Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

ITALY MEETS BALKAN l Tiranë 26 – 29 prill

ITALY MEETS BALKAN

Talentet e xhazit italian në Balkan Jazz Showcase

26-29 prill, Tiranë

Një koncert gala, pesë grupe talentesh të rinj italianë, në një nga skenat kulturore më kreative të zonës ballkanike, një përovjë e vetme në llojin e vet: organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, Albanian Jazz Society, Associazione I-Jazz dhe Puglia Sounds.

Giovanni Angelini, Daykoda, Michele Bonifati Emong, Satoyama, Simone Basile Quintet së bashku me Gaetano Partipilo dhe grupin e tij Boom Collective do të jenë protagonistët italianë të Balkan Jazz Showcase, një nga realitetet muzikore më aktive dhe krijuese të zonës ballkanike dhe Europës Jugore, që duke nisur nga ky vit, ka vendosur t’i ofrojë skenën e vet talenteve të xhazit italian, me koncerte, takime dhe masterclass, të planifikuar nga data 26 deri më 29 prill.

Muzika italiane dhe marrëdhëniet kulturore mes këtyre dy rajoneve europiane, do të jenë në qendër të edicionit të parë të Italy meets Balkan i cili përveçse do të mirëpresë saksofonisin e njohur puljez Gaetano Partipilo, do t’i kushtojë një rëndësi të madhe edhe talenteve të rinj, duke nxjerrë në pah më të mirën e xhazit aktual italian. Programi është promovuar, financuar dhe u organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, në kuadër të Balkan Jazz Showcase, në bashkëpunim me Albanian Jazz Society dhe ka zënë fill nga ideja e Alessandro Ruggera, Drejtor i Institutit, dhe Besim Petrela, organizator i festivalit. Koncertet të bashkëprezantuara dhe organizuara me I-Jazz, falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës (grupet e përfshira janë promovuar në kuadër të programit Nuova Generazione Jazz, një projekt pjesë e trevjeçarit Fus), dhe Puglia Sounds, program i Rajonit të Pulias i zbatuar nga Teatro Pubblico Pugliese, për zhvillimin e sistemit muzikor, financuar nga Marrëveshja FSC 2014/2020 për Puljan – Investojmë në të ardhmen tuaj, duke krijuar kështu një urë të rëndësishme mes dy vendeve dhe një projekt unik, rezultat i një dëshire të fortë bashkëpunimi.

Grupet e përzgjedhura tregojnë edhe një herë se, vitet e fundit, dimensioni i xhazit italian përbën një ndër skenat më të mira të muzikës botërore, jo vetëm për standardet e cilësisë, por mbi të gjitha për aftësitë shprehëse dhe krijuese, ndaj dhe konsiderohet ndër kulmet në nivel kontinental. Në këtë kontekst, promovimi dhe përhapja e muzikës më të mirë të grupeve italiane, është shndëruar në objektivin kryesor për rritjen e këtij sektori në botë dhe për rrjedhojë një prioritet për punën e shoqatës, që mund të gjejë, në një panoramë të tillë aktuale, falë edhe bashkëpunimeve pozitive (si në rastin e Italy meets Balkan), mjetet për të promovuar sa më mirë muzikantët e rinj italianë në botë.

Italy Meets Balkan

Programi i detajuar:

26 prill, 20:00

Kisha Ortodokse

Gaetano Partipilo Boom Collective

Gaetano Partipilo (saks, computer programming), Angela Esmeralda (vokal), Mirko Signorile (piano dhe fender rhodes), Giuseppe Bassi (kontrabas), Dario Congedo (bateri)

27 prill, 19:00

Salla Tonin Harapi

Giovanni Angelini Freedom and Rhythm

Giovanni Angelini (bateri dhe kompozicion), Gaetano Partipilo (saksofon), Vince Abbracciante (fender rhodes dhe arranxhim), Alberto Parmegiani (kitarë), Dario Giacovelli (kitarë elektrike bas), Simona Severini (vokal)

28 prill, 19:00
Salla Tonin Harapi

Michele Bonifati Emong

Michele Bonifati (kitarë dhe kompozicion), Evita Polidoro (bateri), Manuel Caliumi (saks), Federico Pierantoni (trombë)

