Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Tirana – LU SANTO JULLARE FRANCESCO nga Dario Fo dhe Franca Rame

Mario Pirovano Tirana

Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me Teatrin Eksperimentak të Tiranës, me mbështetjen e Fondacionit Fo Rame dhe Komitetit Kombëtar për kremtimin e tetëqindvjetorit të vdekjes së San Francesco d’Assisi, ka kënaqësinë të prezantojë monologun LU SANTO JULLARE FRANCESCO nga Dario Fo dhe Franca Rame, të interpretuar nga Mario Pirovano.

Shfaqja organizohet për të përkujtuar njëqindvjetorin e lindjes së Dario Fo dhe Vitin Jubilar Françeskan, me rastin e tetëqindvjetorit të vdekjes së San Francesco d’Assisi.

LU SANTO JULLARE FRANCESCO është një shfaqje teatrale narrative e interpretuar nga një aktor i vetëm, një vepër që mbështetet ekskluzivisht tek aftësia e jashtëzakonshme e një interpretuesi me përvojë të gjerë dhe tek imagjinata e publikut. Është një shfaqje pa rekuizita, pa skenografi dhe me kostume të reduktuara në thelb, ku lidhja midis aktorit dhe publikut bëhet e prekshme dhe e thellë. Para syve tanë vijnë në jetë figura të shumta nga Italia e shekullit të 13-të: papë dhe kardinalë, dukë dhe dukesha, ushtarë në fushën e betejës, tregtarë në tregje dhe vetë San Francesco. Shfaqja rrëfen momente kyçe në jetën e njërit prej shenjtorëve më të famshëm, duke nxjerrë në pah angazhimin, përkushtimin ndaj besimit dhe aftësinë për të sfiduar hipokrizinë. Ajo trajton në mënyrë autentike pyetje themelore rreth besimit dhe parimeve të krishtera, me fuqinë universale të një historie të madhe dhe të përjetshme. Shfaqja është argëtuese, stimuluese dhe nxitëse mendimi. Është një shfaqje unike dhe e gjallë që vë në pikëpyetje dhe kremton humanizmin tonë, e aftë t’i arrijë të gjithë, entuziastë të teatrit apo jo, të arsimuar apo të paarsimuar, të krishterë apo jo të krishterë. Ajo tërheq historianë, teologë, studentë dhe mësues teatri, ata me një interes të veçantë për veprën e Dario Fo-s ose kulturën dhe letërsinë italiane në përgjithësi, si dhe cilindo që shijon një histori të mirë, të krijuar me dashuri dhe të rrëfyer me aftësi, depërtim, gjallëri dhe humor.

Mario Pirovano është një aktor skenik italian, përkthyes dhe interpretues i monologëve të Dario Fo-s.

I lindur në Milano, ai u zhvendos në Angli në moshën 24 vjeç dhe në vitin 1983, gjatë një mbrëmjeje në Riverside Studios në Londër, takoi Dario Fo dhe Franca Rame, të cilët po interpretonin Mistero Buffo. Nga ai takim, lindi një bashkëpunim i qëndrueshëm: Pirovano u bë anëtar i përhershëm i kompanisë së tyre, duke kryer funksione të shumta gjatë viteve: përkthyes, figurë skenike, ndihmës elektricist, punëtor skene, menaxher shpërndarjeje editoriale, menaxher skene dhe ndihmës regjisor. Duke ndjekur Dario Fo dhe Franca Rame në turnetë ndërkombëtare, ai pati mundësinë të mësonte tekstet e shfaqjeve të tyre teatrale nga afër, duke interpretuar përfundimisht në skenë vetëm, pikërisht Mistero Buffo. Duke ndjekur gjurmët e Dario Fo-s, Mario Pirovano vijon traditën e rrëfimtarëve dhe humoristëve të dikurshëm, të cilët mbështeteshin ekskluzivisht tek zëri dhe gjestet për të tërhequr vëmendjen e audiencës. Gjatë viteve, ai ka vënë në skenë disa nga monologët më të famshëm të Dario Fo-s në Itali dhe në mbarë botën. Përveç Mistero Buffo, ai performoi Johan Padan a la Descoverta de le Americhe, Lu Santo Jullare Françesco dhe Il Magnifico Ruzzante. Në vitin 2016, ai bashkëpunoi dhe aktroi me Dario Fo në shfaqjen-leksion-ekspozitë Darwin, l’universo impossibile; pas vdekjes së Mjeshtrit, ai e rivuri në skenë shfaqjen në disa qytete italiane.

https://www.mariopirovano.it/

  • Organizuar nga: Instituti Italian i Kulturës në Tiranë
  • Ne bashkepunim me: Teatri Eksperimental i Tiranës me mbështetjen e Fondacionit Fo Rame dhe Komitetit Kombëtar për kremtimin e tetëqindvjetorit të vdekjes së San Francesco d’Assisi