Instituti Italian i Kulturës ka kënaqësinë të bashkëpunojë me Queer Film Marathon Tirana, tashmë në edicionin e pestë, duke mbështetur programin e përzgjedhur të titulluar Queer Retrospective, kushtuar Pier Paolo Pasolini.
Filmi i parë:
“Comizi d’amore” nga Pier Paolo Pasolini
Me: Alberto Moravia, Antonella Lualdi, Graziella Granata, Susanna Pasolini.
Dokumentar Itali, 1964, kohëzgjatja 90 minuta.
Është një film investigativ, i ndërtuar nga skena dhe intervista të xhiruara në të gjithë Italinë, në mjedise nga më të ndryshmet dhe në të gjitha nivelet shoqërore. Regjisori mori në pyetje qindra njerëz për tema të konsideruara tabu, si kuptimi i seksit, problemi i skandalit, marrëdhënia mes seksit dhe shoqërisë, martesa, nderi seksual, divorci, prostitucioni etj. Qindra përgjigjet u ndërthurën me ndërhyrjet e psikiatrit Cesare Musatti dhe shkrimtarit Alberto Moravia, me synimin për të vlerësuar materialin e mbledhur në intervista.
Queer Film Marathon Tirana, tashmë në edicionin e tij të pestë, është një festival ndërkombëtar kushtuar kinemasë queer, i cili do të prezantojë shfaqje filmash dhe dokumentarë në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Ky aktivitet synon të bashkojë njerëzit përmes artit, duke i dhënë zë historive dhe përvojave të komunitetit LGBTQ+. Përmes një përzgjedhjeje të gjerë filmash artistikë, dokumentarë dhe filmash me metrazh të shkurtër nga regjisorë të ndryshëm, Queer Film Fetsival inkurajon një qasje globale, duke treguar fuqinë e artit për të nxitur ndryshimet shoqërore dhe bashkuar komunitetet. Një nga tiparet dalluese të festivalit janë tryezat e rrumbullakëta me regjisorë, aktorë dhe aktivistë, të cilat shërbejnë si një platformë për t’u thelluar në temat e trajtuara nga filmat, si dhe për të diskutuar sfidat e rëndësishme me të cilat përballet komuniteti queer dhe mbështetësit e tij.
…………………………..
14.10.2024 ora 18:00
Qendra e Artit Agimi – Bulevardi Bajram Curri, Tiranë
Hyrja e lirë