Instituti Italian i Kulturës ka kënaqësinë të prezantojë botimin shqip të romanit “Marianna Sirca” të Grazia Deledda-s, përkthyer nga profesore Klodeta Dibra dhe botuar nga shtëpia botuese Albas.
Grazia Deledda, (Nuoro, 28 shtator 1871 – Romë, 15 gusht 1936), ka qenë një shkrimtare italiane e vlerësuar me Çmimin Nobel për Letërsinë në vitin 1926. Ajo ka shkruar romane dhe tregime të shkurtra me një ngarkesë të thellë etike, në të cilën ka përshkruar dhe rrëfyer të përditshmen e vështirë të bashkatdhetarëve të saj sardë.
Marianna Sirca, pas vdekjes së xhaxhait të saj, një prift të pasur, të cilit i trashëgoi pasurinë, shkon të kalojë disa ditë në fshat, në një shtëpi të vogël ferme që zotëronte në Serra di Nuore, në mes të pyjeve të dendur.
Ishte qershor. Marina, e lodhur nga përkujdesja e gjatë për xhaxhain, i cili vdiq nga një paralizë që zgjati dy vjet, dukej si të kishte dalë nga burgu, ishte kaq e bardhë, e dobët, e mpirë: po të varej prej saj nuk do të kishte lëvizur apo dëgjuar këshillën e mjekut që e urdhëroi të shkonte e të merrte ajër të pastër. Ishte i ati, bari, që gjithmonë kishte qenë një lloj shërbëtori i të vëllait prift, i cili kishte zbritur në Serra enkas për ta marrë, duke e lutur me respekt:
– Mariana, dëgjo ata që të duan. Bindu.
Kështu shërbëtorja e vrazhdë dhe energjike Barbagia, e cili kishte vite e vite në shtëpinë e priftit dhe e kishte parë Marianna të rritej, përgatiti gjërat e saj, i ngarkoi në çantë dhe përsëriti:
– Mariana, dëgjo ata që të duan: bindu.
Dhe Marianna ishte bindur. Ajo ishte bindur gjithmonë, që kur ishte vendosur si zog i vogël në kafaz në shtëpinë e xhaxhait të saj, për të përcjellë gëzimin dhe dritën e fëmijërisë rreth priftit melankolik, në këmbim të trashëgimisë së tij të mundshme.
Romani i botuar nga shtëpia botuese Albas është përkthyer falë kontributit të Ministrisë së Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar.
19.03.2024 ora 18:30
Biblioteka e IIC Tiranë
Hyrja e lirë
Gjuha e aktivitetit: italisht