Kujtime midis së shkuarës e së tashmes: Pier Luigi Nervi, sfida e arkitekturës
Spektakël teatror dhe multimedial i Compagnia dei Masnadieri, me Regji të Elisa Rocca-s
Pier Luigi Nervi është një ndër krijuesit më të mëdhenj të arkitekturave strukturore në panoramën ndërkombëtare të viteve Nëntëqind. Atij i detyrohemi për disa nga veprat më të bukura të arkitekturës bashkëkohore, fryt i një bashkimi të mrekullueshëm të artit me shkencën e të ndërtuarit. Së bashku me inxhinierë të tjerë, veçanërisht të ndjeshëm ndaj bashkimit midis shpikjes statike dhe hapësinore, Nervi kontribuon në thyerjen e modeleve formale të racionalizmit. Ndërtimet e tij, të bazuara në zgjidhje të guximshme teknike e strukturore, arrijnë rezultate të një elegance të jashtëzakonshme dhe bëhen ikona të një mënyre të re të të bërit arkitekturë, të admiruar në nivel botëror. Nëpërmjet realizimeve të tij, të shpërndara nëpër Itali, Evropë, Amerikë dhe Austriali, arkitektura italiane jeton në ato vite një periudhë lavdie.
Projekti i spektaklit lind në kuadër të Tirana Architecture Week 2018 me bashkëpunimin e trashëgimtarëve të familjes Nervi, të cilët prej vitesh i dedikohen rinovimit të studimit dhe njohjes së jetës e punës së inxhinierit dhe arkitektit italian. Të bësh teatër arkitekturën e Nervi-t dhe format e tij është, para së gjithash, një eksperiment skenik që do t’u bëjë jehonë sfidave me të cilat është përballur ky inxhinier-arkitekt origjinal, interpret i ndritur e largpamës i fazave të zhvillimit të shoqërisë sonë moderne.