Instituti Italian i Kulturës ka kënaqësinë të bashkëpunojë në edicionin e 12-të të International Jazz Festival 2023, duke mbështetur pjesëmarrjen e Andrea Manzoni TRIO
Andrea Manzoni – piano, Andrea Beccaro – bateri dhe Viden Spassov – dbass
Pas suksesit të “He Knows Everything”, pianisti italian Andrea Manzoni, publikoi me shtëpinë diskografike pariziene Another Music Records, albumin e tij të pestë me titull “Live at Slovensky Rozhlas”.
Kjo vepër e fundit, e regjistruar live së bashku me kontrabasistin Viden Spassov dhe Andrea Beccaro në bateri, largohet nga kanonet klasike të treshes tradicionale të pianos, duke i hapur dyert një publiku të ri, i aftë të perceptojë vijën e hollë ndarëse mes muzikës jazz, rock, elektronike dhe eksperimenteve muzikore.
Është një album i fuqishëm me një ndikim të madh emocional, me një bateri, një kontrabas dhe një piano që luajnë fort së bashku, me ndërthurje dhe disiplinë gjatë performancave muzikore.
Roli i kompozicionit është shumë i pranishëm dhe ka rrënjë të thella, ashtu siç mëson tradita klasike dhe ajo bashkëkohore. Asgjë nuk i lihet rastësisë, as edhe në momentet e improvizimeve të lira muzikore.
Nis kështu nga Shqipëria për të vijuar nëpër Europë, “We Are Late Tour” i Andrea Manzoni TRIO.