Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Festivali i Gjuhës Italiane Treccani

Festival Tirana25 1080×1080 (002)

FESTIVALI I GJUHËS ITALIANE TRECCANI MBËRRIN NË TIRANË

EDICIONI I PARË NDËRKOMBËTAR KUSHTUAR PËRGJEGJËSISË

Festivali i Gjuhës Italiane Treccani, i konceptuar dhe i promovuar nga Fondacioni Treccani Cultura, mbërrin për herë të parë jashtë vendit, me një ditë të veçantë të planifikuar më 20 tetor në Tiranë, Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025.

Pas Lecce-s, Roma-s, Cagliari-t dhe Lecco-s, tema e Përgjegjësisë kthehet në plan të parë të diskutimit në Tiranë, në një festival që synon të nxisë shkëmbimin kulturor midis dy brigjeve të Adriatikut dhe të rrisë njohuritë e italishtes jashtë Italisë, në një vend ku gjuha italiane ka rrënjë të thella historike dhe ku italishtja ka qenë një gjuhë prestigjioze për dekada, e përhapur në media, shkolla dhe jetën e përditshme.

Eventi në Shqipëri, i organizuar në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë, Institutin Italian të Kulturës, Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) dhe Universitetin e Tiranës, përmbyll edicionin XXV të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, të promovuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar (MAECI), kushtuar këtë vit temës “Italofonia: gjuhë përtej kufijve“.

Eventi, tërësisht me pjesëmarrje të lirë dhe në partneritet me Rai Cultura dhe Rai Radio 3, kremton gjuhën italiane si një mjet njohje dhe përhapje dijesh. Ai është i hapur ndaj një audience ndërkombëtare për të promovuar takimin midis kulturave dhe për të nxitur dialogun dhe mirëkuptimin e ndërsjellë.

 

Programi

Dita e 20 tetorit do të çelet në mëngjes pranë Universitetit të Tiranës me përshëndetjet institucionale dhe një takim të titulluar “Verbëria ndaj klimës: pse po qendrojmë duakryq në prag të humnerës“. Fabio Deotto, shkrimtar, gazetar dhe Redaktor Shkencor pranë Il Tascabile Treccani, do të eksplorojë gjuhën e krizës klimatike dhe ndërtimin e një ndërgjegjeje të përbashkët mjedisore.

Pasdite, Qendra për Hapje dhe Dialog, do të mirëpresë Michele Cortelazzo, akademik pranë Accademia della Crusca dhe profesor i njohur i Gjuhësisë Italiane në Universitetin e Padovës, me konferencën me titull “Heteroglosia politike: si flasin italisht leader-at e huaj“, dhe Carmen Lasorella, gazetare dhe shkrimtare, me takimin me titull “Privilegji i përgjegjësisë. Gazetaria dhe pushteti“. Takimet, të moderuara nga shkrimtari dhe gazetari shqiptar Enkel Demi, do të hapen me përshëndetjet e Ambasadorit Italian Marco Alberti, Drejtorit të Institutit Italian të Kulturës Alessandro Ruggera dhe një mesazh video nga Massimo Bray, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Enciklopedisë Italiane.

  • Organizuar nga: Instituti Italian i Kulturës në Tiranë
  • Ne bashkepunim me: Fondacioni Treccani Cultura, Ambasada e Italisë në Tiranë, Universiteti i Tiranës, Qendra për Hapje dhe Dialog