Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Prishtinë “We Wonder” – Fabrizio Bosso kuartet

FabqizioBosso_pristina

Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Prishtinë ka kënaqësinë të prezantojë koncertin e Fabrizio Bosso kuartet, në kuadër të edizionit të 14 të Chopin Piano Fest Prishtinë.

Trombisti Fabrizio Bosso nderon gjeniun muzikor Stevie Wonder me projektin e ri “We Wonder“, regjistruar dhe publikuar nga Warner Music dhe i disponueshëm në CD, vinil dhe digjital.

Energjia dhe vitaliteti që karakterizojnë stilin e pagabueshëm të Stevie Wonder-it, forca shprehëse e baladave të tij më të famshme, së bashku me teknikën dhe lirikën e trombës së Fabrizio Bosso-s, kujdesin në aranzhime dhe personalitetin muzikor të secilit prej muzikantëve të kuartetit, janë të gjithë elementë që e bëjnë këtë koncert unik dhe të papërsëritshëm. Repertori përfshin disa nga këngët më domethënëse të Wonder-it, duke u mbështetur në një repertor shumë të gjerë që përfshin një periudhë nga fundi i viteve gjashtëdhjetë deri në regjistrimin e fundit në vitin 2004: Another Star, Isn’t She Lovely, My Cherie Amour, por edhe Sir Duke dhe Moon Blue janë vetëm disa nga këngët që do të interpretohen live.

Natyrisht që nuk do të mungojë edhe kënga Overjoyed, e publikuar si single në të gjitha platformat digjitale dhe që i paraprin albumit të ri që do të dalë në fund të shtatorit për Warner Music. Kjo nuk ishte një zgjedhje e rastësishme, sepse Overjoyed flet edhe për realizimin e ëndrrave. Është, në fakt, një Fabrizio Bosso “tejet i lumtur” ai që interpreton muzikën e Stevie Wonder-it, idhullit të tij që kur filloi të luante notat e para në trombë, por që gjithashtu me këtë projekt të ri, rinovon edhe zgjedhjen që bëri kur ishte pak a shumë adoleshent: të bëhej muzikant.

Tromba e Fabrizio Bosso-s, pianoja dhe tastiera e Julian Oliver Mazzariello-s, basi dhe kontrabasi i Jacopo Ferrazza-s, së bashku me baterinë e Nicola Angelucci-t, janë protagonistët absolutë të këtij nderimi për muzikën e një prej artistëve më ikonik të muzikës ndërkombëtare.

Fabrizio Bosso e mori trombën e tij të parë në moshën 5-vjeçare, në moshën 15-vjeçare u diplomua në Konservatorin Giuseppe Verdi në Torino dhe më pas ndoqi Kolegjin St. Mary’s në Uashington DC. Në vitin 1999 ai u cilësua si “Greatest New Talent” nga revista italiane Musica Jazz. Regjistrimi i tij i parë, “Fast Flight”, u publikua në vitin 2000. Që atëherë, ka publikuar mbi 25 sesione (në 16 vjet!), duke përfshirë highlight-e të tilla si “Jazz For More” (2002), “Jazz Desire” (2004), “You’ ve Changed” (2007), “Sol” (2008), “Five For Fun” (2008), “Split Kick” (2010), “Purple” (2013), “Duke” (2015), “Spiritual” (2016 ) dhe “Stato dell’arte» (2017). Ka bashkëpunuar me George Russell, Mike Gibbs, Kenny Wheeler, Dave Liebman, Bob Mintzer, Randy Brecker, Carla Bley dhe Steve Coleman dhe është zgjedhur nga Charlie Haden për disa turne promovues të albumit klasik “Liberation Music”.

Në Itali, ku konsiderohet si një ndër muzikantët më të mëdhenj të xhazit të sotëm, Bosso ka punuar me Gianni Basso, Stefano Di Battista, Salvatore Bonafede, Giovanni Mazzarino dhe Enrico Pieranunzi. Ka luajtur në duet me Rossano Sportiello (nderim për Louis Armstrong), në trio me Franco D’Andrea dhe Gianluca Petrella, si dhe ka dirigjuar kuartete dhe kuintete të shumta. Ka regjistruar gjithashtu me kolegun e tij trombist Flavio Boltro.

Fabrizio Bosso luan me një teknikë mbresëlënëse, që i ka rrënjët tek bagazhi i tij klasik, por – në të njëjtën kohë – me një tingull të ngrohtë, një shprehje shumë të artikuluar dhe një sens të shkëlqyer swing-u.

https://www.fabriziobosso.eu/bio

18.05.2024 ora 20:00

Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Kombëtare – Prishtinë

Hyrja e lirë

  • Organizuar nga: Instituti Italian i Kulturës në Tiranë
  • Ne bashkepunim me: Ambasada e Italisë në Prishtinë