Në datat 24 – 25 mars 2023, 38 Universitete, 3 Akademi të Arteve të Bukura dhe 4 Konservatore italiane, do të jenë të pranishme në Tiranë.
Aktiviteti Të studiosh në Itali është një nismë e organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë që synon të promovojë sistemin akademik italian në Shqipëri. Në të vërtetë, shumë të rinj shqiptarë e shikojnë Italinë me shumë interes për të filluar ose vazhduar studimet e tyre universitare, një vend që vazhdon të preferohet për afërsinë gjeografike, lidhjet historike, ekonomike, gjuhësore dhe kulturore.
44 institucione akademike italiane – Universitete, Akademi dhe Konservatore – i janë bashkuar nismës dhe do të kenë mundësinë të prezantohen para studentëve shqiptarë duke promovuar ofertën e tyre arsimore dhe duke ilustruar të gjitha mundësitë që ofron çdo universitet.
Nxënësit e shkollave të mesme të kryeqytetit shqiptar janë të ftuar të marrin pjesë, ndërkohë që Instituti Italian i Kulturës do të vërë në dispozicion të nxënësve nga Shkodra, Durrësi, Vlora dhe Korça transportin falas për të marrë pjesë në aktivitet.
Me qëllim lehtësimin e një kontakti direkt me nxënësit e vitit të fundit të gjimnazeve, paraditen e së premtes më 24 mars, delegatët e universiteteve italiane do të vizitojnë disa shkolla të mesme në Tiranë ku do të zhvillojnë aktivitete orientuese. Ndërkohë që pasditen e datës 24 mars do të organizohet një takim mes përfaqësuesve të Universiteteve italiane dhe përfaqësuesve të universiteteve kryesore shqiptare, me qëllim krijimin e kontakteve të reja dhe nxitjen e bashkëpunimeve të ardhshme ndëruniversitare.
Të gjithë ditën e shtunë, më 25 mars, institucionet akademike italiane do t’i dedikohen takimeve të drejtpërdrejta dhe të personalizuara me studentët shqiptarë të interesuar për të studiuar në Itali. Çdo institucion do të ketë një stendë në dispozicion nga ora 9.00 deri në orën 18.00, ku do jepen informacione dhe do të takohen të interesuarit.
Në datë 25 mars, në aktivitetin Të Studiosh në Itali do të jetë i pranishëm edhe personeli i Ambasadës Italiane, që do të japë informacione të dobishme mbi procedurat e regjistrimit dhe pajisjes me vizë studimi. Do të marrin pjesë në aktivitet edhe Zyra Erasmus + Shqipëria si dhe shoqata të ndryshme aktive në orientimin e studentëve shqiptarë në Itali (Ipsia-Acli, Inas Cisl, Inac, etj.)
Programi:
E enjte 23 mars | Mbërritja e delegatëve |
E premte 24 mars 09.00-13.00 18.00-21.00 |
– Vizita në shkolla për aktivitetin e orientimit – Takim me përfaqësuesit e Universiteteve Shqiptare dhe Përgjegjësit e Marrëdhënieve me Jashtë për bashkëpunime ndëruniversitare (Erasmus, HORIZON 2020, ecc.) |
E shtunë 25 mars 09.00-18.00 |
Panairi i Studimeve Salla Illyria – MAK Albania Hotel, Sheshi Italia Hyrja e lirë |