Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Kosovë ka kënaqësinë të bashkëpunojë në edicionin e tretë të Prizren Fest (Festivali Ndërkombëtar i Teatrit) duke mbështetur pjesëmarrjen e kompanisë Pippo Debono me shfaqjen “La Gioia”.
La gioia
një shfaqje nga Pippo Delbono
kompozimet e luleve Thierry Boutemy
muzika Pippo Delbono, Antoine Bataille, Nicola Toscano dhe autorë të ndryshëm
ndriçimi Orlando Bolognesi, zëri Pietro Tirella, kostumet Elena Giampaoli
Kompania Pippo Delbono
me Dolly Albertin, Gianluca Ballarè, Margherita Clemente, Pippo Delbono, Ilaria Dtante, Simone Goggiano, Mario Intruglio, Nelson Lariccia, Gianni Parenti, Pepe Robledo, Zakria Safi, Grazia Spinella dhe me zërin e Bobò
produksioni Emilia Romagna Teatro Fondazione
bashkëproduksioni Théâtre de Liège, Le Manège Maubeuge – Scène Nationale
Çdo shfaqje mund të jetë një udhëtim, një kryqëzim situatash, gjendjesh, intuitash të ndryshme, të cilat të befasojnë. Shfaqja e çdo mbrëmjeje nuk është më një shfaqje, por një ritual, një pamje dhe një gjest unik që lidh ata që veprojnë me ata që shikojnë, në një frymë të përbashkët. Të bësh një shfaqje për gëzimin do të thotë të kërkosh atë rrethanë unike, do të thotë të kalosh ndjenjat më ekstreme, ankthin, lumturinë, dhimbjen, entuziazmin, të përpiqesh të gjesh, më në fund, në një çast, shpërthimin e këtij gëzimi. Në vend që të fiksohen tek imazhet, tingujt, lëvizjet në skenë, Pippo Delbono dhe aktorët e tjerë përpiqen të bëjnë çdo ditë një hap më tej, drejt këtij ekzaltimi absolut, kësaj intuite të zjarrtë. Ja pra, cirku me kllounët dhe vallet e tij. Ja edhe edhe kujtimi i një shamani që çliron shpirtrat me çmenduri. Pra, këtu ka tango melankolike dhe klithma të mbytura në audiencë. Këtu është një plotësi vegimesh, që pasojnë njëri-tjetrin, formohen, ngatërrohen dhe zhduken në rradhë, qindra varkadh prej letre, çanta me copa me ngjyra për të kompozuar “detin tonë që nuk është në qiell” të lutjes laike nga Erri De Luca, deri në shpërthimin e luleve, krijuar nga Pippo, së bashku me Thierry Boutemy, fleurist norman në Bruksel që punon në mbarë botën.
Kështu, aktorët e Delbonos dalin në skenë njëri pas tjetrit dhe, secili me ndjenjat e veta të ndryshme, e marrin për dore publikun dhe e bëjnë atë një shoqërues udhëtimi, pjesë e një kërkimi të përbashkët të pashtershëm. Historitë personale, maskat, vallet, kllounët, kujtimet janë të gjitha imazhe të pakapshme të njerëzve në kërkim të gëzimit. Kështu, nëse çdo kopje është skena e një udhëtimi, çdo fragment që përbën shfaqjen është një hap i vetëm. Udhëtimi nuk ndalet kurrë, ashtu si vorbulla kaleidoskopike e ndjenjave dhe imazheve. Çdo fjalë ofron një surprizë për ata që vendosin të nisin dhe të ndjekin ritmin e shoqërisë dhe këtij kërkimi të pafund gëzimi.
“Zgjodha ta titulloj shfaqjen time të re La Gioia, një fjalë që më frikëson, e cila ngjall imazhe të familjeve të lumtura, fëmijëve të lumtur, peizazheve të lumtura. Të gjithë të vdekur, të gjithë fallco. Më ka goditur “Vdekja e Ivan Iliçit” e Tolstoit, ku protagonisti, në ditët e fundit të jetës, pajtohet me gjithë ekzistencën e tij, madje edhe me momentet më të trishta e më gri.
Dhe prej këtu erdhi në mendje titulli i mundshëm Vdekja e Gëzuar. Por më pas një mik më tha: “Po kush vjen në teatër për të parë një shfaqje ku përmendet fjala vdekje? Në këto kohë kur njerëzit shkojnë në teatër për t’u çlodhur edhe me vepra impenjuese kulturalisht, por pajtuese.
Sa frikë ka në shqiptimin e fjalës vdekje. Është mirë nëse është një vdekje spektakolare, patetike, por sa frikë ka të pranosh fjalën vdekje me qartësi. Më kujtohet kur në Manila hyra në një vend që ishte tërësisht brenda një landfilli mbeturinash, ku jetonin shumë njerëz. Kishte një erë të padurueshme të ujërave të zeza. Kudo kishte mbeturina, minj, zogj, insekte. Më kujtohen këto gra që lanin rrobat e tyre, vendosnin parfum, grimoheshin dhe qeshin aq shumë mes tyre.
Dhe pastaj më kujtohet shumë vite më parë në Indi, në Varanasi, qyteti ku indianët shkojnë për të vdekur, një grup i madh fëmijësh m’u afruan, duke kërcyer dhe duke qeshur si këlyshë lozonjarë. Këmbët e tyre ishin të mëdha, të deformuara, të fryra si tullumbace. Por fytyrat e tyre, sytë e tyre më përcillnin një ndjenjë të së vërtetës, qartësisë, gjallërisë, gëzimit.
Kam parë dhe përjetuar shumë gjëra në këto vite, shpesh të harruara, por ata sy të gëzuar në landfillin e Manilës dhe në brigjet e Ganges, do t’i mbaj me vete për gjithë jetën.
E mendoj shfaqjen La Gioia si një histori të thjeshtë, thelbësore.
E mendoj gëzimin si diçka që ka të bëjë me daljen nga lufta, nga dhimbja, nga errësira, nga terri.
Mendoj për shkretëtirat, mendoj për burgjet, mendoj për njerëzit që ikin nga ato burgje, mendoj për lulet”.
Pippo Delbono
24.07.2024
Prizren – Kinema Lumbardhi