Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Prishtinë l C’È ANCORA DOMANI nga Paola Cortelesi – Fare Cinema 2024

CeAncoraDomani

Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Prishtinë ka kënaqësinë të prezantojë, si pjesë të veprimtarisë Fare Cinema 2024, filmin kampion në të ardhura:

C’È ANCORA DOMANI nga Paola Cortellesi

Me: Paola Cortellesi, Valerio Mastandrea, Romana Maggiora Vergano, Emanuela Fanelli

Dramë – Italia, 2023 – 118′

Kino Armata – Brigada e Kosovës – Prishtinë

18.06.2024 ora 19:00

Hyrja e lirë

Në italisht me titra në anglisht

Paola Cortellesi debuton si regjisore me një dramedy origjinale bardhë e zi, të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore. Filmi është nderuar me çmime në Nastri d’Argento, ka fituar 17 nominime dhe 6 David di Donatello. Filmi është vlerësuar gjithashtu gjatë Festivalit të Filmit në Romë.

C’è ancora domani, film me regji të Paola Cortellesi-t dhe njëkohësisht vepra e parë e saj, është vendosur në gjysmën e dytë të viteve ‘40 në Romë dhe rrëfen historinë e Delias (Paola Cortellesi), e martuar me Ivanon (Valerio Mastandrea), me të cilin ka tre fëmijë. Gruaja luan ekskluzivisht rolin e bashkëshortes dhe nënës, kaq mjafton për ta përcaktuar atë.

Kryeqyteti është i ndarë në dysh: nga njëra anë ndjehet shtytja pozitive e sjellë nga Çlirimi; kurse nga ana tjetër, mjerimi i lënë pas nga lufta. Ivano është kreu i familjes, por edhe kapoja suprem dhe padroni, i cili punon fort për të çuar ndonjë të ardhur në shtëpi. Ai nuk e humbet kurrë rastin për ta shprehur këtë gjë, ndonjëherë me ton shpërfillës dhe herë të tjera duke vënë në përdorim rripin. I vetmi person për të cilin ka respekt është babai i tij kopuk, i njohur si Sor Ottorino (Giorgio Colangeli), një burrë i moshuar, inatçor dhe shpesh tiran, për të cilin Delia kujdeset sikur të ishte kujdestare. E vetmja që mund t’i sjellë lehtësim gruas është shoqja e vet Marisa (Emanuela Fanelli), me të cilën kalon ndopak çaste lehtësie dhe bisedash intime.

Me ardhjen e pranverës e gjithë familja është e emocionuar për fejesën e vajzës së madhe, Marcellas (Romana Maggiora Vergano). E reja shpreson të martohet me një djalë të mirë nga klasa e mesme, të quajtur Giulio (Francesco Centorame), duke e çliruar kësisoj veten nga barra e rëndë e familjes. Edhe Delia ka të njëjtat shpresa si e bija. Pavarësisht se vetë ka pranuar jetën që i ka rënë për hise, ajo aspiron një rast të mirë martese për të. Megjithatë, kur një letër misterioze mbërrin, një guxim i fortë do të lindë tek gruaja, nënë dhe bashkëshorte, e vendosur për të përmbysur planet e vendosura më parë, për të qenë në gjendje të imagjinojë më në fund një të ardhme më të mirë, jo vetëm për veten.

E nisur në vitin 2018, veprimtaria Fare cinema është java që çdo vit, mes majit dhe qershorit, i kushtohet “artit të shtatë” dhe që përfshin organizimin në të gjithë botën në Ambasada, Konsullata dhe Institute Italiane të Kulturës, një sërë aktivitetesh, me qëllim njohjen nga ana e publikut të huaj, të më të mirës së kinemasë italiane.

 

  • Organizuar nga: Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, Ambasada e Italisë në Kosovë
  • Ne bashkepunim me: Kino Armata