Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Shqiponja dhe Oktapodi – Prezantim i botimit shqip të romanit “Shqiponja dhe Oktapodi” nga Gianni Palagonia

AquilaeLaPiovra_web

Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me shtëpinë botuese Dritan Editions, ka kënaqësinë të prezantojë botimin shqip të romanit të shkrimtarit Gianni Palagonia, “Shqiponja dhe Oktapodi”, të përkthyer nga  Ajsela Koka.

Nëpërmjet historive të treguara në dy librat e parë të policit-shkrimtar Gianni Palagonia, del në pah një ndjenjë e fortë disfate që mbërthen hetuesin Palagonia, i cili duhet të braktisë vendin e tij për t’i shpëtuar hakmarrjes së mafies, si dhe një ndjenjë e thellë vetmie dhe zhgënjimi profesional, pavarësisht rezultateve të mëdha të arritura me arrestimin e mafiozëve dhe terroristëve shumë të rëndësishëm. Rrëfimi, përveçse zbulon teknikat e hetimit dhe sakrificat për të mbërritur tek arrestimet – shpesh në kufijtë e ligjshmërisë – na fut edhe në botën e krimit, duke na zbuluar modus operandi-n e saj dhe strategjinë e mentalitetin e mafias. Por mbi të gjitha, shkrimtari – me një fuqi shkatërruese – na shtyn me forcë brenda jetës së përditshme të policit-njeri, i cili për të mbrojtur shoqërinë dhe familjet e të tjerëve, shkatërron në mënyrë të pashmangshme të vetën. Mosbesues ndaj Shtetit dhe Institucioneve, i gjetur vetëm dhe pre e fantazmave të së shkuarës që jetojnë brenda dhe rreth tij, Palagonia thirret nga drejtuesit, të cilët i ofrojnë një mision përtej kufirit, në Shqipëri. Pasi ka mbërritur në Vendin e Shqiponjave, të goditur nga fatkeqësia, polici mëson detajet e misionit. Zyra e Përbashkët e Ndërlidhjes ku është caktuar të punojë, duhet të hetojë krimet e kryera në Itali dhe Shqipëri nga grupe kriminale që veprojnë në të dy vendet.

Polici Gianni Palagonia, pasi është kërcënuar nga mafia siciliane, e gjen veten duke punuar për disa vite në veri të Italisë. Më pas thirret nga drejtuesit, të cilët i ofrojnë një mision përtej kufirit, në Shqipëri, një vend që ai nuk e njeh, por që do t’i kujtojë Sicilinë e tij të dashur. Krahas aleancave mes krimit italian dhe atij shqiptar, ai zbulon një realitet plot kontradikta, probleme dhe fenomene që tashmë janë zhdukur në botën perëndimore, siç është Kanuni.

Palagonia do të zbulojë shpejt pozicionin juridik të paqartë dhe ende të pazyrtarizuar të agjentëve italianë, mbi kokat e të cilëve qëndron “shpata e Demokleut” e mosnënshkrimit të “memorandumit të mirëkuptimit”, mes dy vendeve, që do t’i mbronte nga reprezaljet diplomatike si rrjedhojë e veprimeve të tyre. Krahas aleancave mes krimit italian dhe atij shqiptar, ai zbulon shkallën e korrupsionit brenda Vendit. Në pamundësi për të dalluar “të mirët” nga “të këqijtë”, polici vendos të mos shfaqet ai që është, me shumë nga njerëzit me të cilët duhet të përballet, duke u lidhur fshehurazi me pjesën e shëndoshë të Vendit për të mposhtur të keqen. Mes ngjashmërive kulturore dhe vlerave njerëzore që kryqëzohen në dy brigjet e Adriatikut, Palagonia gjen veten dhe mbi të gjitha dashurinë, në Tokën e Shqiponjave.

http://www.giannipalagonia.it/

  • Organizuar nga: Instituti Italian i Kulturës në Tiranë dhe Shtëpia botuese Dritan Editions