Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me shtëpinë botuese Dituria, ka kënaqësinë të prezantojë botimin në shqip të romanit I Malarazza – Racë e Keqe nga Ugo Barbàra, përkthyer nga Ornela Islami.
30.3.2026 ora 17:00
Biblioteka e Institutit Italian të Kulturës në Tiranë
Hyrja e lirë
Prezantimi do të zhvillohet në prani të autorit
I Malarazza ndjek ngjitjen e një familjeje të jashtëzakonshme që përballet me trazirat e Historisë dhe mallkimin që godet ata që nuk mjaftohen me të tashmen e zakonshme.
Castellammare del Golfo, 1860. Ndërsa Garibaldi po përgatitet të zbarkojë në Sicili, Antonio Montaltos i lind një ide: të shesë një pjesë të tokave që përbëjnë pasurinë e familjes së tij – e cila gjithmonë ka prodhuar vaj dhe verë – në këmbim të një anijeje të vogël me vela. Mbarë qytezës i duket si i marrë, por ai nuk luan nga e veta; e ka kuptuar para të tjerëve se po fryjnë erërat e ndryshimit dhe nuk mund të rrijë duarkryq. Ai e di se nëse dëshiron të realizojë ambiciet, duhet të shkëputet nga toka e të parëve dhe të shohë përtej oqeanit. Fillon kështu aventura e Montaltove, të cilët, midis thatësirës përvëluese të Castellammares dhe gjëmimit marramendës të Nju Jorkut, do të përballen me ngjarje të mëdha historike dhe do të krijojnë një perandori të ndërtuar mbi sipërmarrjet vizionare të Antonios, por mbi të gjitha mbi këmbënguljen e bashkëshortes së tij Rozarias, e cila hodhi themelet e një projekti që shkon përtej kohës së tyre: krijimin e një banke amerikane me presidente grua. Rreth tyre dhe gjashtë fëmijëve, janë një mori figurash të paharrueshme, përfshirë Biankën, vajzë e re që, pasi la jetën në Siçili për të ndjekur zonjën Rozaria, rindërton jetën si barnatare në qytetin amerikan. Dhe Nikolën, dashurinë e saj e fshehtë, i cili zbulon se fantazmat mund ta ndjekin edhe përtej detit. Me një zë mjeshtëror, Ugo Barbàra sjell një rrëfim të jashtëzakonshëm, duke skalitur me ritëm të vrullshëm, një histori që gëzon elementët e një romani të madh: personazhe thellësisht njerëzore, dashuri dhe fate për t’u përmbysur.
UGO BARBÀRA është shkrimtar, gazetar dhe skenarist italian. Veprat e tij përfshijnë In terra consacrata (Piemme, 2009), i nominuar për çmimin Strega, Le mani sugli occhi (Piemme, 2011), i nominuar për çmimin Scerbanenco dhe I Malarazza (Rizzoli, 2023).