Në natën e hapjes së edicionit XX të IHRFFA – Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë prezanton filmin Il ragazzo dai pantaloni rosa, të regjisores Margherita Ferri.
Filmi do të shfaqet më 15 shtator në orën 19:00 pranë Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi – Kinostudio.
Do të jetë i pranishëm gjithashtu producenti dhe skenaristi i filmit, Roberto Proia.
PËRMBLEDHJE
Andrea Spezzacatena sapo ka mbushur 15 vjeç kur vendosi t’i japë fund jetës së tij. Në dukje i gëzuar, me nota të shkëlqyera në shkollë dhe lidhje të forta me prindërit, ky akt i tij është krejtësisht i papritur.
E vërteta del në pah vetëm pas vdekjes së tij, kur nëna hyn në profilin Facebook të të birit dhe rindërton ferrin që ai kishte përjetuar: episode bullizmi dhe bullizëm kibernetik mes bankave të shkollës.
Filmi, i rrëfyer nga Andrea që flet nga bota e përtejme, rrëfen rrugëtimin që e bëri të ndihej pa rrugë dalje dhe shërben si një paralajmërim i fuqishëm për rreziqet e fjalëve dhe gjesteve që, në shikim të parë, mund të duken të padëmshme.
ROBERTO PROIA
Roberto Proia është një figurë kyçe në sektorin audiovizual italian: skenarist dhe producent, ai është dalluar prej vitesh për aftësinë e tij për t’u dhënë zë historive që përqendrohen tek identiteti, përfshirja dhe bota e të rinjve. Me filmin Il ragazzo dai pantaloni rosa, të shkruar së bashku me regjisoren Margherita Ferri, sjell në ekranin e madh një histori sa të fuqishme aq edhe të nevojshme, të aftë t’u flasë drejtpërdrejt zemrave të një brezi.
Projektet që mbartin një ndikim të fortë shoqëror, nuk janë të panjohur për Proia-n: kurrikula e tij përfshin suksese të tilla si Sul più bello dhe dy seritë e tij të mëpasme, të cilat kanë ditur të rrëfejnë me delikatesë dashurinë dhe sëmundjen, por edhe Come non detto, një film që ndihmoi në ripërcaktimin e përfaqësimit me autenticitet dhe freski të LGBTQIA+ në kinemanë italiane.