Kuruar nga Harabel Contemporary, në bashkëpunim me ABA Lecce, Galeria FAB
31 Janar 2023 – Tiranë
Qendra Harabel në bashkëpunim me Akademinë e Arteve të Bukura të Lecce-s dhe Galerinë FAB, do të prezantojë në datë 31 janar, ora 18:00, ekspozitën e radhës “Piccolo Mare”, një projekt i cili do të zhvillohet me mbështetjen e Ambasadës Italiane dhe Institutit Italian të Kulturës. Kjo ekspozitë mori nismë nga edicioni i XVI i Çmimit Kombëtar të Arteve – Artet Pamore (PNA), një konkurs kombëtar i studentëve të Akademive të Arteve të Bukura organizuar nga Ministria e Universitetit dhe Kërkimit, që u zhvillua në qytetin e Leçes, nga data 18 nëntor deri më 16 dhjetor.
Ekspozita “Piccolo Mare” bën bashkë veprat fituese dhe finaliste të seksioneve të ekspozuara në edicionin e XVI të PNA-së dhe punimet e studentëve të Universitetit të Arteve në Tiranë.
Eventi ka si qëllim të sjellë në vëmendje nevojën e brezit të ri për të krijuar forma të reja tëtë kuptuarit, të bashkëjetesës, ndërveprimit, sidomos pas pandemisë, me shpresën se përmes artit do mund të arrihet një reflektim, duke risjellë në jetë aspektet komunikuese e krijuese për të cilat Europa e re ka nevojë.
Ky projekt konfirmon bashkëpunimin e fortë dhe të natyrshëm mes dy vendeve dhe kulturave të tyre, të bashkuar buzë detit dhe nga aspekte të panumërta historike dhe sociale, dhe synon të rrisë nxitjen e shkëmbimit formues mes artistëve të rinj.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 31 janar deri më 14 shkurt 2023 në galeritë Harabel dhe FAB.
Drejtori i Akademisë së Arteve të Bukura të Lecce-s, Prof. Nunzio Fiore dhe Dekani Nicola Ciracì deklaruan:
“Falënderojmë kuratoren dhe krijuesen e eventit Ajola Xoxa, Rektorin dhe Dekanin e Universitetit të Arteve dhe qytetin e Tiranës që shfaqën dëshirën për të pritur studentët e Akademive Italiane në dy hapësira të shkëlqyera ekspozuese, duke krijuar një shkrirje kulturore me studentë të rinj shqiptarë, në frymën e Tiranës, Kryeqyteti Rinor Evropian për vitin 2022. Jemi krenarë që kemi mbështetjen e Ambasadës dhe Institutit tonë të Kulturës për këtë ekspozitë.
Institucioni ynë po e shikon gjithnjë e më shumë Shqipërinë dhe Ballkanin me më shumë interes dhe po punon si për të marrë pjesë në tenderat Interreg Itali-Shqipëri-Mali i Zi, ashtu edhe për të aktivizuar kurse të “përbashkëta” të diplomave dhe grante kërkimore ndërmjet dy institucioneve.
Disa nga mësuesit dhe studentët tanë do të shkojnë në Shqipëri jo vetëm për të rinovuar marrëdhëniet akademike dhe partneritetin Erasmus, por me synimin për të mbjellë një farë artistike që do të japë fryte konkrete për studentët e të dy vendeve.