Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Games in Italy – Dialog mes Italisë dhe Shqipërisë për industrinë dhe kulturën e gaming

Games In Italy – web

Instituti Italian i Kulturës ka kënaqësinë të bashkëpunojë me IDEA (Shoqata Italiane e Digital Entertainment), TUMO, Bashkinë e Tiranës dhe Albanian Gaming Community për aktivitetin: Dialog mes Italisë dhe Shqipërisë për industrinë dhe kulturën e gaming.

Industria e videolojërave përfaqëson një nga sektorët më dinamikë dhe novatorë të argëtimit dhe kulturës sot. Me rritjen eksponenciale, videolojërat nuk janë më thjesht argëtim, por një formë arti që reflekton dhe formëson shoqëritë tona. Në këtë kontekst, Italia po shfaqet si një qendër krijuese, duke dhënë ndjeshëm ndihmesën e saj në prodhimin e përmbajtjeve me cilësi të lartë dhe origjinale.

Me këtë aktivitet të organizuar në Piramidën e Tiranës, qendra e krijimtarisë dixhitale e kryeqytetit shqiptar, në bashkëpunim me IDEA, TUMO, Bashkinë e Tiranës dhe Albanian Gaming Community, dëshirojmë të kremotjmë jo vetëm talentin e kompanive italiane, por edhe bashkëpunimin e frytshëm me realitetet shqiptare. Kjo sinergji përfaqëson një mundësi unike për të shkëmbyer ide, burime dhe kultura, duke realizuar projekte gjithmonë e më shumë inovative, që të mund të arrijnë tek një audiencë edhe më e gjerë.

Gjatë këtij aktiviteti, tre kompani të njohura: Tiny Bull Studios, Dramatic Iceberg dhe Digital Lighthouse, do të prezantojnë videolojërat e tyre, ku secila syresh mishëron pasionin, kreativitetin dhe profesionalizmin e zhvilluesve italianë. Këto lojëra ofrojnë jo thjesht argëtim, por stimulojnë reflektimin, ndërveprimin dhe mësimin, duke konfirmuar rolin qendror të videolojërave në kulturën bashkëkohore.

Jemi të ngazëllyer që do të tregojmë se si industria e lojërave mund të bashkojë njerëz, kultura dhe histori.

Dita përfshin dy momente: gjatë paradites, një takim mes krijuesve dhe kompanive italiane me komunitetin e zhvilluesve dhe të apasionuarve shqiptarë në bashkëpunim me Albanian Gaming Community.

Pasdite, kompanitë Tiny Bull Studios, Dramatic Iceberg dhe Digital Lighthouse do të prezantojnë krijimet e tyre përpara publikut të gamers-ave, duke u ofruar entuziastëve mundësinë edhe për t’i testuar ato.

IDEA është shoqata e industrisë së videolojërave në Itali.Ajo u themelua në fillim të viteve 2000 me synimin për të përfaqësuar dhe bashkuar sektorin përmes një qasjeje të unifikuar. Aktualisht ka mbi 80 anëtarë, duke përfshirë prodhuesit e konsolave, editorët dhe zhvilluesit e videolojërave, si dhe operatorët e sporteve elektronike, si psh. organizatorët apo ekipet e garave. IDEA është pjesë e një rrjeti shoqatash të industrisë në nivel ndërkombëtar dhe në nivel europian është anëtare e Video Games Europe si dhe e European Game Developers Federation.

Misioni i IDEA-s është të krijojë një mjedis të favorshëm për zhvillimin e sektorit në Itali dhe të rrisë rolin e videolojërave në ekonominë, shoqërinë dhe kulturën e vendit. Për të arritur këto objektiva, Shoqata angazhohet në aktivitete të tilla si publikimi i raporteve të tregut, sondazhet për operatorët e sektorit, bashkëpunimet me institucionet publike dhe promovimi i kulturës së lojërave të fatit nëpërmjet eventeve dhe nismave në zonë. Për më tepër, shoqata është e përkushtuar për të mbështetur biznesin e kompanive, me vëmendje të veçantë ndaj ndërkombëtarizimit, dhe promovon përdorimin e vetëdijshëm të videolojërave, duke ofruar informacion të dobishëm për konsumatorët, në lidhje me sistemin europian të vlerësimit të videolojërave (PEGI) dhe sistemet e kontrollit prindëror.

IIDEA – IIDEA (iideassociation.com)

– – –

Omen Exitio: Hunger nga Tiny Bull Studios

Tiny Bull Studios është një zhvillues i pavarur videolojërash me seli në Torino, themeluar në vitin 2013.

Me një ekip që është rritur nga 2 në afërsisht 50 punonjës gjatë viteve, Tiny Bull Studios sStudioja quhet për aftësinë në krijimin e përvojave inovative në lojëra, duke ndërthurur narrativën me teknologji të përparuara si realiteti virtual. Ndër sukseset e tij renditen: Blind, një thriller në Realitet Virtuall për PC dhe PS4, dhe Omen Exitio: Plague, një aventurë narrative për PC dhe Nintendo Switch e frymëzuar nga veprat e H.P. Lovecraft.

