Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Tempo su tempo / Kohë Pas Kohe nga Marco Pietracupa

Expo_M.Pietracupa

Një projekt i ri i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë zë fill me ekspozitën Tempo su tempo / Kohë pas kohe nga Marco Pietracupa, një fotograf, vështrimi i të cilit u formua mes nderjeve vizuale të modës dhe sfidave të artit bashkëkohor. Ekspozita, e cila do të mbahet pranë Galerisë së Artit GAT, bashkon imazhe të marra nga Pietracupa gjatë vizitave të bëra në Tiranë, një qytet që i paraqitet objektivit të tij si një palinsest epokash, stilesh dhe kontradiktash.

Fotografitë e ekspozuara nuk janë dokumentime të thjeshta urbane: ato janë interpretime të shtresuara, të ripunuara digjitalisht dhe përgatitura manualisht, duke përdorur teknikat e kolazhit, në të cilat artisti ndërthur arkitekturën e periudhës “italiane”, ndërtesa tradicionale dhe ndërtime bashkëkohore ende në zhvillim. Rezultati që përftohet është një univers vizual çorientues, ku koha përkulet dhe hapësira zbrazet, duke zbuluar një Tiranë pothuajse metafizike, të bërë nga vija të pastra, zbrazëti të heshtura dhe dritare që hapen drejt realiteteve estetike alternative. Është interpretimi poetik i një qyteti në transformim.

Stili i Pietracupa-s lëviz midis rigorozitetit kompozicional dhe lirisë shprehëse. Përvoja e tij në botën e modës reflektohet në një vëmendje të mprehtë ndaj formës dhe detajeve, megjithatë ajo është gjithmonë e shkrirë me një eksplorim vizual që favorizon kontrastin, disonancën dhe të papriturën. Tek Tempo su tempo / Kohë pas kohe, kjo qasje përkthehet në imazhe që nuk kërkojnë përfaqësimin besnik, por më tepër interpretimin poetik të një qyteti në transformim.

Mungesa pothuajse totale e figurave njerëzore – përveç pranive të zbehta, të futura artificialisht – amplifikon ndjesinë e të qenurit pezull dhe distancës. Është e kundërta e përvojës së përditshme të një qyteti të gjallë dhe të mbushur me njerëz, dhe pikërisht për këtë arsye, ajo zbulon një cilësi abstrakte e të fshehur të kryeqytetit shqiptar. Pietracupa na fton të shohim Tiranën jo për mënyrën se si duket, por për mënyrën se si mund të perceptohet në një kohë dhe hapësirë ​​mendore të caktuar.

Tempo su tempo / Kohë Pas Kohe është kapitulli i parë i një rrugëtimi që do të shohë fotografë të tjerë italianë – secili syresh me stilin dhe ndjeshmërinë e vet – të riinterpretojnë qytetin me sy të rinj. Përmes kësaj nisme, Instituti Italian i Kulturës, synon të forcojë dialogun kulturor midis Italisë dhe Shqipërisë, duke ofruar interpretime vizuale që jo vetëm rrëfejnë për Tiranën, por edhe e rikrijojnë, e pyesin dhe e kremtojnë atë.

Marco Pietracupa është një fotograf italian që punon midis Milanos, Parisit dhe Londrës.

Me karrierë profesionale të zhvilluar në Milano në fillim të viteve ‘90, pas ndjekjes së studimeve pranë Institutit Italian të Fotografisë, ai filloi të punonte si fotograf mode për botimet kryesore të sektorit. Me kalimin e viteve, u përqendrua progresivisht në praktikën e tij artistike, e cila vijon të mbështetet tek fotografia, por duke eksploruar gjithashtu fusha të tjera të arteve pamore.

Veprat e tij janë prezantuar, ndër të tjera, në galeritë Marsèlleria, Vice Gallery, Triennale, La Dictateur në Milano, Bissiness Gallery në New York, Brownstone Foundation në Paris, Asni Gallery në Addis Ababa, Stadgalerie në Bressanone, Museo del Cassero në Monte San Savino, Festung Franzesfest në Fortezza, Prisma Gallery në Bolzano dhe DonneConceptGallery në Porto Cervo.

– – –

Marco Pietracupa

Tempo su tempo / Kohë Pas Kohe

Ekspozitë e prodhuar dhe organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë në bashkëpunim me GAT – Galeria e Artit të Tiranës

 rurimi: 17.09.2025 ora 19:00

GAT – Galleria e Artit Tiranë

17.09 – 11.10.2025

E hënë – E diel 10:00  – 18:00

  • Organizuar nga: Instituti Italian i Kulturës në Tiranë
  • Ne bashkepunim me: GAT – Galeria e Artit Tiranë