara në Bergamo, ku mban rolin e koordinatorit të kursit të Pikturës. Ai ka marrë pjesë si komisioner dhe anëtar i jurisë në festivale dhe çmime ndërkombëtare (të tilla si LPM – Live Performers Meeting; roBOt – Digital Paths into Music and Arts; Contest Urban Art) dhe ka qenë i ftuar në panele konventash e konferencash në Itali dhe jashtë saj (mes të cialve Arte e spazio pubblico – Fondazione Scuola dei beni e delle attività culturali, Roma; Arte Urbana no plural – Instituto Politécnico de Leiria, Portogallo; Artscapes – An Interdisciplinary Conference on Art and Urban Scapes – University of Kent, Canterbury, UK). Punon si kolumnist për Artribune, bashkëpunon në redaksinë e NEU Radio për të cilën është autor i programit Die Straßenzeitung. Musso ka kuruar debate të ndryshme kulturore për Festivaletteratura, Johan & Levi, SMDOT. Botimet e tij janë të shumta, por ndër më të fundit përmendim: 141 – Un secolo di disegno in Italia (Corraini Edizioni, 2021 – con M. Pozzati) e Panorama. Approdi e derive del paesaggio in Italia (Danilo Montanari, 2019).