Kjo faqe përdor cookies teknike (të nevojshme) dhe analitike.
Duke vijuar të lundrosh, pranon përdorimin e cookies.

EKSPOZITA FOTOGRAFIKE: “L’ITALIA CHE SOGNAVAMO”

Ekspo insta post-02

Instituti Italian i Kulturës, në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë, ka kënaqësinë të prezantojë ekspozitën fotografike “L’Italia che sognavamo”, e kuruar nga Brunella Garavini (Biblioteka Malatestiana e Çezenës) dhe Elton Koritari (EjAlbum)

Ekspozita është realizuar falë bashkëpunimit të Bashkisë së Çezenës dhe Bibliotekës Malatestiana – Qendra e Kinemasë Qyteti i Çezenës, në kuadër të TIFF – Tirana International Film Festival.

Të gjitha imazhet vijnë nga Arkivi Malatestiana / Qendra e Kinemasë e Qytetit të Cezenës.

Është një gjest që rikthehet vazhdimisht në fotografinë e skenës: dikush që kthen kokën pas. Një grua kalon përmes një sheshi dhe një turmë burrash kthehet për ta parë. Një regjisor kthehet drejt objektivit, i befasuar edhe vetë, ndërsa shkrep flashi i një paparaci. Kjo ekspozitë lind pikërisht nga ky gjest. Sepse kinemaja italiane e shekullit të XX nuk është thjesht një koleksion filmash: është ushtrimi më i madh i vështrimit që një Vend ka bërë ndonjëherë ndaj vetvetes. Nga rruga e Neorealizmit te ëndrrat e Fellini-t, ky është një udhëtim në të cilin objektivi ndryshon dy herë natyrën e tij. Fotografitë në ekspozitë e dëshmojnë këtë transformim jo nga salla e kinemasë, por nga prapaskenat: nga vendi ku ndërtohej ëndrra.

Por ka një arsye të saktë pse ky udhëtim bëhet pikërisht në Tiranë, dhe ekzaktësisht në ambient të hapur, në zemër të qytetit. Për breza të tërë shqiptarësh, kinemaja dhe televizioni italian kanë qenë një dritare e ndaluar me pamje nga bregu tjetër i Adriatikut. Shtatëdhjetë kilometra det dhe një sinjal televiziv i kapur fshehurazi ishin gjithçka që ndante dhe bashkonte dy popujt. Italia, përpara se të ishte një destinacion, ka qenë një imazh: i ndritshëm, i dëshiruar, i ëndërruar.

Ishte një vështrim njëdrejtimësh. Prandaj, ajo që ekspozohet është pikërisht Italia që shqiptarët vëzhgonin, pothuajse të verbuar, gjatë errësirës së diktaturës dhe, në të njëjtën kohë, vetë mekanizmi që prodhonte atë verbim. – Elton Koritari

 

Kinema Millennium
Tiranë, 21 – 27 shtator 2026

  • Organizuar nga: Instituti Italian i Kulturës në Tiranë dhe Ambasada Italiane në Tiranë
  • Ne bashkepunim me: TIFF, Bashkia e Cesena-s, Biblioteka Malatestiana e Qendrës së Kinemasë së Qytetit të Cesena-s