Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me Ambasadën Italiane dhe Bashkinë Tiranë, ka kënaqësinë të paraqesë koncertin SANREMO GIOVANI WORLD TOUR, për të dytin vit në Tiranë dhe për të parën herë në Prishtinë.
Eventi i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe i promovuar në bashkëpunim me RAI, sjell finalistët e Sanremo Giovani 2023, të performojnë në disa nga realitetet më dinamike europiane. Katër kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor – Tirana, Prishtina, Beogradi dhe Sarajeva – do të mirëpresin Martina Beltrami, Maninni, FIAT 131 e Noor në një turne njëjavor: të premten 22 shtator në Tiranë, të dielën 24 shtator në Prishtinë, të mërkurën 27 shtator në Beograd dhe të premten 29 shtator në Sarajevë.
Të ftuar të koncerteve në Tiranë dhe Prishtinë do të jenë edhe dy artistët e njohur shqiptarë MC Kresha dhe Lyrical Son.
Koncertet do të moderohen nga këngëtarja Marsela Çibukaj.
Mes të tashmes dhe së shkuarës, sukseset e pa harruara ndër vite dhe hitet e reja, do të ndërthuren falë performancës së artistëve, të cilët do të sjellin në skenë këngët e tyre krahas versioneve të reja të klasikëve të mëdhenj të muzikës italiane, të pëzgjedhura së bashku me drejtorin artistik të kësaj nisme Maurizio Filardo dhe muzikantët e tij. Një turne që promovon traditën e këngës italiane dhe jep ndihmesë në njohjen gjithnjë e më të madhe të talenteve të rinj të muzikës pop të Vendit tonë, përmes rrjetit të Zyrave diplomatike-konsullore dhe Instituteve Italiane të Kulturës.
E lindur në vitin 2019, kjo nismë përfshinte një turne botëror me shtatë etapa në të pestë kontinentet, ku asnjë biletë nuk mbeti e pashitur. Për shkak të pandemisë, në vitin 2020 projekti mori formën e një videokoncerti, i cili u transmetua në streaming kudo në botë. Në vitin 2021, me rastin e EXPO Dubai, u oragnizua gjithashtu edhe një event i veçantë me një kumbare të jashtëzakonshme: Sanremo Giovani World Tour featuring Noemi.
Artistët:
Martina Beltrami, kantautore e lindur në Rivoli, mori pjesë në spektaklin e talenteve “Amici di Maria de Filippi” në vitin 2020. Me këngën e saj të parë “Luci accese” ajo debutoi në vendin e parë në listën e këngëve të iTunes, duke hyrë në playlist “New Music Friday Italia” dhe “Viral 50 Italia” në Spotify. Artistja është një nga imazhet e fushatës globale të Spotify “Unlike Any Other”, kushtuar artistëve të komunitetit LGBTQIA+. Më 25 mars 2022, për Artist First/Fiero Dischi, u publikua albumi i saj i parë, i titulluar “Cara me”. Në vitin 2022, ishte pjesë e eventit SANREMO GIOVANI WORLD TOUR, ku performoi në Madrid, Bruksel, Beograd dhe Tiranë.
FIAT 131 pseudonim i Alfredo Bruno-s, është emër arti i frymëzuar nga sexy car-i i gjysh Alfredos, e cila ishte edhe dëshmitarja e aventurave të para dhe të panumërta nën notat e paharrueshme të Lucio Dalla-s.
Pas disa koncerteve, mes skenave Indie dhe R’n’B, verën e shkuar FIAT 131 fitoi Deejay On Stage, konkursin e Radio Deejay.
Në tetor publikoi “Per Sentirsi meno soli”, një remake e ikonës “Notte prima degli esami” në bashkëpunim me Piazzabologna dhe zërin e pagabueshëm të Antonello Venditti-t, duke u bërë pjesë e të gjitha playlistave më të rëndësishme editoriale indie të Spotify.
Më pas, mori pjesë në Sanremo Giovani me këngën “Pupille”, duke zënë vend sërish, për të dytën herë radhazi, mes Top 20 të renditjes Airplay të këngëve italiane më shumë të transmetuara në radio.
NOOR, Noor Amelie Mocchi, e quajtur në art Noor, është një këngëtare tetëmbëdhjetëvjeçare, e cila studion kanto dhe piano dhe që prej disa vitesh i është përkushtuar shkrimit të këngëve të saj. Artistja jeton në Urbino. Me baba italian dhe nëne nga Kurdistani, ajo është rritur në 2 botë dhe kultura të ndryshme, të cilat i kanë zhvilluar një harmonizim të rëndësishëm, ku “muzika” është konstantja e vetme. Në vitin 2021, ishte një nga protagonistet e serialit Rai “Tu non sai chi sono io”, në mars 2021 publikoi këngën “Respiro” dhe në maj 2021 këngën “A Quando”. Aktualisht po shkruan albumin e saj të parë.