Përveç videolojërave, Tiny Bull Studios bashkëpunon me kompani të sektorëve të ndryshëm, për të zhvilluar projekte interaktive, duke përdorur realitetin e shtuar, atë virtual dhe game thinking. Tiny Bull Studios është tashmë një nga studiot kryesore zhvilluese në Itali, me një prani të fortë si në tregun e videolojërave, ashtu edhe tek projektet me porosi.

Omen Exitio: Hunger është një aventurë narrative e vendosur në Nju Jorkun e vitit 1927, e cila ndërthur horrorin lovecraftian me mekanikat investigative. Loja ndjek një gazetar të trazuar, i ngarkuar të hetojë mbi zhdukjen e një fëmije në rrethana misterioze. Ndërsa eksploron sekretet e qytetit, ai përballet me makthe të mbinatyrshme dhe me të kaluarën e tij të errët.
Lojtari do të duhet të mbledhë të dhëna përmes intervistave dhe vendimeve strategjike që do të ndikojnë në ecurinë e historisë, me një rrëfim plot tension dhe zgjedhje morale, të cilat  do ta vënë atë në provë, në një botë plot frikëra dhe errësirë.

Si vazhdim i Omen Exitio: Plague, Hunger rikrijon atmosferën që i bëri lojtarët të vlerësojnë aq shumë kapitullin e parë, ndërsa ofron mekanika të reja dhe një histori edhe më komplekse. Aventura bazohet në ngjarje historike të vërteta, duke pasuruar përvojën me një përzierje unike horrori dhe  realizmi.

__

Letter Bunny nga Dramatic Iceberg

Dramatic Iceberg është një studio e vogël me ide reformuese në zhvillimin e lojërave, me seli në Torino. Videoloja e tyre e parë Garden In! për Nintendo Switch dhe PC doli në treg në janar 2023 dhe tani po zhvillojnë lojën e tyre të radhës të quajtur Letter Bunny.

Studio synon të krijojë lojëra indie interesante dhe të këndshme, tërhqëse dhe të shëndetshme për konsolat dhe PC.

Ekipi i tyre, i përbërë nga ish studentë me një pasion të fortë për videolojërat, është i specializuar në zhvillimin e projekteve në Unreal Engine 4 dhe Unreal Engine 5 dhe ka punuar në disa bashkëprodhime. Përveç përvojës së tyre, ofrojnë shërbime artistike dhe animacioni, modelim 3D, optimizim dhe shumë më tepër.

Letter Bunny është një lojë komode aventureske për postën.

Nisni një aventurë sikur të ishit Anne, një lepurushe e vogël, e vendosur dhe zemër flori, e ngarkuar për të shpërndarë postën në një ishull të madh. Në fakt, pas stuhisë së fortë që ka goditur ishullin, shumë letra dhe pako kanë humbur.

Duke eksploruar ishullin e Paqësorit, do të zbuloni historinë e banorëve të shumtë, do të mësoni rreth tyre përmes letrave dhe do t’i ndihmoni në vështirësi.

Gjeni mënyra të zgjuara për të mbaruar punë dhe mbi të gjitha zbavituni!

__

Encryption nga Digital Lighthouse

Digital Lighthouse është një Entertainment & Media House aktive në sektorët e prodhimit kinematografik dhe televiziv, trashëgimisë dixhitale, reklamave, si dhe në krijimin e brand activation. Digital Lighthouse Studios është divizioni i brendshëm i specializuar në prodhimin e produkteve audiovizuale, efekteve vizuale dixhitale, rindërtimeve dhe simulimeve virtuale, videolojërave, si dhe aplikacioneve software apo atyre të telefonisë celulare.

Kompania është e vendosur në Itali, në një strukturë moderne të përbërë nga teatro, një park i larmishëm teknologjik dhe teknik, hapësira dhe laboratorë në të cilat operojnë punonjës të specializuara në aktivitetet e produksionit, postproduksionit dhe grafikës kompjuterike. Kompania, pra,  operon në një strukturë të integrimit të përsosur vertikal.

Encryption është një aventurë kinematografike horror në vetën e parë, e cila ndërthur elemente të eksplorimit, zgjidhjes së enigmave dhe mekanikave stealth, e realizuar në Unreal Engine 5.

Loja zhvillohet në Itali, në një nga qytetet më të vjetra në botë – Matera – ku një baba është në kërkim të vajzës së tij të humbur, ndërsa bota rreth tij po digjet për shkak të një katastrofe mjedisore.

07.10.2024

Piramida e  Tiranës – Kubi blu

ora 10:00 – 12:00 Meet the Developers

ora 15:00 – 17:00 Game Showcase

Hyrja e lirë

  • Organizuar nga: Instituti Italian i Kulturës në Tiranë
  • Ne bashkepunim me: IDEA (Shoqata Italiane e Digital Entertainment), TUMO, Bashkia Tiranë dhe Albanian Gaming Community