Lorenzo Senni është producent, kompozitor dhe artist multidisiplinar me bazë në Milano, i njohur për eksplorimin e tij inovativ të arketipeve dhe mekanizmave të muzikës dance. Puna e tij dekonstrukton dhe abstrakton elementët themelorë të zhanreve të tilla si trance dhe hard techno, duke i dhënë jetë një stili unik, që ai vetë e përcakton si Pointillistic Trance.
Veprimtaria e tij artistike përfshin produksionin muzikor, artin pamor dhe performancën, duke përdorur përsëritjen dhe izolimin si mënyrë për të dekonstruktuar dhe përmbysur peizazhet zanore dhe ikonografitë vizuale të kulturës rave, si dhe bashkëpunime me artistë pamorë si Ed Atkins, John Divola, Anne de Vries dhe Friedrich Kunath, të cilët kanë dhënë ndhmesën e tyre në identitetin vizual të kopertinave të tij.
———-
“Canone Infinito Xtended” është një riinterpretim live i kompozimit të famshëm të Lorenzo Senni-t, i paraqitur në një version të zgjeruar që thellon dhe shumëfishon mundësitë e shfaqura gjatë kërkimeve të tij. Çdo variant është konfiguruar si një episod autonom brenda një rrëfimi koheziv, i ndërtuar mbi një ekuilibër delikat midis strukturës dhe lirisë shprehëse.
E lënë qëllimisht e papërfunduar, vepra i jep vetes transformime të vazhdueshme në kontekstin e performancës live, duke u bërë terren pjellor për eksplorime gjithnjë e më të reja tingujsh.
Vepra është konfiguruar si një përvojë dëgjimi gjithëpërfshirëse dhe si një meta-koment mbi vetë procesin krijues, duke lëvizur mes minimalizmit dhe një forme jashtëzakonisht të zgjeruar të shprehjes, jo rastësisht e përcaktuar si “ Minimalismo sotto steroidi“.
Muzika alternon sekuencat minimaliste me shpërthime të papritura me intensitet dinamik. Motivet me harpë, përsëritëse dhe hipnotike, formojnë bazën mbi të cilën shartohen ndryshimet delikate timbrale dhe dinamike, duke ushqyer një tension të vazhdueshëm. Mungesa e qëllimshme e rezolucionit përforcon idenë e potencialit të pafund, duke reflektuar qasjen muzikore në ndryshim të vazhdueshëm të Senni-t.