Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Kremtim i Dantedì pranë Institutit Italian të Kulturës në Tiranë

Dantedi_Instagram

martën, më 25 mars, në orën 18:00, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, ka kënaqësinë të presë në bibliotekën e tij një aktivitet të organizuar nga Departamenti i Italishtes së Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, me rastin e kremtimeve për Dantedì, ditën kushtuar Dante Alighieri-t.

Dantedì është një ditë kombëtare, e cila kremtohet në Itali në datën 25 mars të çdo viti, për nder të poetit të madh dhe veprës së tij të pavdekshme, Komedisë Hyjnore. Në këtë kuadër, aktiviteti do t’i ofrojë publikut një sërë kontributesh të veçanta: do të shfaqet një video me protagonist një grup studentësh të Departamentit të Italishtes, të cilët kanë provuar të dramatizojnë Këngën XXXIII të Parajsës. Në video, pjesët në italisht dhe në shqip, këmbehen me njëra-tjetrën, për të theksuar lidhjen e ngushtë kulturore mes Italisë dhe Shqipërisë.

Do të prezantohet gjithashtu, një tjetër video, fryt i një projekti të titulluar “Dante, terzine in tutte le lingue del mondo”, realizuar në bashkëpunim me lektoret MAECI të dhjetë universiteteve ndërkombëtare, në të cilën studentët recitojnë tercninat më të famshme të Komedisë Hyjnore, si në italisht ashtu edhe të përkthyera në gjuhët e vendeve përkatëse.

Takimi do të çelet nga Prof. Mirela Papa, Drejtuese e Departamentit të Italishtes, e cila do të bëjë një analizë të thellë të historisë së përvetësimit dhe përkthimeve të ndryshme të Komedisë Hyjnore në gjuhën shqipe.

Ju ftojmë të merrni pjesë në këtë mbrëmje reflektimi dhe bashkëndarjeje, kushtuar njërit prej poetëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

  • Organizuar nga: Istituto Italiano di Cultura
  • Ne bashkepunim me: Departamenti i Italishtes së Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës