Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me Europe House Albania, ka kënaqësinë të paraqesë takimin e katërt të ciklit Me fjalë të tjera, një seri takimesh dhe bisedash me zërat më interesantë të letërsisë artistike italiane me origjinë shqiptare.
Në takimin e katërt, e ftuar do të jetë shkrimtarja Anilda Ibrahimi, e cila do të dialogojë me prof. Diana Kastrati, Drejtoreshë Ekzekutive e QSPA – Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët (Centro degli Studi e delle Pubblicazioni per gli Arbëreshe) dhe prej vitesh përkthyese prestigjoze nga italishtja në shqip. Bashkë me të do të jetë edhe Dr. Fabio M. Rocchi, studiues në të njëjtën qendër (QSPA) dhe profesor në Departamentin e Letërsisë të Fakultetit të Histori-Filologjisë të Tiranës, autor i monografisë kritike Zërat e parë të Italofonisë Shqiptare.
Anilda Ibrahimi u largua nga Shqipëria në një moshë shumë të re, në vitin 1994, për t’u vendosur fillimisht në Zvicër dhe më pas përfundimisht në Itali, duke zgjedhur qytetin e Romës. Në romanet e saj, jashtëzakonisht jetike dhe të dominuara nga individualitete origjinale dhe të gjalla femërore, takimi mes rrënjëve shqiptare dhe historisë europiane të dekadave të fundit, nga tregimi në tregim, bëhet gjithnjë e më bindës, deri sa tek romani i saj i fundit, Volevo essere Madame Bovary, botuar nga Einaudi në vitin 2022, arrin tek analiza e evolucionit të shoqërisë italiane të fillim mijëvjeçarit. Sërish me shtëpinë botuese Einaudi – duke dëshmuar për marrëdhënien e saj cilësore dhe afatgjatë me shkrimin – Anilda Ibrahimi ka botuar Rosso come una sposa (2008), L’amore e gli stracci del tempo (2009), Non c’è dolcezza (2012) e Il tuo nome è una promessa (2017).
Deri më sot, asnjë nga librat e saj nuk është përkthyer në shqip, ndonëse një projekt i ri në horizont, flet për një tjetër skenar të ardhshëm.