Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Me fjalë të tjera – bisedë me Elvira Dones

Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Europe House Albania, ka kënaqësinë të paraqesë takimin e dytë të ciklit Me fjalë të tjera, një seri takimesh dhe bisedash me zërat më interesantë të letërsisë artistike italiane me origjinë shqiptare.

Në takimin e dytë, e ftuar do të jetë shkrimtarja Elvira Dones, e cila do të bashkëbisedojë me Dr. Fabio Rocchi, profesor universitar dhe autor i monografisë kritike Zërat e parë të italofonisë shqiptare.

Elvira Dones ka lindur në Durrës dhe rritur në Tiranë. Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, ajo nisi karrierën gazetareske, duke drejtuar programe informative dhe kulturore në Televizionin Shtetëror Shqiptar. Në vitin 1984 u diplomua për letërsi angleze dhe letërsi shqipe pranë Universitetit shtetëror të Tiranës. Në vitin 1988 u largua nga vendi – në atë kohë ende nën diktaturën komuniste – duke u vendosur në Zvicër.

Në vitin 1997 botoi romanin e saj të parë Dashuri e huaj (i përkthyer një vit më pas në Itali nga Besa Editrice me titullin Senza bagagli). Nga viti 2004 deri në vitin 2015, ka jetuar dhe punuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’u kthyer më pas në Zvicrën Italiane në vitin 2015. Ndër veprat e saj vlen të përmendim Sole Bruciato (Feltrinelli 2001, titulli origjinal Yjet nuk vishen kështu), Bianco giorno offeso (Interlinea 2004, titulli origjinal Ditë e bardhë e fyer), Vergine giurata (Feltrinelli 2007), I mari ovunque (Interlinea 2007, titulli origjinal Më pas Heshtja), Piccola guerra perfetta, Einaudi 2011. Aktualisht, me La nave del Teseo, është në proces botimi, romani i saj i fundit La breve vita di Lukas Santana.

Shkrimtare dygjuhëshe, shqip dhe italisht, ka shkruar edhe disa skenarë kushtuar investigimeve dhe çështjeve sociale, duke realizuar edhe një seri dokumentarësh për RSI – Radio Televizioni Zviceran.

Libra të tjerë të saj në shqip janë romani Kardigan (Tirana 1998), tregimet e përmbledhura tek Lule të gabuara (Tiranë 1999) dhe I love Tom Hanks (2002, ribotuar nga Botime Pegi në 2014).

Me fjalë të tjera, është një seri takimesh që duan t’u mundësojnë lexuesve njohjen më mirë të shkrimtareve dhe shkrimtarëve të larguar nga Shqipëria vite më parë dhe që janë protagonistë të një përvoje intelektuale intensive jashtë vendit.

Forca e një letërsie që shpreh vetveten pikërisht me fjalë të tjera, të ndryshme nga ato të gjuhës amtare, dëshmon në mënyrë shembullore natyrën multikulturore të shoqërisë bashkëkohore dhe vendos në qendër të reflektimit, karakteristikën kryesore të mesazhit letrar: aftësinë e tij për të qenë thellësisht gjithëpërfshirës dhe pjesë përbërëse e imagjinatave nga më të larmishmet.

30 maj ora 18:00

Europe House – Rruga Papa Gjon Pali II, Tiranë

Hyrja falas

Event me përkthim simultan

  • Organizuar nga: IIC Tirana
  • Ne bashkepunim me: Europe House Albania