Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Qendrën e Artit Agimi, ka kënaqësinë të paraqesë projektin “Annotazioni Video”, një buqetë videosh që do të zhvillohet në një sërë takimesh, me qëllim reflektimin mbi dinamikat e zhvilluara gjatë kërkimeve të disa prej protagonistëve të artit bashkëkohor italian e shqiptar, që kanë si fill bashkues videon. Kurator i projektit: Stefano Romano.
Ashtu si çdo mjet tjetër shprehës, edhe videoja ka qasje dhe nuanca të ndryshme gjuhësore, që e bëjnë atë një medium kompleks, ndonëse mjaft intuitiv, veçanërisht në këtë moment historik, ku ideja e imazhit në lëvizje është kthyer në pjesë përbërëse të fluksit të vazhdueshëm të përvojës sonë me ndërfaqen teknologjike. Koncepti i shënimit lidhet me mbajtjen shënim, kapjen e një elementi mbi të cilin duam të reflektojmë apo të ruajmë në kujtesë. Ai lidhet me atë që na bën më fort përshtypje, në fluksin e informacionit mes të cilit gjendemi, pra flet për ne, përcakton vendin tonë lidhur me çfarë kemi përballë. Njëkohësisht mundëson një kohë përpunimi të asaj çfarë shikojmë dhe ashtu si praktika e mbajtjes shënim, mbart në vete një ndalesë kohore, thellim, një zgjedhje që na jep mundësinë të lexojmë realitetin nga një këndvështrim që përndryshe nuk do ta kishim rrokur.
“Duke paraqitur një përzgjedhje të prodhimit video artistik italian më të fundit në Tiranë dhe duke ftuar artistë italianë për të takuar komunitetin artistik dhe krijues shqiptar, Instituti dëshiron të rinovojë dhe forcojë lidhjet tradicionalisht të qëndrueshme midis komuniteteve artistike të dy Vendeve, duke inkurajuar dialogun dhe shkëmbimin mes dy brigjeve të Adriatikut” thotë drejtori i Institutit Italian të Kulturës në Tiranë, Alessandro Ruggera.
Formati është konceptuar me shfaqjen e videos apo filmit, të ndjekur nga një bashkëbisedim mes artistit dhe kuratorit.
Takimi i parë do të jetë ditën e martë më 19 shtator 2023, në orën 19:00 pranë Qendrës së Artit Agimi. Artisti i parë i ftuar për të marrë pjesë është Filippo Berta, me veprën e tij “One by One”, projekti fitues i Italian Council – Edicioni V, 2019, i promovuar nga MIC, Ministria Italiane e Kulturës.
Artisti e realizoi projektin mes viteve 2019 e 2021, duke udhëtuar përgjatë vijave të ndryshme kufitare të planetit, nga Amerika, në Europë dhe Azi. Formalisht, videoja përbëhet nga regjistrime pamjesh të ndryshme, të një njeriu që i afrohet telit me gjemba, që përcakton kufirin e rradhës dhe nis të numërojë gjembat në të.
Numërimi vazhdon pa ndërprerje, duke krijuar një pafundësi të korruptuar, drejt së cilës projektohemi edhe ne. Zhurma në sfond e lajmeve që lexojmë, shohim apo u hedhim një sy çdo ditë, në veprën e Berta-s shndërrohet në metaforën e një territori të paqëndrueshëm, të vuajtur, të ndarë dhe ndarës, të segmentuar nga vetë njeriu për të krijuar distancë.
Ky takim i parë është konceptuar dhe realizuar në bashkëpunim me HARABEL – Contemporary Art Center. Shfaqja e videos së Filippo Berta-s do të ndiqet nga një bashkëbisedim mes Ajola Xoxas (drejtore e HARABEL – Contemporary), Stefano Romano-s (curator i eventit) dhe Filippo Berta-s.
Gjuha e aktivitetit do të jetë në italisht me përkthim simultan në shqip.
