Instituti Italian i Kulturës ka kënaqësinë të bashkëpunojë me TAW (Tirana Architetture Week) organizuar nga Universiteti Polis në Tiranë, duke mbështetur praninë e studios Parasite 2.0 për konferencën e titulluar Collective Keywords.
Studioja milaneze e arkitekturës Parasite 2.0 – e themeluar në vitin 2010 nga Stefano Colombo, Eugenio Cosentino dhe Luca Marullo – rrëfen historinë e saj përmes leksionit Collective Keywords. Titulli i librit të tyre të fundit botuar për Corraini Edizioni, do të na udhëheqë gjatë konferencës, në eksplorimin e zbatimeve të realizuara, duke treguar disa nga projektet kryesore, por edhe historitë dhe referencat pas tyre. Nëse zakonisht priremi të fshehim procesin, frymëzimet apo marrëdhëniet që qëndrojnë pas çdo vepre të krijuar, në këtë rast Parasite 2.0 hap dyert dhe sirtarët e vet, për ta treguar historinë me transparencë të plotë. Ky proces hapjeje synon të bëjë të kuptueshme botën e disiplinave të dizajnit, jo vetëm për specialistët e sektorit. Gjatë leksionit do të përshkojmë zbatimet e realizuara në thuajse 15 vjet, që prej disa projekteve të para, deri tek përvojat më të fundit.
Parasite 2.0 është një agjenci projektimi dhe kërkimi me qendër në Milano. E themeluar në vitin 2010 nga Stefano Colombo, Eugenio Cosentino dhe Luca Marullo, ajo heton gjendjen e habitateve njerëzore, duke lëvrirë mes arkitekturës, dizajnit dhe skenografisë.
Parasite 2.0 ka zhvilluar projekte në shkallë të ndryshme për institucione kulturore dhe brande, si dhe aktivitete edukative në institute italiane dhe ndërkombëtare. Që prej vitit 2022, themeluesit e saj japin mësim rregullisht pranë Design Academy Eindhoven dhe La Libera Università të Bolzanos.
Parasite 2.0 është fituese e çmimit YAP Young Architects Program MAXXI në vitin 2016.