Daykoda

Andrea “Daykoda” Gamba (tastjerë, kitarë), Riccardo Sala (saks), Andrea Dominoni (kitarë bas), Matteo D’Ignazi (bateri)

29 aprile, 19:00
Eurostar Tirana Hotel

Simone Basile Quintet

Simone Basile (kitarë dhe kompozicion), Manuel Caliumi (saks), Ferdinando Romano (kontrabas), Giovanni Paolo Liguori (bateri), Enzo Carniel (piano)

Satoyama

Luca Benedetto (trombë dhe tastjerë), Christian Russano (kitarë dhe elektronikë), Marco Bellafiore (kontrabas dhe elektronikë), Gabriele Luttino (bateri, glockenspiel dhe elektronikë)

Çdo mbrëmje duke filluar nga ora 22.00, pranë Eurostar Tirana Hotel, është planifikuar gjithashtu edhe organizimi i disa “jam session”.

Kanë thënë

“Në origjinën e Italy meets Balkan qëndron dëshira për t’u ofruar muzikantëve të rinj italianë të xhazit, mundësinë për të shpalosur talentin e tyre përpara publikut ballkanik dhe mbi të gjitha, mundësinë për të endur marrëdhënie të reja shkëmbimi e bashkëpunimi artistik me muzikantët e rajonit”.

Alessandro Ruggera, Drejtor i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë

“Edicioni i gjashtë i Italian Jazz Days, sjell katër grupe talentesh të rinj italianë, të përzgjedhur nga një komision ndërkombëtar, si dhe projekte muzikore të realizuar me Puglia Sounds, në një vend dinamik si Shqipëria, ku Italia, jo vetëm artistikisht, synon të luajë një rol kryesor, duke sjellë kulturën e saj dhe markën “Made in Italy” përtej Adriatikut dhe së shpejti në zemër të Ballkanit”.

Corrado Beldì, President i Associazione I-Jazz

“Italia meets Balkan, është një shembull konkret i rëndësisë së krijimit të bashkëpunimeve ndërmjet institucioneve dhe takimeve mes muzikantëve. Po marrim pjesë me entuziazëm sepse besojmë fort në krijimin e rrjeteve dhe në ndërkombëtarizimin e muzikës italiane, objektiva që Puglia Sounds ndjek prej më shumë se dhjetë vitesh. Veç kësaj, ky projekt në mënyrë specifike, i shton vlerat muzikës xhaz, që përfaqëson një nga skenat muzikore puljeze më të vlerësuara dhe njohura në botë”.

Cesare Veronico, koordinator artistik i Puglia Sounds/Medimex

“Besoj se ballafaqimi në një skenë kaq të veçantë dhe gjithmonë në rritje si ajo e Tiranës, paraqet një mundësi shumë stimuluese për muzikantët e rinj italian, të cilët mund të ndajnë trajektoret e tyre me një audiencë të re dhe ndërkohë të kridhen në një kontekst të pozicionuar më së miri në udhëkryqin e rrugëve kulturore të traditës së thellë dhe magjisë. Besoj se ky takim do të jetë plot me çaste befasuese për publikun dhe artistët”.

Enrico Bettinello, kurator i I-Jazz për projektin New Generation Jazz

Protagonistët

GAETANO PARTIPILO BOOM COLLECTIVE

Boom Collective është përzierja e re shpërthyese e xhazit italian. Gaetano Partipilo mbështetet fort tek toka e tij duke sjellë një All-star të vërtetë të markës “Made in Puglia”. Pas vlerësimit të marrë me publikimin e albumit të parë (publikuar nga Auand records në 2019), si dhe koncerteve live në Itali, Kroaci dhe Brazil, Boom Collective rikthehet fuqishëm në skenën ndërkombëtare, me një album të ri të titulluar Leave & Meet, realizuar me pjesëmarrjen e veçantë të vokalistes amerikane Joanna Teters.

