Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë, Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë dhe Bashkinë e Sarandës ka kënaqësinë të prezantojë një shfaqje bashkëkohore të titulluar “Opera e Puccinit. Zërat e grave”, një prodhim i ri nga Artemis Danza.
Eventi do të zhvillohet më 2 Qershor, me rastin e Ditës së Republikës Italiane në zonën arkeologjike të Butrintit, që këtë vit shënon njëqindvjetorin e zbulimit nga Luigi M. Ugolini.
Koreografia, regjia, skena, drita dhe kostumet Monica Casadei
Muzika Giacomo Puccini
Përpunimi muzikor Luca Vianini, Fabio Fiandrini
Produksioni Compagnia Artemis Danza
Bashkëproduksion Fondacioni i Teatrit Komunal Ferrara
Me kontributin e Ministrisë së Kulturës, Rajonit Emilia-Romagna – Departamenti i Kulturës,
Bashkia e Parmës
Kompania Artemis Danza, me këtë krijim të ri nga Monica Casadei, ia kushton projektin e saj artistik, katër heroinave magjepsëse të kompozitorit Giacomo Puccini: Tosca, Madama Butterfly, Mimì dhe Turandot, në njëqindvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Kuptimi i muzikës Pucciniane kalon nga analiza e marrëdhënies së tij të thellë me botën femërore. Një mesazh i qartë madje edhe nga titujt e zgjedhur për veprat e tij më të famshme. Një kaleidoskop personalitetesh të ndryshme, një univers plot aspekte dhe ndjeshmëri. Në katër skenat që përbëjnë Puccini’s Opera, gjejmë leximin personal të Casadeit lidhur me temën femërore, të vendosur në qendër të një procesi riinterpretimi koreografik, vizual dhe muzikor. Dashuria tragjike, dashuria e penguar dhe e kundërshtuar, dashuria mizore që asgjëson, epshi për zotërim që çon në shkatërrim, jeton në fytyrat, trupat e gjestet e artisteve dhe nuk resht së na bëri të reflektojmë mbi aktualitetin e historive që kanë mallëngjyer publikun e mbarë botës. Krijimi përshkohet nga një atmosferë prekëse, plot tension dhe sugjestion poetik. Partitura orkestrale e Puccinit është në kontrast me tingujt elektronikë të kompozitorëve Luca Vianini dhe Fabio Fiandrini, të cilët ravijëzojnë një hapësirë zanore mbështjellëse dhe nganjëherë apokaliptike. Një kërcim koral, i pasur me impulse dhe pasione, instinktiv dhe herë-herë i egër, që e përdor hapësirën si të ishte vorbull dhe që shfaqet i plotë si simbolikisht, ashtu edhe vizualisht: kërcimet solo të futura brenda kornizash grupi, me një dinamikë të përshpejtuar nga forcat shtytëse, bëjnë që drama dhe pasionet e protagonisteve të ndjehen fort, në trup e në deje
06.02.2024 në orën 20:00
Amfiteatri i Butrintit
Hyrja e lirë