Filippo Berta (1977).
Përfaqësohet nga Prometeo Gallery (Milano, Lucca). Prej vitit 2017 deri në vitin 2020, ka dhënë mësim në FMAV – Fondazione Modena Arti Visive. Në vitin 2019, u shpall fitues i Edicionit 5 i Italian Council, me projektin One by One, mbështetur nga Nomas Foundation Romë, Universiteti Sapienza Romë dhe GAMeC Bergamo. Në vitin 2015, fitoi Çmimin Fondazione MIA (Bergamo); në vitin 2014 atë Maretti (Havanë, Kubë) dhe u zgjodh finalist i Talent Prize (Romë). Në vitin 2008, ishte ndër fituesit e Çmimit Ndërkombëtar të Performancës, edicioni 4 (Gallera Civica Trento). Nga viti 2012 deri në vitin 2023, ka ekspozuar pranë: Fondazione Pistoletto (Biel- la), Muzeu MADRE (Napoli), Muzeu MSU (Zagreb, HR), Prometeo Gallery (Milano), GAMeC (Bergamo), Jönköpings Läns Museum (SE), Nomas Foundation (Roma), Matadero (Madrid, SP), Museion (Bolzano), State Museum of Contemporary Art di Salonicco (GR), MART (Trento), Triennale di Milano, Fondazione MACC (Calasetta), Muzeu Pori (FIN), Victoria Art Center (Bucarest, RO), Fondazione Fabbri (Pieve di Soligo), Muzeu MEF (Torino), Grimmmuseum (Berlin, DE), Muzeu MOG (Goa, Indi), Galleria Civica di Danzica (PL), Städtische Galerie di Brema (DE), Museo Nazionale Brukenthal (Sibiu, RO), Gallery 400 di Chicago (USA), Muzeu MAO (Lubjan, SL), CZKD Center for Cultural Decontamination (Beograd, SR). Bienale: Bienalsur (Buenos Aires, 2023), Biennale di Salonicco (GR, edicioni 4 dhe 6), Biennale di Curitiba (BR, edicioni 34), Biennale di Praga (CZ, edicioni 5) dhe Biennale di Mosca – Young Art (RU, edicioni 3). Përzgjedhje nga rezidenca për artistë: Fondazione Ratti di Como (2012) si dhe Fondazione Spinola Banna di Poirino (2009). Ka marë pjesë në festivale si: Festival Internazionale “Occidente Oriente” i kërcimit bashkëkohor MART di Rovereto (2018, edicioni 38), Festival Internazionale Sarajevo (2014, edicioni 30), International Konst Film (2013, Suedi), Corpus 3 (2012, Napoli), Romaeuropa Festival (2012, Romë), Tulca-After the fall (2011, Galway, IR), European Performance Art Festival (2011, Varshavë, PL).
ANNOTAZIONI
VIDEO
Paraqitje videosh artistike
Një projekt i ideuar, prodhuar dhe organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë.
Drejtor: Alessandro Ruggera.
Kurator: Stefano Romano.
19 shtator 2023
Ora 19:00
Qendra e Artit Agimi
FILIPPO BERTA
One by One
Projekt fitues i Italian Council – Edicioni 5, 2019
Promovuar nga MIC, Ministria Italiane e Kulturës
Drejtues shkencor: Nomas Foundation (Romë) dhe Universiteti Sapienza (Romë)
Në bashkëpunim me: Tools For Culture (Romë)
Një projekt i kuruar nga Giorgia Calò dhe Francesca Ceccherini
Koleksioni publik: GAMeC, Galleria di Arte Moderna e Contemporanea Bergamo.
Aktivitet në bashkëpunim me:
HARABEL – Contemporary Art Center
Qendra e Artit Agimi
Bashkia e Tiranës
19 Shtator 2023
Ora 19:00
Qendra e Artit Agimi