Instituti Italian i Kulturës në Tiranës në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhës Italiane pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, kanë kënaqësinë të prezantojnë Konferencën Ndërkombëtare të Studimeve, me rastin e edicionit XXIV të Javës së Gjuhës Italiane në Botë.
Pjesëmarrës në konferencë prof. Vincenzo Salerno i Departamentit të Studimeve Humanistike, Universiteti i Salernos dhe poeti dhe përkthyesi Julian Zhara.
Giuseppina Turano (Universiteti Ca’ Foscari i Venecias), Prof. Asoc. Mirela Papa (Universiteti i Tiranës), Prof. Asoc. Dr. Renata Martini Kristo (Universiteti i Tiranës), Prof. Brunilda Dashi (Universiteti i Romës “La Sapienza”), Prof. Dr. Irena Lama (Universiteti i Tiranës), Prof. Dr. Angelo Favaro (Universiteti i Romës “Tor Vergata”), Prof. Asoc. Alma Hafizi (Universiteti i Shkodrës), Prof. Asoc. Dr. Dr. Alva Dani (Universiteti i Shkodrës).
Objektivi i konferencës është kërkimi i një reflektimi mbi përkthimin e letërsisë italiane në Shqipëri dhe kumtesat do të synojnë të përvijojnë një hartë përmes analizës së të dhënave që kanë të bëjnë me autorët italianë të përkthyer, titujt e përzgjedhur për përkthim, datat e botimit, shtëpitë botuese, llojin e tekstit dhe recensione përkatëse.
Një fushë e dytë kërkimi do të veshë ngjyrat e një perspektivë teorike, duke u fokusuar tek kompleksiteti i përkthimit letrar. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet analizës krahasuese mes veprave origjinale dhe teksteve të përkthyera, duke u fokusuar tek çështje të tilla si humbja e nuancave gjuhësore dhe kulturore, vështirësia në ruajtjen e stilit të autorit, konotacioneve kulturore, poetikës dhe ritmit, si edhe sfida e përkthimit të dialekteve. Më tej, do të hulumtohen disa aspekte që kanë të bëjnë me ripërkthimin e veprave të ndryshme, duke treguar ndër të tjera interesin e lexuesit shqiptar karshi letërsisë italiane.