Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Kole Laca me “Shkodra Elektronike” në Koncert

“Shkodra Elektronike” është projekti solo i muzikantit dhe prodhuesit shkodran Kole Laca, tastieristi i ‘Il Teatro degli Orrori’, ‘2PIGEONS’ dhe bashkëpunëtor i emrave të rëndësishëm në skenën muzikore italiane si Roy Paci dhe Mezzosangue.

Projekti ‘Shkodra Elektronike’ ka lindur nga vullneti për t’u shtuar ndikimeve tashmë të shumta të stilit muzikor Aheng, zhanrin elektronik, duke e zhvilluar atë dhe duke e sjellë të përdorshëm në ditët e sotme. Repertori i Ahengut përbëhet nga këngë të krijuara në fillim të viteve ‘800 deri tek ato të viteve ’50, ’60 të shekullit të kaluar.

Kemi të bëjmë me një traditë të lindur dhe të zhvilluar duke përfshirë brenda saj tradita dhe ndikime të ndryshme: nga ato turke tek këngët e maleve të Shqipërisë së Veriut; nga ato të Republikës së Venezia-s te tradita cigane. Në “Shkodra Elektronike” këtyre ndikimeve të shumëfishta u shtohet edhe ajo elektronike. Është një operacion që kërkon të sjellë traditën në botën bashkëkohore.

Kole Laca u diplomua në piano klasike në Shqipëri në vitin 1990. Pas diplomimit, u largua nga muzika dhe shkoi për të studiuar Shkenca Politike në Padova.

Vetëm pasi u diplomua vuri re gabimin dhe rifilloi të interpretonte. Në vitin 2000, së bashku me Alen dhe Nenad Sinkauz, themeloi grupin East Rodeo. Vetë-prodhojnë diskun “Kolo” dhe mbajnë koncerte të shumta në Itali dhe jashtë vendit duke marrë pjesë edhe në Arezzo Wave 2004 Psycho Stage.

Në vitin 2008 largohet nga grupi, transferohet në Milano dhe, me Chiara Castello, themelon grupin 2Pigeons. Me EP-në e parë (vetë-prodhuar) ata fitojnë çmimin e parë të programit të Radio2 Rai Demo. Së bashku me La Fabbrica Etichetta Indipendente prodhojnë disqet Land dhe Retronica. Tani për tani grupi ka marrë një pushim për një periudhë të pacaktuar.

Që nga viti 2012 është tastierist i grupit Il Teatro Degli Orrori. Ai ka luajtur me muzikantë të ndryshëm, përfshirë Roy Paci, Jino Touche (kontrabasisti i Paolo Conte) dhe Afterhours.

Ka bashkëpunuar për disa vite me kompaninë teatrore Tam Teatromusica të Padova-s. Me shfaqjen “Anima Blu” fitoi çmimin e parë për muzikë në XIX International Puppet Theatres ‘Festival Meetings 2012 qyteti i Torun (Poloni). Me performancën “Scherzo per tastiera a 4 mani” ai ka marrë pjesë në shumë festivale të videoartit, duke përfshirë InVideo 2005.

  • Organizuar nga: Tulla Culture-Center
  • Ne bashkepunim me: Istituto Italiano di Cultura a Tirana