Një grua italiane, Maria Oliverio, e njohur ndryshe si Çiçila, u lind në Kazole, në Silën kalabreze, nga një familje shumë e vobektë. Nga rrugët e fshatit ngjitet në malin e egër, herë i errët e herë bujar si një nënë. Ato rrugë, ato shtigje i merr një vogëlushe kur motra e madhe Tereza, e kthyer për të jetuar në familje, e lë pa shtrat e pa çati. Dhe ato janë shtigjet që Maria merr për të luftuar përkrah Pietros, cub dhe rebel, duke u bërë shpejt gruaja e parë dhe e vetme që i prin një bande kundër egërsisë së ushtrisë mbretërore. Nëse nga njëra anë Tereza thur kundër saj një pëlhurë urrejtjeje të pakuptueshme, nga ana tjetër Pietroja i prin udhën drejt dashurisë pa ia kursyer dhunën me të cilën ndonjëherë meshkujve u pëlqen ta vragojnë trupin e gruas. Çiçila e kalon rininë pyjeve, mëson gramatikën e lirisë, lexon natyrën, mëson të njohë malin, të dallojë të drejtën nga padrejtësia, dhe nuk i trembet syri të përleshet, qoftë kur në lojë janë ndjenjat, qoftë kur në lojë është horizonti shumë më i gjerë i një humanizmi të ri. Fluturimi i çiftit, bashkëpunimi i heshtur i një ujkonje, madhështia e lënduar e një larshi, gjithçka i mëson se gjithnjë mund t’ia nisësh nga e para, për të fituar një të ardhme si grua, si revolucionare, si italiane e një kombi që ende nuk ekziston, por që ndoshta po lind bashkë me të.
“Italiana është një roman ambicioz në tematikë (prek një temë të ndaluar, lindjen e Kombit), në përmbajtje (heroina që vret të motrën), në mënyrë (rebelja, e përulur ndër të përulurit, Kombi i rrëfyer duke zbërthyer retorikat e Risorgimento-s në të cilën ende besojmë fort; sigurisht jo roman borgjez), si edhe në formë. Por ky rezultat do të thotë se letërsisë nuk i intereson, dhe lexuesve (natyrisht) asfare”.
Giuseppe Catozzella lindi në Milano në vitin 1976, ku u diplomua për Filozofi Teorike.
Ai është autor reportazhesh dhe romanesh të përkthyera në të gjithë botën, duke përfshirë bestsellerin ndërkombëtar Non dirmi che hai paura (Premio Strega Giovani 2014, falë të cilit u emërua ambasador i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët), Alveare (2011), Il grande futuro (2016), e E tu splendi (2018), publikuar nga Feltrinelli. Botuar nga Mondadori: Italiana (2021) dhe romani për femijë Il ragazzo contro la guerra. Una storia di Gino Strada (2022).
https://www.giuseppecatozzella.it/
Libri u botua falë kontributit të MAECI.
06.03.2024 ora 18:00
COD – Qendra për Hapje dhe Dialog, Bulevardi Deshmoret dhe Kombit, Tiranë
Hyrja e lirë
Gjuha e aktivitetit: italisht