Instituti Italian i Kulturës ka kënaqësinë të paraqesë në Prishtinë ekspozitën BUONE NUOVE Women Changing Architecture.
Ekspozita organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar (MAECI) në bashkëpunim me Fondacionin MAXXI, kuruar nga Pippo Ciorra, Elena Motisi dhe Elena Tinacci. Dizajni i ekspozitës është realizuar nga Matilde Cassani dhe projekti grafik nga Cinzia D’Emidio.
Buone nuove prezantohet në Prishtinë në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë, Bashkinë e Prishtinës, Fakultetin e Arkitekturës së Universitetit të Prishtinës, Shoqatën e Arkitektëve të Kosovës, Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës së Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Shoqatën e Arkitektëve të Shqipërisë.
Buone nuove. Women Changing Architecture synon t’i ofrojë publikut ndërkombëtar një këndvështrim të ri dhe më gjithëpërfshirës mbi arkitekturën. Në veçanti, projekti i ekspozitës udhëtuese synon të dokumentojë dhe në një farë mënyre të shpërblejë ndihmesën e dhënë nga projektuese, skuadra në çift, grupe apo kolektiva femrash, për arritjet dhe cilësinë e arkitekturës moderne dhe bashkëkohore në Itali. Kjo ekspozitë është frymëzuar nga ekspozita e prezantuar në MAXXI me titull “Buone Nuove. Donne in architettura” dhe e ndan rrëfimin e saj në kapituj.
Kapitulli i parë – Histori arkitektesh italiane – i kushtohet ngjarjeve dhe projekteve të rreth njëzet prej eksponenteve më interesante të arkitekturës italiane, nga periudha e pasluftës e deri më sot, shumë prej të cilave janë të pranishme në koleksionet MAXXI. Lista nis nga Lina Bo Bardi tek Gae Aulenti, nga Cini Boeri tek figurat më të rëndësishme të skenës së tanishme, si Maria Giuseppina Grasso Cannizzo, për të arritur më pas tek ato më të rejat . Këto Histori rrëfehen përgjatë një sekuence me katër tavolina të mëdha “të shtruara” me skica, vizatime, video dhe dokumente të ndryshme. Çdo tavolinë i kushtohet një teme, që pasqyron me një progresion kronologjik, evolucionin e ndihmesës femëror në arkitekturë: që nga Pionieret e kësaj dege në Itali në fillim të Nëntëqindës, tek Age d’or të dizajnit, gjatë së cilës arkitektet rishqyrtuan në një mënyrë moderne dhe funksionale, krejt hapësirën shtëpiake dhe elementët e mobilimit, për të pushtuar më tej hapësirën jashtë shtëpisë për të Projektuar në kontekst – historik, urban apo natyror – deri tek Gjeneratat e reja, të cilët sot i japin jetë arkitekturës me cilësi të lartë.
Kapitulli i dytë – Zbatime në Itali – fokusohet tek një sërë punimesh të rëndësishme të kryera në Itali nga projektuese ndërkombëtare, shpesh në bashkëpunim me kompani dhe profesionistë vendas, në një periudhë që mbulon dy dekadat e para të këtij shekulli. Këtu, sekuenca e dallueshme tek panelet vertikale, zë fill me Zaha Hadid, autore e MAXXI, dhe vijon me emra po aq të rëndësishëm, si ai i studiove Grafton Architects dhe SANAA (të dyja me projekte ndërtimi për Universitetin Bocconi), ai i Benedetta Tagliabue-s (italiane e emigruar në Barcelonë, e pranishme këtu me një kishë në Ferrara), ai i Parco Romana në Milano nga Liz Diller, si dhe vepra të studios Inside Outside të Petra Blaisse.
Dy kapitujt e fundit – Rrëfime dhe Vizione – përfshijnë intervista me eksperte dhe studiuese mbi temën e gender quality në profesionet e arkitekturës si dhe një seri videosh kushtuar marrëdhënies gjithnjë e më të ndërgjegjshme “mes gjinisë dhe hapësirës”. Në të parin prezantohen zërat ende aktualë të disa pioniereve si Phyllis Lambert apo studiueseve shumëvjeçare si Mary McLeod apo Beatriz Colomina, të shoqëruar nga ato të figurave që u rritën në rrjedhën e plotë të ndryshimit, si Giovanna Borasi apo të rejat Liz Ogbu dhe Manon Mollard. Video, nga ana tjetër, përfaqëson pjesën më aktive të ekspozitës, një hap përpara drejt një gjendjeje në të cilën evolucioni i marrëdhënieve dhe kompleksiteve gjinore nuk mund të mos ndikojnë në konceptimin dhe menaxhimin e hapësirës.
Me këtë rast do të ekspozohen edhe punët e dy arkitekteve kosovare, Suade Doko Mekuli dhe Shqipe Nixha, si dhe dy arkitekteve shqiptare, Shpresa Leka dhe Valentina Pistoli.
Për broshurën kliko qui
Përurimi: 5.12.2023 ora 11:30
@Modelarium pranë Fakultetit të Arkitekturës së Universitetit të Prishtinës
rruga Karl Gega no1, 10000 Prishtinë, Kosovë
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 5.01.2024, nga e hëna në të premte ora 10:00 – 18:00