Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

ANNOTAZIONI VIDEO #2 – Andrea Mastrovito me “NYSFERATU – Symphony of a Century”

Instituti Italian i Kulturës ka kënaqësinë të paraqesë takimin e dytë të projektit “Annotazioni Video”, organizuar nga Instituti, me kurator Stefano Romano dhe në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë dhe COD – Center for Openess and Dialogue.

19.10.2023 ora 18:00

COD – Center for Openess and Dialogue.

Hyrja e lirë

Gjuha e aktivitetit: italisht me përkthim simultan

Gjatë mbrëmjes, do të paraqitet puna e Andrea Mestrovito “NYSFERATU – Symphony of a Century”, film i prodhuar nga More Art NY. Projektimi do të ndiqet nga një bisedë me atistin dhe kuratorin Stefano Romano.

Annotazioni Video

Koncepti i shënimit lidhet me mbajtjen shënim, kapjen e një elementi mbi të cilin duam të reflektojmë apo të ruajmë në kujtesë. Ai lidhet me atë që na bën më fort përshtypje, në fluksin  e informacionit mes të cilit gjendemi, pra flet për ne, përcakton vendin tonë lidhur me çfarë kemi përballë. Njëkohësisht mundëson një kohë përpunimi të asaj çfarë shikojmë dhe ashtu si praktika e mbajtjes shënim, mbart në vete një ndalesë kohore, thellim, një zgjedhje që na jep mundësinë të lexojmë realitetin nga një këndvështrim që përndryshe nuk do ta kishim rrokur.

Annotazioni Video është një projekt i Institutit Italian të Kulturës, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, i kuruar nga Stefano Romano, i cili në harkun e tre viteve synon të reflektojë mbi dinamikat e zhvilluara në kërkimet e disa prej protagonistëve të artit bashkëkohor italian e shqiptar, që kanë si fill bashkues videon.

Përshkrim i shkurtër i videos

Andrea Mastrovito, së bashku me një ekip prej 12 asistentësh, mes viteve 2014 dhe 2017, realizoi “NYSFERATU – Symphony of a Century”. Filmi, i prodhuar nga More Art NYC, është realizuar duke ridizenjuar tërësisht, përmes 35.500 sekuencash, “Nosferatu” të F. W. Murnau (1922), një nga veprat më të rëndësishme të kinemasë horror dhe duke përshtatur në film, nga ana tjetër, romanin “Dracula” të Bram Stoker ( 1897). Teknika e përdorur nga artisti është ajo  rotoscoping, e cila bazohet në kopjimin e skenave të xhiruara në jetën reale, për të përftuar një lëvizje fluide, por në të njëjtën kohë një efekt flickering, i cili të sjell në mend filmat e ditëve të para të kinemasë.

Filmi është një udhëtim nëpër kohë dhe hapësirë, përmes historisë së një broker-i financiar në Manhatan, i cili dërgon zotin Hutter, punonjësin e tij, (që gjatë rrjedhës së filmit e ndryshon emrin në Hunter/Hunted/Hitter, për ta bërë përfundimisht Hatter, ose plotësisht i çmendur), për t’i shitur një pronë kontit Orlok (Dracula) i cili jeton në Siri, në veri të Manhatanit sipas hartës gjeografike të treguar në fillim të filmit, ku vendi i Lindjes së Mesme zëvendëson krejtësisht Bronksin. Zakonet dhe traditat e personazheve ndjekin ato të kohës në të cilën zhvillohet filmi origjinal i Murnaut, 1838, por realiteti që i rrethon dhe faktet të cilave u referohen personazhet, i përkasin kohës sonë, dy kohë të ndryshme kryqëzohen në histori. duke krijuar një qark të shkurtër hapësirë-kohë.

Në këtë gjeografi të re hapësiro-kohore të ndërtuar nga artisti, Drakula shndërrohet në outsider, në dikë jashtë nesh, që arratiset nga një vend i sfilitur prej luftërave dhe zisë për bukë, për të cilin të gjithë ne, duhet të ndihemi pjesërisht përgjegjës dhe që kërkon një jetë më të mirë, në një vend (dhe/ose në një kohë) tjetër, duke marrë me vete arkivolin e tij, pasurinë e tij të vetme, një shenjë pralajmëruese e jetëshkurtësisë së ekzistencës sonë.