Që nga fillimet e vitit 2018, Partipilo’s Boom Collective, ka synuar shkrirjen e stileve dhe tingujve të ndryshëm, duke ruajtur kontakte të vazhdueshme me atë çfarë ndodh në botën muzikore bashkëkohore, gjithmonë përmes filtrit të ndjeshmërisë së muzikantëve të xhazit, të cilët përjetojnë kohën dhe tokën e tyre.

Shfaqja live është një shpërthim i vërtetë tingujsh, i tillë që pushton edhe audiencën më kërkuese.

GIOVANNI ANGELINI FREEDOM AND RYTHM

Freedom Rhythm rrëfen udhëtime, kultura dhe vende të largëta. Brazili, Indonezia, Portugalia, Greqia, Ballkani, çdo kompozim frymëzohet nga një vend, destinacion i udhëtimeve të Giovanni Angelini, si në rrëfimin e episodeve të udhëtimit përmes melodive, ashtu edhe në pikënisjet ritmike dhe melodike të lidhura me kultura të ndryshme. Giovanni Angelini ka krijuar një grup me nëntë muzikantë, me prejardhje të ndryshme, nga xhazi tek muzika klasike, për të pasur një gamë sa më të gjerë ngjyrash në ansamblin e tij. Improvizimi është një nga gurët themelorë të muzikës së Freedom Rhythm, falë aftësisë për ta bërë çdo muzikant të ndjehet i lirë dhe krejtësisht vetvetja brenda grupit. Kjo është liria për të cilën flet projekti, liria e njohjes dhe gjetjes së njëri-tjetrit, ndërsa gjatë rrugëtimit përqafohen kultura dhe vende të ndryshme.

MICHELE BONIFATI EMONG

Emong, kuartet i përbërë nga Evita Polidoro në bateri, Manuel Caliumi në saksofon, Michele Bonifati në kitarë dhe Federico Pierantoni në trombë, është projekti i parë muzikor që sheh Michele Bonifati si drejtues. Emri i projektit rrjedh nga një model i veçantë balone (pasion të cilin Michele kultivon prej vitesh, ndonëse e praktikon në zona të karakterizuara nga mungesa e vazhdueshme e erës), e cila është në gjendje të fluturojë edhe kur fryn pak apo aspak erë. Në fakt, era zëvendësohet, ose më saktë plotësohet nga forca mbi fill e drejtuesit të balonës. Gjestet e tij i transmetojnë asaj drejtimin, nxisin lëvizjen që do ta çojë në trajektore, një fluturim i ngadaltë dhe i kalibruar, i përbërë nga lëvizje valëzuese e rrethore, të ndryshme nga fluturimi në lartësi të mëdha. Një zgjedhje, pra, që i jep vlerë ritmit të ngadaltë, dëshirës për të qenë i afërt dhe i pranishëm, për t’u kredhur në thellësi e jo për t’u larguar, gjithmonë pa hequr dorë nga koka lart, drejtuar nga qielli. Janë këto aspektet të cilave u është dashur t’i jepet më shumë rëndësi përmes titullit të albumit të vitti 2023: “Three knots”.

DAYKODA

Daykoda është emri artistik i zgjedhur nga producenti njëzet e gjashtë vjeçar milanez Andrea Gamba. Qasja e tij eksentrike ndaj muzikës, e përqendruar në eksperimentimin dhe produksionet elektronike, me ndërfutjen e xhazi dhe hip-hop-it abstrakt, kanë bërë që projekti i tij muzikor të mos katalogohet në skenën më mainstream kombëtare. Me kalimin e viteve, Andrea zhvilloi një shije të rafinuar drejt tingujve të albumeve më novatore, si Brainfeeder dhe Ninja Tune, të cilat u bënë pika qendrore e punës së tij, duke e shtyrë në përmirësimin e kompozimeve, si dhe në zotërimin e stilit. Daykoda prodhon muzikë elektronike jokonvencionale, me ngjyra eksperimentimi të nu-jazz, frymëzuar nga tingujt e projekteve muzikorë të tillë si Flying Lotus, Kamaal Williams, Thundercat, si dhe nga krejt skena e xhazit britanik.