Artistja është një nga fitueset e Area Sanremo me këngën “Tua Amelie” dhe do të mari pjesë në mbrëmjen finale të “Sanremo Giovani”, e cila do të organizohet në muajin dhjetor.
MANINNI, pseudonim i Alessio Minnni, kultivoi menjëherë dashurinë për kitarën, pianon dhe baterinë, duke hedhur themelet për rrugëtimin e tij si producent, paralel me atë si autor. Kënga e tij “Senza”, zuri vend menjëherë tek playlistat kryesore editoriale të Spotify si dhe tek Top 100 të Earone. Më pas, publikoi “Vestito rosso” dhe “Vaniglia”, me mbështetjen e networkut kombëtar, si Radio Italia, Radio Zeta, Radio 1, Radio 2 dhe Radio 105 Indie. Në dhjetor 2021, nënshkroi me Sony Music Italy dhe publikoi këngën “Bari NY”, e transmetuar nga nga rrjetet më të rëndësishme kombëtare, të ndjekur nga këngët “Irene” dhe “Caffè”, të publikuara përkatësisht në shkurt dhe korrik 2022. Në muajin dhjetor, konkurroi në finalen e Sanremo Giovani me këngën “Mille Porte” dhe këtë vit po përgatitet të publikojë një projekt të ri diskografik, të paraprirë nga dalja në tre në muajin prill e këngës “Dicono”.
DREJTIMI ARTISTIK
Maurizio Filardo, drejtor artistik i Sanremo Giovani World Tour që nga viti 2019, ka punuar si drejtor muzikor i Sanremo Giovani në vitin 2018 dhe drejtor muzikor për pjesën show të Sanremo 2019. Ka qenë gjithashtu drejtor muzikor i “Eurovision Song Contest 2022”. Karriera e tij është e ndarë mes punës si producent, aranzhues dhe kompozitor i kolonave zanore për kinemanë dhe televizionin.
Kreshnik Fazliu i njohur si MC Kresha, është reper dhe kantautor kosovaro-shqiptar. I lindur dhe i rritur në Mitrovicë, Fazliu konsiderohet një artist hip hopi me vlera, në Ballkanin shqipfolës.
Në vitin 2018 dhe 2019, Fazliu ka qenë i ftuar në festivalin e njohur Sunny Hill në Prishtinë. Albumi i katërt bashkëpunues i tij, Muzikë e Alltisë, u publikua në janar 2022. Këngët e përfshira në album dhe që janë “Hotel Mahalla”, “Paret Lejla”, “Rammstein” dhe “Stuhi mbi oqean”, me këngëtaren shqiptare Elvana Gjata, arritën një sukses të madh në Shqipëri.
Festim Arifi, i njohur profesionalisht si Lyrical Son, është reper dhe kantautor kosovaro-shqiptar. I lindur dhe i rritur në Prishtinë, Arifi konsiderohet si një artist hip hopi me vlera, në Ballkanin shqipfolës.
Arifi nisi të bënte rep që në moshë të re, në shkollën e mesme. Më tej, pas Luftës së Kosovës në vitin 1999, vendosi të ndiqte seriozisht karrierën muzikore.
Në korrik 2018, ai mori pjesë në festivalin Sunny Hill, në edicionin e tij debutues në Prishtinë. Në gusht 2019, u kontaktua për të performuar për herë të dytë në Sunny Hill Festival. Në fund të dhjetorit 2021, së bashku me MC Kresha njoftuan përgatitjen për albumit të tyre të katërt së bashku, Muzikë e Alltisë, i cili u publikua më 12 janar 2022.
Marsela Cibukaj, e lindur në Lushnje, në vitet ’90 emigroi bashkë me familjen në Romë (Itali), ku iu dha mundësia të studionte me mjeshtra të muzikës italiane, teknikën e të kënduarit në stile si Rhythm&Blues/Blues, Soul dhe Jazz.
Studioi me mësues të tillë si Fulvio Tomaino, Silvia Cortella, Gabriella Scalise, Giuseppe Vessicchio dhe shumë të tjerë.
Pas më shumë se njëzet vitesh në Itali, ishte muzika ajo që e ktheu në Shqipëri për të marrë pjesë në Talent Show “La Voce dell’Albania” (Top Channel) ku u rendit e dyta. Në vitin 2013 mori pjesë në “La Voce dell’Italia” (RAI 2) dhe me atë rast, realizoi bashkëpunime me artistë dhe këngëtarë të njohur italianë. Pjesëmarrja në program shënon edhe fillimin e daljeve të saj të shpeshta televizive në Itali dhe Shqipëri.
E pranishme në festivale, në ekranin televiziv dhe në radio prej 12 vitesh, ajo është gjithmonë pjesë e skenës live shqiptare.
Marsela Cibukaj konfirmohet si një nga artistet më të vlerësuara nga media dhe publiku shqiptar. Në vjeshtë 2023, do të prezantojë albumin e saj të parë.