Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe me Qendrën për Hapje dhe Dialog të Këshillit të Ministrave, organizon një takim në kujtim të gazetarit dhe shkrimtarit Alessandro Leogrande, 5 vjet pas ndarjes së tij të parakohëshme nga jeta, gazetari dhe intelektuali që një pjesë të konsiderueshme të punës dhe reflektimeve të tij, ia ka kushtuar temës së marrëdhënieve bashkëkohore mes Italisë dhe Shqipërisë.
Në ambjentet e bibliotekës së COD, do të zhvillohet një bisedë në të cilën do të marrin pjesë miqtë shqiptarë dhe italianë të Alessandro Leogrande-s: Arlinda Dudaj, botuese shqiptare e librave të tij, e cila do të moderoj takimin, shkrimtarët Ylljet Aliçka dhe Paolo di Paolo, sociologu Domenico Perrotta, si dhe historiani Artan Puto. Në takim do të jetë e pranishme edhe nëna e shkrimtarit, Maria Leogrande, si dhe Luigi De Luca, si përfaqësues i Rajonin të Pulias.
Biseda, në italisht dhe shqip, me përkthim simultan, do të jetë e hapur ndaj prurjeve apo pyetjeve të publikut dhe do të shoqërohet me një ekspozitë fotografish të përgatitur nga Teatri Koreja i Leçes dhe të vendosur në bibliotekë.
Takimi është pjesë e një programi që Instituti Italian i Kulturës ka dashur t’i kushtojë Alessandro Leogrande-s, ku do të përfshihet vënia në skenë, më 2 prill në orën 17.30, e shfaqjes “Alessandro. Një këngë për jetën dhe veprat e Alessandro Leogrande”, bazuar në një përzgjedhje tekstesh nga vetë Leogrande, prodhuar dhe realizuar nga Teatri Koreja i Leçes.
Alessandro Leogrande (Taranto, 20 maj 1977 – Romë, 26 nëntor 2017) ishte një shkrimtar dhe gazetar italian. Ai ka shkruar për gazeta dhe revista, si Internazionale, l’Unità, il manifesto, Panorama, il Riformista, Il Fatto Quotidiano, Una città, Nuovi Argomenti, Gli asini, La terra vista dalla luna, Pagina99, Minima&Moralia. Ka qenë kolumnist për Corriere del Mezzogiorno, redaktor i insertit Fuoribordo për të përjavshmen “Pagina 99”, si dhe ka kryer transmetime për Radio 3 RAI dhe Radio Svizzera Italiana. Për dhjetë vjet ka punuar si zëvendësdrejtor i revistës mujore “Lo straniero” (drejtuar nga Goffredo Fofi)
Alessandro Leogrande e ka shoqëruar gjithmonë punën e tij me kthjelltësi analitike, kompetencë dhe përkushtim “në mbrojtje të të fundmëve dhe të shfrytëzuarve egërsisht në kontekste nga më të ndryshmet: në kontekstin e punësimeve të paligjshme, të emigrantëve, të të zhdukurve në Argjentinë dhe kudo ku janë hasur keqtrajtime”, siç shkruan i ati në një mesazh drejtuar të afërmve dhe miqve, për të njoftuar ndarjen e tij nga jeta. Ndër librat e tij veçojmë Uomini e caporali, kushtuar gjyqit të parë kundër skllavërisë së punëtorëve në fshatrat e Pulias, dhe Il Naufragio mbi tragjedinë e emigracionit shqiptar përballë bregdetit puliez në bordin e Katerit të Rades.
“Alessandro. Një këngë për jetën dhe veprat e Alessandro Leogrande” është historia e jetës, bëmave dhe veprave të një intelektuali të jashtëzakonshëm. Është historia e një të riu që zgjedh të mbajë sytë hapur mbi realitetin që e rrethon, t’i kushtojë jetën e tij dhurimit të dritës ndaj asaj që mbetet e errët dhe e fshehur në vendet më të tmerrshme, të angazhohet për të çmontuar stereotipat dhe frazat e gatshme, me të cilat largojmë nga vetja dramat që përshkojnë të tashmen tonë, për të qenë gjithmonë dhe në çdo rast në anën e “të fundmëve”.
03 prill ora 18:00
COD – Qendra per Hapje dhe Dialog
Hyrja e lirë
(aktivitet me përkthim simultan)