Instituti Italian i Kulturës dhe Ambasada Italiane në Tiranë kanë kënaqësinë t’ju ftojnë në koncertin “Emocione – Jeta ime në këngë”, i ftuar Maestro Mogol, si dhe me pjesëmarrjen e Alessandro Preziosi dhe të kantautorit Gianmarco Carroccia
28.09.2023 ora 21:00
Liceu Artistik “Jordan Misja”, Salla “Tonin Harapi”
Rruga e Elbasanit – TIRANË
Hyrja e lirë
Giulio Rapetti, i njohur si Mogol, lindi në Milano më 17 gusht 1936. Autor tekstesh, “i rritur me bukë dhe muzikë”, fama e tij është e lidhur pazgjidhshmërisht me emrin e Lucio Battisti-t, për të cilini shkroi këngë të famshme të konsideruara ndër më të vlerësuarat e klasikeve të muzikës italiane. Padyshim një nga autorët e teksteve më të rëndësishëm në histori, Mogol ka shkruar më shumë se 1500 këngë.
I rritur mes mjedisit muzikor, falë babait të tij, menaxher i kompanisë diskografike Ricordi, Mogol e nisi karrierën si botues tek Ricordi, duke punuar krah të atit Mariano. Krahas punës si botues, zbuloi në një moshë shumë të re, talentin e tij për të shkruar tekste, të cilën e përkufizoi si “dhuratë”. Dhe konfirmimet nuk vonuan: suksesi i tij i parë i madh arriti në vitin 1960 me “Non dire I cry”, kënduar nga Tony Renis. Por është pikërisht në vitin 1961, që kënga e tij “Al di là”, e kënduar nga Luciano Tajoli, fitoi Festivalin e Sanremos, duke e projektuar atë në qendër të vëmendjes së kompanive diskografike. Në vitin 1963 Mogol fitoi përsëri Festivalin e Sanremos me “Uno per tutte”, kënduar nga Tony Renis.
Takimi i jetës ndodhi në vitin 1965, kur një Lucio Battisti ende i panjohur, u vendos në Milano dhe bëri audicion me kompaninë diskografike Ricordi: muzikantit Battisti iu caktua një autor tekstesh për këngët e tij. Dhe ishte pikërisht Mogol ai që e bindi Lucio-n të këndonte sepse ai, në të vërtetës, dëshironte të ishte veçse kompozitor. Së bashku, ata nuk u ndalën vetëm tek të shkruarit e këngëve të kënduara nga Lucio Battisti, por edhe tek ato të kënduara nga artistë të mëdhenj si Equipe 84, Dik Dik, Mina dhe Patty Pravo. Mogol dhe Battisti bashkëpunuan duke krijuar këngë ikonike, për pesëmbëdhjetë vjet: partneriteti i tyre arriti nivelin më të lartë të krijimtarisë me albumin “Umanamente uomo: il sogno” deri tek i fundit “Una giorno uggiosa“, regjistruar në 1980, viti i ndarjes së tyre.
Rindërtimi i shkaqeve që sollën fundin e bashkëpunimit mes Mogol dhe Battisti është i vështirë. Të bashkuar nga një marrëdhënie e veçantë artistike dhe njerëzore, dy figurat e mëdha kishin edhe disa dallime dhe, sipas vetë Mogol-it, vendimi për të marrë rrugë të ndryshme u mor për arsye që lidhen me të drejtën e autorit. Pas ndarjes nga Battisti, Mogol punoi me Riccardo Cocciante, Gianni Bella, Mango, Gianni Morandi dhe Adriano Celentano, duke vijuar të shkruajë kryevepra të paharrueshme të muzikës pop italiane.
Në vitin 1992, Mogol i dha jetë një projekti të destinuar të linte gjurmë në produksionin muzikor në Itali: themelimi në Avigliano Umbro i CET – Centro Europeo di Toscolano, një shoqatë e angazhuar në zhvillimin e kulturës dhe muzikës, e cila krijoi një akademi të rëndësishme muzikore, të njohur nga Shteti si Qendër Universitare e Përsosmërisë së Muzikës Popullore.