Për të folur për praninë e tjetrit, Andrea Mastrovito zgjedh vizatimin dhe krijon një histori të njëkohshme në disa vende, e aftë të përmbledhë me majën e lapsit vende, kohëra, zhanre dhe tema, për të mbëritur në një vizion të vetëm, që ai zgjedh të animojë gjatë kohës së rrëfimit kinematografik. Por çfarë mbetet ende në sipërfaqe, vazhdimisht protagoniste, është shenja, e cila në teknikën e rotoskoping, vibron pandalshëm para syve tanë, është një shenjë në lëvizje të vazhdueshme, në transformim të vazhdueshëm, nuk është më siç e kemi kuptuar, thjesht skaji i asaj që po shikojmë, por është në fakt skaji i asaj që po bëhemi dhe tani na takon ne, të kuptojmë se çfarë duam të bëhemi. Përmes metaforës së “përbindëshit”, artisti na vendos vazhdimisht përballë pyetjes se cili është përbindëshi? Është dikush tjetër jashtë meje, apo është pjesa tjetër e imja, që vërtitet në zonat e errëta të identitetit tim të kristalizuar?

Ndërkohë, Statuja e Lirisë qan ndërsa i bën vetes të njëjtën pyetje.

Bio Mastrovito

Andrea Mastrovito i lindur në Bergamo në vitin 1978, jeton dhe punon në Nju Jork. Pasi diplomimit pranë Akademisë G. Carrara në Bergamo në vitin 2001, në vitin 2007 u shpall fitues i New York Prize, çmim i dhënë nga Ministria e Jashtme Italiane; në vitin 2012 i Morozo Prize; në vitin 2016 fitoi çmimin Ermanno Casoli; në vitin 2019 Italian Council; në 2021 Prix Plantagenet dhe Icona; ndërsa në vitin 2022 iu dha çmimi PAC, nga Ministria Italiane e Kulturës.

Veprat  e tij janë ekspozuar në muzetë më të rëndësishëm kombëtarë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë: muzeun MAXXI, MACRO dhe Palazzo delle Esposizioni në Romë; MART në Rovereto; Qendra Pecci në Prato;  Belvedere 21 në Vjenë; MUDAC në Lozanë; MUDAM në Luksemburg; Queers Muzeum dhe Muzeum of Arts and Design në Nju Jork.

Andrea Mastrovito është artisti i parë bashkëkohor të cilit, në vitin 2011, iu kushtua një ekspozitë personale në Museo del Novecento, në Milano.

Ndër ekspozimet muzeale më të fundit mund të përmendim Yo Lo Vi, Proa21 në Buenos Aires (2022); Strange Days, në Qendrën Laznia në Gdansk (2021); Io Non Sono Leggenda, në Museo del Novecento e del Contemporaneo në Palazzo Fabroni në Pistoia (2020); Very Bad Things në Galerinë Kombëtare të Artit Modern në Romë (2019); Le Monde est Une Invention sans Futur, në Fondacionin Bullukian në Lion (2019): Symphonie cines Jahrhunderts në Kunsthalle Dominikanerkirche , mOsnabruck (2018); At the end of the line, alla GAMeC,  Bergamo (2014).

Që prej vitit 2014, ka realizuar një sërë veprash artistike publike, të përhershme, në Itali, Francë, Belgjikë dhe SHBA.

Në vitin 2017, bëri debutimin e tij si regjisor me filmin artistik të animuar NYsferatu – Symphony of a Century, të ndjekur në vitin 2020 nga sekueli I Am Not Legend: të dy filmat u shfaqën pranë institucionesh  të ndryshme kulturore, fondacione, kinema dhe festivale në mbarë botën.

  • Organizuar nga: Instituti Italian i Kulturës në Tiranë
  • Ne bashkepunim me: COD - Center for Openess and Dialogue