Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

Festivali “Me këndu zërin” 5-6-7/10/2023

“Me këndu Zërin” është një festival kushtuar këngës dhe zërit, mjeti i parë dhe kryesor komunikues i qenies njerëzore. Një festival në të cilin, zërat thirren dhe ftohen të dialogojnë me njëri-tjetrin, të mbivendosen e të ndërthuren, ashtu si teksturat e një pëlhure. Përtej kodifikimeve formale dhe jashtë barrierave gjuhësore, Me këndu zërin, paraqet dialogun mes kulturave të vokalitetit dhe të kënduarit italian dhe shqiptar, me ritualet dhe kultet që i formojnë ato. Dy tradita të afërta, një dialog që vendos pranë në të njëjtën skenë, artistë italianë dhe shqiptarë.

“Instituti Italian i Kulturës propozon një festival kushtuar vokalitetit, duke prezantuar disa nga artistët më të mirë italianë dhe duke ndërthurur traditat vokale italiane dhe shqiptare. Është një udhëtim përgjatë magjisë së zërit dhe aspekteve të tij popullore, të lëvruara dhe eksperimentale. Një rrugëtim magjepsës, në të cilin kemi dashur të përfshijmë, përveç publikut, edhe disa shoqata që ndihmojnë shtresat në nevojë të popullsisë, të përfshira në kurse e seminare”, thotë drejtori i IIC Alessandro Ruggera.

“Siç ka ndodhur në të kaluarën, me rapsoditë e guximshme të folklorit shqiptar, Shqipëria sot ka nevojë të ngutshme  të eksplorojë muzikën përmes vokalitetit dhe të krijojë forma të reja kënge, dhuratë e përbashkët për ardhmërinë e saj”. Është pikërisht kjo konsideratë e gjerë kulturore, e cila e nxiti Drejtorin Artistik Robert Bisha, në fillesat e këtij festivali.

Nata e parë, do të fokusohet kryesisht tek kompozitori ikonik jo vetëm italian por ndtërkombëtar i viteve nëntëqind, Luciano Berio, interpretuar përmes Folk Songs nga kantautorja Ilaria Pilar Patassini. Së bashku me repertorin e saj elegant dhe origjinal me konotacione mbështjellëse të zhanrit pop-jazz, kantautorja do të propozojë më pas disa këngë tradicionale shqiptare, të rishikuara së bashku me pianistin Robert Bisha.

Nata e dytë, do të ketë për protagonist një nga zërat unik të Italisë së sotme. John De Leo. Kantautor, kompozitor dhe interpretues, ai do të performojë këtë herë në trio, me një repertor origjinal. Mes blues-it dhe elektronikës bashkëkohore, rokut avangard dhe xhazit, De Leo thjesht përshkon zhanre të ndryshme, duke përftuar më pas thelbin e tyre, në nota vokale të personifikuara.

Në natën e tretë, do të ndodhë për të parën herë, takimi në të njëjtën skenë mes polifonisë tradicionale të Sardenjës “Canto a tenore” dhe Iso-polifonisë, traditë e Shqipërisë së Jugut, të dyja pjesë e trashëgimisë së Unesco-s.

Pjesa e dytë të koncertit të dyfishtë, do të shikojë si protagonistë dy projekte të rinj eksperimental, që lidhen me dy traditat polifonike.

“Indindara” nga Zoe Pia, klarinetiste improvizuese dhe muzikante e Launeddas. Në projektin e lindur në 2022, Pia prezantohet si një improvizuese në xhazin etnik italian bashkëkohor, duke eksperimentuar një linjë krejtësisht personale, e cila e bën të jetë një nga muzikantet më interesante në Itali.

“Frymë”, është projekti i Robert Bishës, pianist, improvizues, kompozitor italo-shqiptar. Projekt i lindur në vitin 2015, i fokusuar fuqishëm tek llojet e shkallëve pentatonike të pranishme në traditën shqiptare, për të përshkuar më pas notat e xhazit avangard bashkëkohor.

Nata e tretë, do të prihet nga konferenca dhe biseda me Nicola Scaldaferri, etnomuzikolog, kompozitor, multiinstrumentist dhe profesor i etnomuzikologjisë pranë Universitetit Shtetëror të Milanos.

5-6-7 tetor 2023 ora 20:00

Teatri Metropol – TIRANË

Për më shumë informacion: www.iictirana.esteri.it 

  • Organizuar nga: Instituti Italian i Kulturës në Tiranë
  • Ne bashkepunim me: Bashkia Tiranë dhe Teatri Metropol