Instituti Italian i Kulturës ka kënaqësinë të bashkëpunojë me shtëpinë botuese Dudaj, në organizimin e prezantimit të botimit në shqip të romanit “Sot po e marr pushim”.
Një histori e parezistueshme – herë komike dhe herë prekëse – që përzien lehtësinë dhe thellësinë, hirin dhe butësinë, duke eksploruar marrëdhënien tonë me dhimbjen, që është në fakt marrëdhënia jonë me vetveten.
“Shkrimtarja dhe gazetarja e trajton temën e dhimbjes dhe braktisjes në mënyrë origjinale, por edhe zbavitëse” – Tv Sorrisi e Canzoni
“Daria Bignardi, në këtë roman të fundit kthehet të hetojë lidhjet delikate që na mbajnë me njëri-tjetrin, prek brishtësinë e ekzistencës, eksploron kontradiktat e secilit dhe analizon alkiminë e ndjenjave” – Michela Marzano, la Repubblica
“Quhem Gabriel, si kryeengjëlli”, tha “këtu në Gjermani është emër gruaje. Ç’lloj emri është ky i yti?” Galla mban atë emër për nder të parandoreshës Galla Placidia: “Vënia e këtij emri ishte një nga gjestet e pakta të guximshme të nënës sime”. Që kur e la i shoqi, befas dhe pa shpjegime, i kalon ditët në divan, duke i mbajtur sytë ngulur tek lulet e mëdha të manjolës në oborr, duke fantazuar sikur hidhet nga ballkoni, për t’i shpëtuar një dhimbjeje të padurueshmem, për të cilën fajëson veten. Del nga shtëpia vetëm për të takuar psikoanalisten Anna Del Fante, ose për të shkuar në burg. “Që kur Doug më braktisi, jam mirë vetëm brenda. Këndoj me dhjetë vullnetare të tjera në një kor të burgosurish, të varur nga droga. Edhe unë kam nevojë për detoksikim”. Gjatë udhëtimit të saj të parë vetëm, në Mynih, hyn rastësisht në një muze ku janë ekspozuar punët e piktores gjermane Gabriele Münter. Galla, e cila ka studiuar art në rini, kujton vetëm që Münter bënte pjesë në grupin Cavaliere Azzurro me Vasilij Kandinskij. Por atë ditë pikturat e saj “aq plot me ngjyra dhe pa gëzim” e hipnotizojnë. Që nga ai moment zëri i Gabrieles, hyn në jetën e Gallas: e mundon, e tall dhe ndërkohë i tregon historinë e saj të gjatë të dashurisë me Kandinsky, aq e ngjashme me atë të Gallas me Doug. Ndërsa dialogu mes të dyjave bëhet gjithnjë e më përfshirës, rruga e Gallas puqet me atë të dy pacientëve të tjerë të Anna Del Fante: Bianca, një adoleshente që nuk shkon më në shkollë dhe Nicola, një joshës kompulsiv dhe viktimë e panikut. Pasojat e paparashikueshme të këtij takimi mund të ndryshojnë jetët e të treve.
Gazetare, shkrimtare dhe prezantuese televizive (Ferrara 1961). Gazetare profesioniste që nga viti 1992, ajo filloi karrierën e saj tek Rai në fillim të viteve nëntëdhjetë, fillimisht si redaktore e programit Milano-Italia, më pas si korrespondente për Punto e a capo. Në vitin 1995, u transferua tek Canale 5 për të prezantuar rubrikën letrare A tutto volume, dhe në harkun kohor të disa viteve, fitoi zemrën e publikut me programe si Corto Circuito (1996-97), Tempi moderni (1998-2001) dhe dy edicionet e para të Grande Fratello (2000-01). Bignardi ka drejtuar edhe talk-show-n Invasioni Barbariche (2004-08 dhe 2010-15) dhe është autore e disa librave (ndër më të fundit Un karma pesante, 2010; Domenica e L’acustica perfetta 2012; L’amore che ti meriti, 2014; Santa degli impossibili, 2015; Storia della mia ansia, 2017; Oggi faccio azzurro, 2020; Libri che mi hanno rovinato la vita, 2022). Nga viti 2016 deri në vitin 2017 ka qenë drejtoreshë e Rai Tre. Nga viti 2019 deri në vitin 2020, iu rikthye televizionit për të drejtuar tek Nove, talk-show-n L’assedio.
10.11.2023 ora 11:00
COD – Center For Openness And Dialogue
Hyrja e lirë