Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Europe House ka kënaqësinë të paraqesë takimin e parë të ciklit Me fjalë të tjera, një seri takimesh dhe bisedash me zërat më interesantë të letërsisë artistike italiane me origjinë shqiptare.
E ftuara e parë do të jetë shkrimtarja Ornela Vorpsi, e cila do të bisedojë me Profesor Diana Kastrati, përkthyese dhe Drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Kulturës Arbëreshe në Tiranë dhe me Dr. Fabio Rocchi, profesor universiteti dhe autor i monografisë kritike Zërat e parë të Italofonisë. shqiptare.
Ornela Vorpsi ka lindur në Tiranë. Ajo studioi për Artet e Bukura në Shqipëri dhe më pas, nga viti 1991, vazhdoi formimin e saj pranë Akademisë në Brera. Në vitin 1997, u shpërngul në Paris, duke përfunduar studimet në Université Paris VIII. Është shkrimtare, fotografe dhe piktore.
Në Itali ka botuar: Il paese dove non si muore mai (Einaudi 2005), Vetri rosa (Nottetempo 2006), La mano che non mordi (Einaudi 2007), Bevete cacao Van Houten! (Einaudi 2010), Fuorimondo (Einaudi 2012), Viaggio intorno alla madre (Nottetempo 2015). Në Francë ka botuar romanin L’été d’Olta (Gallimard 2018). Librat e saj janë përkthyer në tetëmbëdhjetë gjuhë të huaja. Në gjuhën shqipe është përkthyer vepra: “Vendi ku nuk vdiset kurrë” – 2019 botimet Dudaj.
Me fjalë të tjera, është një seri takimesh që duan t’u mundësojnë lexuesve njohjen më mirë të shkrimtareve dhe shkrimtarëve të larguar nga Shqipëria vite më parë dhe që janë protagonistë të një përvoje intelektuale intensive jashtë vendit.
Forca e një letërsie që shpreh vetveten pikërisht me fjalë të tjera, të ndryshme nga ato të gjuhës amtare, dëshmon në mënyrë shembullore natyrën multikulturore të shoqërisë bashkëkohore dhe vendos në qendër të reflektimit, karakteristikën kryesore të mesazhit letrar: aftësinë e tij për të qenë thellësisht gjithëpërfshirës dhe pjesë përbërëse e imagjinatave nga më të larmishmet.
19 prill ora 18:00
Europe House – Rruga Papa Gjon Pali II, Tiranë
Hyrja e lirë
Eventi me përkthim simultan