Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Paolo Giordano prezanton botimin shqip të romanit Tasmania – FELT

PaoloGiordano_FELT_web

Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri ka kënaqësinë të prezantojë takimin me shkrimtarin Paolo Giordano i cili do të mbyllë Festivalin e Letërsisë Europiane në Tiranë – FELT.

Shkrimtari do të prezantojë botimin shqip të romanit Tazmania botuar nga Botimet Dudaj dhe përkthyer nga Agim Doksani.

Libër fitues i Çmimit Ndërkombëtar të Letërsisë Elba – Raffaello Brignetti 2023 dhe atij André Malraux 2023.
“Nëse do të më duhet të zgjidhja, Tazmania do të ishte zgjedhja ime. Ka rezerva të mira uji të ëmbël, ndodhet në një shtet demokratik dhe s’mban grabitqarët që gjuajnë njerëz në gjirin e vet. Nuk është fort i vogël, por është ishull gjithsesi, pra i lehtë për t’u mbrojtur. Sepse do të na duhet të mbrohemi, më besoni”.

Tazmania është një roman mbi të ardhmen. E ardhmja që dëshirojmë dhe së silës i druhemi, atë që s’do ta kemi, që mund ta ndryshojmë, që po ndërtojmë. Frika dhe befasimi nga humbja e kontrollit janë ndjenja të kohës sonë dhe zëri i ngrohtë i Paolo Giordano-s di ta tregojë si askush tjetër. E gjejmë veten të gjithë në këtë roman kaq të ndjeshëm, të gjallë, bashkëkohor. Sepse çdokush kërkon Tazmaninë e tij: një vend në të cilin, thjesht, është e mundur të shpëtosh veten.

Ka çaste kur gjithçka ndryshon. Ndodh diçka, si një kërcitje gishtërinjsh, dhe lumi ku jemi kredhur kaherë nis të rrjedhë në një tjetër drejtim. E quajnë krizë. Personazhi kryesor i këtij romani është një burrë i ri, i vëmendshëm dhe regëtitës, që mendonte se shkenca do t’i jepte tërë përgjigjet, por e gjen veten para një muri pyetjesh. Me të është Lorenza që di të presë, Novelli që studion formën e reve, Karol që e ka gjetur Zotin që s’po e kërkonte, Curzia e trazuar, Giulio që nuk di si t’i flasë të birit. Kriza për të cilën tregon ky roman nuk është vetëm e një çifti, ndoshta është ajo e një brezi, pa dyshim kriza e botës që njohim – dhe e planetit tonë. Magjia e Tazmania, forca me të cilën na thërret në çdo faqe, është përthyerja natyrale mes asaj që ndodh jashtë dhe brenda nesh. Dhe kështu, deri edhe fantazma e bombës atomike, që personazhi kryesor e studion dhe e rindërton, bëhet një ekzorcizëm: apokalipsi qëndron në këtë përpëlitjen tonë, në lëvizjet e pakontrolluara të zemrës. Duke marrë stafetën e shkrimtarëve shkencëtarë më të shquar të Nëntëqindës Italiane, Paolo Giordano e shtyn veten në territoret më interesante të romanit europian të këtyre viteve, për të mbërritur lumturisht dhe lehtësisht në një vend krejt të tijin, ku mund të luaj kukafshehtas me veten, të bier në ujdi me demonët e brendshëm dhe të mposhtë frikën.

 

Paolo Giordano lindi në Torino në vitin 1982. Me romanin e tij të parë, Vetmia e numrave prim, ai ishte fituesi më i ri i çmimit Strega.

Romanet e tij të mëvonshme janë Il corpo umano, Il nero e l’argento, Divorare il cielo e Tasmania (Premio della Lettura 2022, Prix Malraux). Ka shkruar për kinemanë (Siccità, We Are Who We Are) dhe teatrin. Vitet e fundit i është përkushtuar mbi të gjitha eseve, si kolumnist dhe autor i një prej reflektimeve të para mbi pandeminë, Nel contagio. Ka shkruar disa reportazhe për gazetën Corriere della Sera, më të fundit syresh nga fronti ukrainas, Lindja e Mesme, Gjeorgjia dhe Mesdheu qendror. Giordano ka një doktoraturë në fizikë teorike, gjë që e bën veçanërisht të vëmendshëm ndaj takimit mes shkencës dhe letërsisë. Jeton në Romë.

 

  • Organizuar nga: Instituti Italian i Kulturës dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri