Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

ANNOTAZIONI VIDEO #7 – Lek M. Gjeloshi me “Aphelion”

AV_Gjeloshi_web

Instituti Italian i Kulturës prezanton takimin e shtatë të Annotazioni Video, me artistin shqiptar Lek Gjeloshi, i cili propozon videon “Aphelion”. Aktiviteti organizohet në bashkëpunim me Qendrën e Artit Agimi

19.10.2024 ora 18:00

Qendra e Artit Agimi – Tiranë

Bulevardi Bajram Curri

Hyrja e lirë

Shfaqja e videos do të ndiqet nga një bashkëbisedim mes artistit dhe kuratorit Stefano Romano.

 

Përshkrimi i shkurtër i videos

Koha është një nga ato gjëra që, sipas perceptimit tonë të përbashkët, është ndër më të pakapshmet dhe më të vështirat për t’u kontrolluar. Në varësi të gjendjes sonë shpirtërore, ajo mund të rrjedhë shumë shpejt ose, përkundrazi, shumë ngadalë dhe pak rëndësi ka nëse kontrollojmë akrepat, sepse edhe në atë rast shpejtësia e kohës do të varet nga emocionet që po përjetojmë, të cilat në mënyrë të pashmangshme, do të ndikojnë në rrjedhën e saj, të paktën në  nivel perceptues. Në veprat e Lek M. Gjeloshit, ndjehet kjo zhvendosje e lehtë hapësinore-kohore, përballë së cilës na vendos vepra e tij. Është sikur artisti manipulon paksa rrjedhën e kohës, për të krijuar hapësira të përkohshme, në të cilat mund të perceptojmë këtë humbje aderimi me realitetin.

Untitled #2” (video me një kanal); “Huracán” (video me dy kanale); dhe “In the Visoki Deçani Crucifixion fresco there are no UFOs” (video me 3 kanale), paraqesin tre mënyra të të kuptuarit të hapësirës dhe kohës, për të cilat artisti kërkon të reflektojmë. Hapësira metafizike, sensi i të papriturës dhe misterit, vetë të qenit tonë disi të shkëputur nga ajo që ndodh rreth nesh, janë disa nga temat mbi të cilat Lek M. Gjeloshi punon. Në këto tre vepra, ajo që përjetojmë është një çorientim i vazhdueshëm që ndodh nëpër hapësira dhe kohë që nuk përputhen kurrë në mënyrë të përsosur dhe që për rrjedhojë gjenerojnë një mister të vazhdueshëm. Një mister, siç është për ne qenia jonë në univers, që noton dhe rrotullohet me vrull sipas ligjeve të gravitetit. Ashtu si një planet që lëkundet vazhdimisht mes perihelit dhe afelit, në një udhëtim misterioz galaktik.

 

Bio Lek M. Gjeloshi

Lek M. Gjeloshi (1987, AL) është një artist shqiptar i cili jeton dhe punon në Shkodër, Shqipëri. Aktiviteti i tij multimedial eksploron efektet tjetërsuese të hapësirave në limb.

Veprat e tij janë ekspozuar në disa ekspozita individuale dhe institucionale, mes të cilave Manifesta 14, Villa Romana, École Nationale des Beaux Arts de Lyon, Stacion Center for Contemporary Art Prishtina, Kunsthalle West, Bazament Art Space, Autostrada Biennale, Manifattura Tabacchi, Zeta Gallery, Muzeu i Artit Modern të Moskës, Galeria Kombëtare e Arteve në Shqipëri, Galeria Naan dhe Galeria e Arteve në Shkodër. Pas diplomimit për Arte Pamore pranë Akademisë së Arteve të Bukura në Firence, në vitin 2016, u vlerësua nga Instituti i Artit Bashkëkohor në Tiranë, me çmimin “Ardhje” për artistët e rinj pamor në Shqipëri. Në vitin 2018 ishte artist-in-residence pranë Residency Unlimited në Nju Jork.

 

Annotazioni Video

Koncepti i shënimeve lidhet me mbajtjen shënim, kapjen e një elementi mbi të cilin duam të reflektojmë apo ta ruajmë në kujtesë. Ai ka të bëjë me atë që na bën më fort përshtypje në fluksin  e informacionit mes të cilit gjendemi, pra flet për ne, përcakton vendin tonë lidhur me atë që kemi përballë. Annotazioni Video është një projekt i Institutit Italian të Kulturës, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, i kuruar nga Stefano Romano, i cili në harkun e tre viteve synon të reflektojë mbi dinamikat e zhvilluara në kërkimet e disa prej protagonistëve të artit bashkëkohor italian e shqiptar, që kanë si fill bashkues videon.

Bio Stefano Romano

Stefano Romano, (Napoli, 1975) artist, kurator dhe studiues. Praktika e tij artistike eksploron kontradiktat e thella që qëndrojnë brenda realitetit tonë, shpesh i hulumtuar në lidhje me arkitekturën, kontekstet urbane dhe ato sociale. Hulumtimi përkthehet në veprime të përkohshme, performanca, instalacione, punime video apo fotografike, të ndërtuara sipas një strukture gramatikore të aftë të gjenerojë gjithmonë situata të papritura dhe një strukturë kohore fleksibël. Në vitin 2023, mbrojti doktoraturën për arkitekturë pranë Universitetit të Ferrarës dhe në kuadër të kësaj doktorature, filloi punë si profesor pranë Universitetit Polis në Tiranë, në fakultetin e Artit dhe Dizajnit. Prej më shumë se njëzet vitesh punon në Shqipëri ku ka konceptuar disa projekte si artist dhe kurator. Ka konceptuar projektin 1.60 insurgent space, fokusi i të cilit është hapësira publike, gjithashtu bashkëthemelues i  T.I.C.A. (Instituti i Artit Bashkëkohor Tiranë). Në vitin 2012 ishte bashkëthemelues i DZT (DyZeroTre) dhe platfomës MAPS – Mobile Archive on Public Space. Projekti i tij i fundit është The Mobile School of Visual Arts, një projekt pedagogjik, i bazuar tek ideja e artit si prodhim njohurish dhe pjesëmarrjeje aktive.

Puna e tij është ekspozuar në ekspozita dhe muze kombëtarë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë: Fondazione Pini (Milano, Italia), Collezione Giuseppe Iannaccone (Milano, Italia), Rotor (Graz, Austria), Autostrada Bien-nale (Prizren, Kosovo); BACO arte contemporanea (Bergamo, Italy); Artopia Gallery (Milano, Italia); Ca-reof (Milano, Italia); Placentia Arte (Piacenza, Italia); GAMeC area Palestra, (Bergamo, Italia); Galleria Alice & altri lavori in corso (Roma, Italia); 54° Biennale di Venezia – Padiglione delle Accademie di Belle Arti, Arsenale (Venezia, Italia); Macro Future (Roma Italia); GC.AC (Monfalcone, Gorizia, Italia); Neon campo base (Bologna, Italia); Triennale (Milano, Italia); Chelsea Art Museum (New York, USA); Tirana Bienale3 (Tirana, Albania); Museo d’arte Contemporanea di Villa Croce (Genova, Italia); The Yugoslav Biennial of Young Artist, Centre for Contemporary Arts (Vrsac/Belgrade Serbia e Montenegro); Via Farini (Milano, Italia); Boston Cyberarts Festival, Coolidge Corner Theatre (Boston U.S.A).

 

  • Organizuar nga: Instituti Italian i Kulturës në Tiranë
  • Ne bashkepunim me: Qendra e Artit Agimi