SIMONE BASILE QUINTET

“Morning Raga” është një rrjedhë energjie, një dëshirë për t’u rikthyer në bashkëkrijimin dhe bashkëinterpretimin muzikor, me dëshirën për ta përcjellë atë tek gjeneratat e reja. Simone Basile, drejtues i këtij projekti muzikor, synon t’i shtyjë të rinjtë tek zgjimi muzikor, artistik dhe dashuror ndaj të resë dhe ndryshimit, në kundërshtim me natyrën statike të periudhës së fundit historike, të shënuar nga pandemia.

Energjia dhe spiritualiteti i raga-ve indiane, janë baza e kësaj vepre të re diskografike. Albumi është i përbërë nga nëntë këngë si “Hamsadhwani”, një raga me nota spikatëse dhe ogurmira apo “Morning Raga” e cila i jep titullin albumit dhe që nuk është gjë tjetër veçse një raga mëngjezore, pajtuese me ditën.

Gjithçka është padyshim e filtruar nga këndvështrimi muzikor i kitaristit puljez, i cili niset nga këto elemente themelore të muzikës orientale për ta zgjeruar dhe përforcuar më tej bagazhin e tij artistik.

SATOYAMA

Kërkimi i thellë i një tingulli dhe i një stili të njohur, e dallon më së miri grupin Satoyama. Që nga viti 2013, ata i janë përkushtuar krijimit të muzikës origjinale thellësisht imagjinative dhe ëndërrimtare. Me kalimin e viteve, kanë fituar garën under 30 të Barolo Jazz Club (2014); marrë pjesë në projektin muzikor “Sonic Genome” të Anthony Braxton; kanë fituar çmimin e parë në Taste of Jazz, organizuar nga Novara Jazz (2016); kanë bashkëpunuar me artisten kineze Lavia Lin, duke çuar modelin e koncerteve live-painting, në Itali, Slloveni dhe Gjermani; si dhe u bënë pjesë e përmbledhjes “Nuova Generazione Jazz: Young Jazz from Italy / 2018” nën kujdesin e A.D.E.I.D.J. (shoqata e etiketave të pavarura të xhazit), I-Jazz dhe Il Jazz Italiano.

Kreditet

Associazione I-Jazz krijuar më 1 shkurt 2008, prej 15 vitesh, organizon dhe përfaqëson festivalet më të njohura dhe më të ndjekura të xhazit italian, nga Veriu në Jug, duke përfshirë edhe ishujt. Ka nisur me 14 festivale, për të mbërritur aktualisht në 82 anëtarë dhe iniciativa të shumta që përfaqësojnë gjithë panoramën kombëtare. I-Jazz punon për të promovuar dhe rritur projektet e xhazit gjatë muajve të vitit, festivalet dhe programet teatrore të lidhura me të; rrethet që bashkojnë qytete dhe teatro të ndryshëm në baza rajonale apo krahinore, si dhe festivale verore të organizuara në vende sugjestionuese dhe prestigjioze. I-Jazz është shndërruar në një pikë referimi për këtë lloj zhanri dhe politike kulturore, e aftë t’i japë më shumë shikueshmëri kombëtare projekteve të ndryshme, ku përfshihen muzikantë dhe operatorë, duke dhënë ndihmesën e vet në realizmin e e një reforme muzikore, të hapur karshi të gjitha përmbajtjeve cilësore.

Puglia Sounds është një projekt i Rajonit të Puljas, i zbatuar nga Teatro Pubblico Pugliese, në mbështetje të operatorëve dhe artistëve puljezë të sektorit të muzikës. Puglia Sounds, e krijuar në vitin 2010, udhëhiqet nga dëshira për të mbështetur idenë se muzika është një sektor produktiv, i cili gjeneron vlerë dhe punësim. Prej mbi 10 vitesh, vepron në strukturimin e sektorit të muzikës, duke e kualifikuar dhe duke i ofruar mundësi rritjeje dhe shikueshmërie, përmes njoftimeve publike, krijimit të partneriteteve, komunikimit dhe aktiviteteve promovuese.

  • Organizuar nga: IIC Tirana
  • Ne bashkepunim me: Albanian Jazz Society, I-Jazz e Puglia Sound