Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Dita e Kujtesës – Teatër: Se questo è Levi

SeQuestoeLevi_web

Se questo è Levi

performance/reading mbi veprën e Primo Levit

Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Teatrin Metropol të Tiranës ka kënaqësinë të paraqesë shfaqjen Se questo è Levi, nga kompania Fanny & Alexander me rastin e Ditës së Kujtesës.

SE QUESTO È LEVI

Regjisor Luigi De Angelis

Dramaturge Chiara Lagani

Me Andrea Argentieri
Produksion E / Fanny & Alexander
Organizimi Maria Donnoli, Marco Molduzzi
Produksioni E / Fanny & Alexander

Çmimi Special UBU 2019 për Fanny & Alexander për projektin Se questo è Levi dhe Çmimi UBU 2019 për aktorin ose interpretuesin më të mirë nën 35 vjeç për Andrea Argentieri

Nisur nga dokumentet audio dhe video të arkivave RAI, Andrea Argentieri luan rolin e shkrimtarit Primo Levi, duke përdorur zërin, gjestet, qëndrimet dhe fjalët në vetën e parë. Është një takim kokë më kokë, në të cilin shkrimtari, duke u bazuar tek e vërteta që e ka frymëzuar në veprat e tij, dëshmon përvojën e tij në kampet e përqendrimit me një teknikë shumë të qartë dëshmie dhe rrëmimi kujtese, me çiltërsinë e një vështrimi i aftë të shprehë të pathënën, duke u nisur nga perimetri në dukje i qetë i arsyes.

Falë teknikës së aktrimit në distancë, të hetero-regjisë, të eksperimentuar nga Fanny & Alexander në dhjetë vitet e fundit, qëllimi është të krijohet një portret i shkrimtarit, bazuar tek labirintet e një pyetjeje: sa thumbuese dhe e aftë është kjo dëshmi për të na folur përmes ndjeshmërisë së një aktori, që e lejon veten të përshkohet nga materialet origjinale që na ka lënë shkrimtari? A mundet epifania e një zëri, e një trup-shpirti, e ngulitur në trupin e një aktori shumë më të ri në moshë se sa modelit që ndjek, të bëjë që fuqia dhe domosdoshmëria e dëshmisë së tij, të rrjedhë edhe më fort bindëse?

SE QUESTO È LEVI është portret i një aktori. Është përpjekja për të konkretizuar përvojën e ballafaqimit kokë më kokë me shkrimtarin.

Në Tiranë shfaqja do të përcillet për publikun edhe në shqip me përkthim simultan dhe me zërin e aktorit: Edvin Mustafa

Ideja fikse e super realizmit

nga Luigi De Angelis

“Primo Levi, në librin e tij I sommersi e i salvati, në lidhje me përkthimin gjermanisht të romanit A është, vallë, njeri…?, flet për një përpjekje pothuajse obsesive për super-realizmin, në të cilin ai dëshiron që përkthimi të jetë një lloj magnetofoni i drejtpërdrejtë i përvojës, një lloj rikthimi tek gjuha apo tek restaurimi që rrjedh pas njohjes së asaj përvopje… Kjo ide fikse ka qenë forca shtytëse e projektit Se questo è Levi dhe njëkohësisht parimi frymëzues i tij: vendosja e një përkthyesi, një aktori në pozitë të tillë që të përshkohet nga zëri i regjistruar i një jete tjetër, veshja me zë si të ishte lëkurë, kredhja shpirtërisht në të, duke e lënë veten të laget ashtu si një turrë leshi e njomur në ujë. Brenda zërit të një shkrimtari me një personalitet të shumanshëm si ai i Primo Levit, shtrihet një botë shumë e pasur, e përbërë nga emocionet të frenuara a të çliruara qofshin; në të mund të shihet një lexim kompleks mes rreshtave; traumat e përvojës fshihen pas materialitetit të zërit, por mbi të gjitha del në pah forca e madhe e karakterit, e arsyes dhe e misionit. Tek Se questo è Levi, përkthyesi nuk lexon, por “lexohet” nga një zë i huaj që e përshkon, duke bërë që materiali zanor që i propozohet nëpërmjet kufjes të reagojë brenda vetes – si në një proces kimik – të cilin ai e kthen në çast, pasi ka studiuar proksemikën e shkrimtarit, shprehjet e tij të fytyrës, emocionet e tij të brendshme e të jashtme, duke lejuar që tek ai të jetojë një jetë tjetër, të mvishet një shpirt tjetër, përmes një kredhje zanore. Është një formë mimetizmi për nga afërsia, në të cilën njeriu duhet të dijë të kriojë hapësirë, të mirëpresë, të kërkojë ngjashmëritë e brendshme, lidhjet me përvojën e vet, të respektojë, të kumbojë; është një formë të vëzhguari meditativ, në të cilën njeriu nuk duhet të ketë tundime të vullnetshme, pohuese, por duhet të dijë të rrokë, të shndërrohet në antenë, të kapë, të përshkohet, ta lërë të rrjedhë. Siç e thekson Marco Belpoliti tek Primo Levi di fronte e di profilo, në shkrimin e Levit ndihet forca e oralitetit, sikur Levi të ishte para së gjithash një shkrimtar që rrëfente me zë dhe jo me penë. Në shkrimet e tij gjithashtu ndihet nevoja për dëshmi, sikur tekstet e tij të ishin “provuar” fillimisht gjatë një udhëtimi me tren, në shtëpi, nëpër konferenca, përpara komuniteteve të ndryshme të dëgjuesve që takonte dhe nga të cilat kurrë nuk largohej…. Dhe anasjelltas, intervistat e tij në radio apo televizion janë tepër të kthjellta, duken të shkruara në çastin që shqiptohen, ka një vazhdimësi mes oralitetit dhe shkrimit në të dy drejtimet. Për këtë arsye, kemi zgjedhur të mos vëmë në skenë veprat letrare të Primo Levit, përveç disa pjesëve nga Sistema Periodico, por kemi zgjedhur të qëndrojmë tek forca dërrmuese e gjuhës së të folur, nga e cila lindin koncepte shumë të gjalla që duket se shqiptohen për herë të parë, pikërisht në çastin kur shqiptohen nga përkthyesi, duke i bërë të duken si fjalë të sotme, shigjeta të mprehta, përgjigje politike ndaj zonës gri të këtyre kohërave”.

https://fannyalexander.e-production.org/se-questo-e-levi/

  • Organizuar nga: Instituti Italian i Kulturës në Tiranë
  • Ne bashkepunim me: Teatri Metropol Tiranë